Përgënjeshtroj çdo pretendim

TIRANË - Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhërs II, thotë zyrtarisht se do të përgënjeshtrojë letrën e kreut të komisionit hetimor në Kongresin Amerikan, i cili thotë se ambasada e SHBA-ve në Tiranë fshehu origjinën e fishekëve që iu shitën Diverolit për llogari të Pentagonit. Në një deklaratë të bërë publike edhe në faqen e zyrtare të ambasadës amerikane, Xhon Uidhërs thotë, se pasi të përfundojë studimin e letrës, do të përgatisë edhe përgënjeshtrimin. “Ambasadori Uidhërs është në dijeni të pretendimeve të paraqitura në letrën e 23 qershorit nga përfaqësuesi i Kongresit, Henri Ueksmen, drejtuar sekretares së Shtetit, Rais. Ai po studion përmbajtjen e letrës dhe, sapo ta ketë mbaruar këtë, do të përgatisë një përgënjeshtrim të plotë të çfarëdo pretendimesh kundër ambasadës së SHBA-ve apo atij vetë”, - thuhet në njoftimin zyrtar të publikuar dhe në faqen e internetit të ambasadës amerikane. “Siç ka thënë publikisht shumë herë, ambasadori beson në mënyrë të palëkundshme, që një shqyrtim i drejtë i fakteve do të çojë në fund tek e vërteta. Ai e përdor këtë parim në mënyrë të barabartë si ndaj vetes, ashtu edhe ndaj të tjerëve, me dijen absolute që faktet mbi këtë çështje të paraqitura plotësisht do t’i shpërbëjnë cilindo dhe çdo pretendim të ngritur kundër tij, stafit të tij apo qeverisë së tij”, - përfundon deklaratën zyrtare ambasadori Uidhërs, i cili premton se do përgënjeshtrojë letrën e përfaqësuesit të Kongresit, Henri Ueksmen. Vetëm dy ditë më parë, një letër e gjatë e kreut të komisionit hetimor të Kongresit Amerikan, i cili po heton mbi mashtrimin e Pentagonit nga 22-vjeçari Efraim Diveroli, që bleu fishekë të vjetër kinezë nga Shqipëria, hodhi dyshime për implikimin në këtë aferë edhe të ambasadës amerikane në Shqipëri. Sipas kësaj letre, më 19 nëntor 2007, ambasadori amerikan në Shqipëri dhe këshilltarët e tij të ngushtë u takuan me ministrin e Mbrojtjes për të diskutuar sesi t’i përgjigjeshin një kërkese të “New York Times” për të vizituar një vend të caktuar në Shqipëri, ku një kompani amerikane kontraktore për armët po hiqte municionin kinez nga paketimi origjinal, para se ta dërgonte në Afganistan. Major Harrison i marrë në pyetje për këtë çështje, tha për komisionin, se “ambasadori ra dakord se një gjë e tillë do të hiqte dyshimet për atë që po ndodhte”. Duke iu referuar dëshmisë së major Larry Harrison dhënë për Kongresin, rezulton se Mediu tha se këshilla e tij ishte të mos e lejonin gazetarin të vizitonte fabrikën, por këshilla nuk u pranua. Në vend të kësaj, ministri i telefonoi gjeneralit të ushtrisë dhe e urdhëroi atë të hiqte të gjitha kutitë kineze të fishekëve, në mënyrë që gazetari të mos i shihte ato. Sipas majorit Harrison, “ambasadori ra dakord se kjo do të hiqte dyshimet për gabime, nëse kur zoti Wood (gazetari i “New York Times”) të ishte në Rinas, nuk do të kishte kuti kineze municionesh.