E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër emrat e mundshëm për President

PRISHTINE-E përditshmja “Koha Ditore”, referuar burimeve të saj ndërkombëtare bën të ditur se janë 4 emra që mund të propozohen për President të Kosovës.
Burimet e besueshme ndërkombëtare i kanë thënë ‘Kohës Ditore“ se Hashim Thaçit i janë dhënë disa opsione për të cilat mund të mendojë gjatë arritjes së marrëveshjes për krijimin e institucioneve të reja. Këto burime thonë se Thaçi, me gjithë mbështetjen ndërkombëtare që gëzon, e ka të qartë se pozicioni i tij është dobësuar dhe se duhet një qeverisje sa më e gjerë që të jetë e mundshme në Kosovë.
Përderisa është e qartë se Thaçi mbështetet të jetë kryeministër, këto burime thonë se duhet sa më parë të arrihet marrëveshja edhe për postin e presidentit.
Kështu, e përditshmja thekson se për postin e presidentit të vendit, sipas disa diplomatëve ndërkombëtarë, janë katër “opsione serioze“ që po diskutohen.
Opsioni i parë për president të Kosovës përmendet të jetë Edita Tahiri. Preferencën për një presidente femër tashmë e kanë shprehur hapur edhe zyrtarë ndërkombëtarë, para së gjithash kreu i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith.
Opsioni tjetër është një që po ashtu është përmendur – nënkryetari i parë i AAK-së, Blerim Shala, për të cilin variant është raportuar se tani ka hezitime brenda vetë partisë së tij, AAK-së.
Ndërsa opsioni i tretë është që simbol i unitetit të Kosovës dhe gardian i Kushtetutës së Republikës të jetë kryetari i tanishëm i socialdemokratëve të Kosovës, ish-kryeministër dhe ish-komandant i UÇK-së dhe TMK-së, Agim Çeku.
Një tjetër emër që burimet ndërkombëtare thonë se bën pjesë në diskutimet serioze për të qenë president i ardhshëm i Kosovës është ai i Veton Surroit, tani kryetar i Klubit për Politikë të Jashtme dhe pjesëmarrës i pothuajse të gjitha proceseve të mëdha politike në Kosovë dhe rreth saj prej viteve ‘90.
Sidoqoftë, burimet thonë se gjithçka tani varet nga mënyra sesi do të arrihet koalicioni qeverisës dhe kush do të përfundojë si pjesë e Qeverisë së ardhshme e kush do të mbetet në opozitë.

Ndërkohë, vetë Pacolli publikisht insiston se partia e tij, AKR, mund të bëhet pjesë e koalicionit qeverisës vetëm nëse ai e merr postin e presidentit, përndryshe AKR-ja do të mbetet në opozitë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›