E Diel, 1 Nëntor 2026

'Këmisha e gjakut' vjen me mirënjohje nga Sarajeva

Shfaqja “Këmisha e gjakut” me regji të Bekim Lumit, prodhim i Teatrit Laborator Loja, e cila gjatë këtyre ditëve e ka përfaqësuar Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit “MESS” në Sarajevë është nderuar me mirënjohjen Speciale “Zëri i MESS-it”, të cilën, në këtë festival, e ndan Radio Sarajeva.

Në motivacionin për ndarjen e kësaj mirënjohjeje, e cila i dedikohet regjisorit dhe aktorëve të shfaqjes, thuhet se ajo u jepet atyre “për përdorimin e paramenduar dhe inovativ të elementeve të etno muzikës në shprehjen teatrore bashkëkohore, si dhe për shfrytëzimin optimal të hapësirës në kontekstin auditiv”.

Shfaqja “Këmisha e gjakut” ka qenë pjesë e programit zyrtar “Mittel Europe” të edicionit të 52-të të Festivalit “MESS” dhe, si e tillë, në një konkurencë prej 33 shfaqjesh nga 21 vende të botës, është paraqitur më 4 tetor në ambientet e një shtëpie tradicionale muzeale boshnjake, e njohur si “Svrzina kuća” (Shtëpia e Svërzës)

“Këmisha e gjakut” është një krijim artistik eksperimental i ndërtuar mbi motivet dhe fragmentet e tragjedive “Makbethi”, “Rikardi III” dhe “Hamleti” të Shekspirit dhe mbi disa nga motivet e kodit zakonor shqiptar “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, i cili ngërthen në vetvete shumë nga traditat, doket, zakonet dhe ritualet e vjetra shqiptare. Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Melihate Qena, Adriana Matoshi, Afrim Mucaj, Astrit Geci, Bujar Ahmeti, Ermal Rexha dhe Kastriot Grajcevci

“Zëri i MESS-it” është një shpërblim i themeluar nga Radio Sarajeva në vitin 2009, i cili, si i tillë, ndahet “për përdorimin më të mirë të muzikës dhe të tingullit në teatër, për auditivitetin e skenës, muzikalizimin e shprehjes teatrore, apo për shfaqjen e gjeneruar përmes muzikës”, me qëllim që, përmes kësaj, të tërhiqet vëmendja për vlerën dhe domethënien e muzikës e të tingullit në teatrin bashkëkohor.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›