E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër filma kosovarë në Winterthur

Katër filma dokumentarë të shkurtër nga Kosova janë përzgjedhur për t’u shfaqur në programin special Kino Ballkani në Winterthur, i cili është festivali më i madh i filmit të shkurtër në Zvicër.

Këtë vit me mbështetjen e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe në kuadër të projektit "Fabrika e Filmave për të Drejtat e Njeriut – Storie nga margjinat e Kosovës", Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtë ‘DokuFest’ ka prodhuar gjashtë filma dokumentarë të shkurtër që adresojnë çështje të ndryshme sociale dhe të drejtave të njeriut nga jeta e përditshme në Kosovë. Përmes një komunikate të dërguar nga DokuFest, bëhet e ditur se katër prej këtyre filmave janë përzgjedhur për shfaqje në programin special Kino Ballkani në Winterthur, i cili është festivali më i madh i filmit të shkurtër në Zvicër.

Me ftesën e drejtoreshës së festivalit në Winterthur, znj. Delphine Lyner, Drejtori Ekzekutiv i DokuFest-it Eroll Bilibani do të prezantojë programin e Fabrikës së Filmave për të Drejtat e Njeriut në përgjithësi si dhe do t’i ofrojë mundësi audiencës së festivalit të shtrojë pyetje pas shfaqjes së filmave në kuadër të programit Kino Balkan Today.

“Është me të vërtetë një nder i veçantë që na është dhënë rasti t’i prezantojmë këto filma të shkurtër dokumentarë dhe punën e regjisorëve të rinj edhe jashtë Kosovës. Shpresojmë që ky do të jetë një fillim i mbarë në promovimin ndërkombëtar të filmave që kanë dalë nga ky bashkëpunim me zyrën e Bashkimit Europian në Kosovë”, tha Eroll Bilibani, drejtor Ekzekutiv i DokuFest.

Filmat portretizojnë momente absurde, tragjike, por gjithmonë magjepsëse të jetës së përditshme në Kosovë. Gjashtë dokumentarët e prodhuar nga DokuFesti janë rezultat i një projekti një-vjeçar të gjashtë filmbërësve në ngritje. Pjesëmarrësit e projektit konceptuan, xhiruan dhe redaktuan filmat me kohë për premierën në edicionin e sivjetmë të DokuFestit.

Filmat që janë përzgjedhur për t’u shfaqur në Winterthur janë: ‘Këpucët e Humbura / Lost Shoes’ i regjisores Shota Bukoshi; ‘Një ditë me fat / One Lucky Day’ nga Dia Morina dhe Husamedin Luma; ‘I kujt është flamuri? / Whose flag is it?’ nga Baris Karamuco, ‘Prishtina - Beogradi / Pristina – Belgrade’ nga Srdjan Slavkovic. Filmat do të shfaqen në Casino Festsaal më 8 nëntor.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›