Aksion kundër tregtisë pa standarte sanitare, pezullohen dhjetra biznese
—-Nga Julian Hoxhaj—-
Elbasan- Me ardhjen e stinës së nxehtë të verës shtohen edhe problemet me produktet e mishit, të qumështit dhe produktet e tjera shtazore, të cilat nuk tregtohen brenda kushteve higjeno-sanitare.
Jo pak herë Gazeta IDEA ka denoncuar tregtimi e produkteve shtazore në kushte që nuk përmbushin kriteret e vendosura nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
Edhe në qytetin e Elbasanit këto probleme kanë qenë evidente, ndaj për t’i shmangur, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë masa për parandalimin e shkelësve të ligjit.
Drejtori i këtij institucioni Julian Marku tha se janë ngritur disa grupe pune për inspektimin në terren të subjekteve që tregtojnë produkte shtazore.
Ne kemi ngritur disa grupe pune të cilat po operojnë në të gjithë qarkun. Objekt kontrolli kanë qenë kryesisht subjektet që prodhojnë dhe tregtojnë produkte me orgjinë shtazore si: Mish, sallam, qofte, qumësht dhe nënproduktet e tij, dyqanet e akulloreve etj. Këto janë produktet më të ndjeshme ndaj luhatjes së temperaturave. Përgjatë periudhës janar-qershor janë realizuar 891 kontrolle në subjekte të ndryshme prodhuese dhe tregtuese si dhe janë analizuar 131 monstra pranë Laboratorit Rajonal të Ushqimit të D.R.A.K.U Elbasan. Për tejkalime të afatit të prodhimit si dhe devijim nga treguesit fiziko-kimik dhe bakteriologjik janë bllokuar dhe asgjësuar një sasi e konsiderueshme mallrash,- tha Marku.
Deri tani nga inspektimi janë gjobitur 10 subjekte me një vlerë totale mbi 1 milionë lekë të reja. Gjatë kontrolleve të ushtruara për moszbatim të detyrave të lëna nga ana jonë, janë marrë edhe masa administrative me gjobë dhe pezullim të aktivitetit. Konkretisht janë penalizuar 26 subjekte, ndër të cilat, janë gjobitur 10 subjekte me një vlerë totale prej 1.110.000 lekësh të reja dhe është bërë pezullim i aktivitetit në 16 subjekte,- shtoj Marku
Masat e marra nga kjo drejtori janë shtrirë edhe në inspektimin e zonave turistike ku ushtrojnë aktivitetin e tyre fast-food-e dhe restorante të ndryshme.
Objekt i kontrollit nga ana jonë do të jetë, kushtet higjeno-sanitare të ambienteve dhe të pajisjeve, çertifikatat veterinare për produktet me orgjinë shtazore, çertifikatat e cilësisë për produktet me orgjinë shtazore, afatet e skadencës, higjena personale si dhe librezat shëndetësore të punonjësve,- tha ndër të tjera Julian Marku.
Në fund kreu i AKU Elbasan u bëri thirrje dhe vetë konsumatorëve që të jenë më të kujdesshëm me produktet që ata konsumojnë duke mënjanuar kështu tezgat apo vende ku tregtohen prodhime shtazore jashtë kushteve higjenike si dhe të kontrollojnë datën e skadencës para se ta blejnë një produkt.