E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër muaj burg njerkës, dhunonte vajzën e burrit duke e lënë pa gjumë

gjykata-e-tiranesTiranë- Një grua është dënuar nga Gjykata e Tiranës për dhunë në familje, në një kohë që ajo ështe e para që merr një dënim të tillë mes dhjetra burrave që më së shumti janë konsideruar fajtorë për këtë akuzë.

35-vjecarja F.Belba nga Tirana është “njerka” e cila ka dhunuar vajzën e të shoqit pas vitesh marrëdhënie të acaruar mes tyre.

Prokurori thotë se e pandehura ka debatuar me vajzën me inicialet XH.B, duke e akuzuar atë se kishte marrë në shtëpi një shumë prej 50 mijë lekësh. Më pas prokuroria thotë se njerka e ka rrahur vajzën duke e ka goditur me shkelma, grushta si dhe e ka tërhequr zvarrë ndërsa më pas e ka dënuar që të qëndrojë gjithë natën pa gjumë dhe në këmbë. Në këto kushte vajza ka pranuar se i kishte marrë paratë, por sërish e akuzuara ka vijuar me dhunë fizike ndaj saj.

Në dosje thuhet se “E pandehura F.Belba e ka pyetur vajzën ku i kishte çuar lekët dhe ajo e ka gënjyer, duke i thënë se kishte blerë çizmet që kishte veshur. Por, në fakt çizmet ia kishte dhënë shoqja e saj e ngushtë dhe e klasës. E pandehura nuk është mjaftuar me kaq, por e ka dënuar vajzën, duke e lënë dhe gjithë natën pa gjumë në këmbë. Vajza mundohej të çlodhej, por kur shikonte se e pandehura lëvizte në krevat ajo friksohej, duke vazhduar qëndrimin në këmbë. Të nesërmen vajza ka pritur sa është larguar i ati dhe ka ikur nga shtëpia dhe në bisedë e sipër telefonike me shoqen e saj, i ka thënë se çfarë i kishte ndodhur. Më pas është takuar me shoqen dhe janë drejtuar për në Komisariatin e Policisë nr.3 Tiranë, ku vajza ka depozituar edhe kallëzimin përkatës kundër njerkës së saj F. Belba”.

Në përfundim gjykata shprehet: ”Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit dhe përfundimisht e pandehura F.  Belba dënohet me 4 (katër) muaj burgim. Në aplikim të nenit 59 te K.Penal urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit, duke e vënë të pandehurën në provë për një periudhë kohe prej 18 (tetëmbëdhjetë) muajsh me kusht që, gjatë kësaj kohe e pandehura të mos kryejë  vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›