E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, arrestohen 6 persona, nën hetim disa ngjarje

ELBASAN Gjatë 24 orëve të fundit, shërbimet e Policisë së Qarkut Elbasan kanë ndërmarrë një sërë operacionesh. Janë dokumentuar disa vepra penale dhe u vunë në pranga disa autorë që kanë konsumuar vepra të ndryshme penale. Kështu janë zbuluar raste vjedhjesh, janë arrestuar 6 shtetas për veprat penale: “vjedhje”, “vjedhje e kryer në bashkëpunim”, “armëmbajtje pa leje”, “kanosje”, “tentativë vrasjeje” etj. Nga Komisariati i Policisë së Gramshit është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit Bajram Boja, i datëlindjes 50 vjeç, banues në fshatin Galigat Gramsh, pasi ky shtetas është autor i vjedhjes së linjës elektrike në këtë fshat. Gjatë kontrollit të ushtruar në kasollen pranë banesës atij iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 30 kg tel bakri. Është arrestuar në flagrancë Klaudio Plaka 29 vjeç, banues në fshatin Gostimë të Elbasanit, pasi ka kundërshtuar dhe fyer punonjësin e policisë së rendit publik. Është bërë i mundur ndalimi i shtetasit Xh.M., 17 vjeç, banues në Cërrik, person i shpallur në kërkim, pasi në bashkëpunim edhe me tre shtetas të tjerë që janë shpallur në kërkim, janë autorë të vjedhjes së një automjeti tip “Benz", në pronësi të shtetasit B.K, banues në Cërrik. Gjithashtu është bërë e mundur kapja e personit të shpallur në kërkim, Florenc Tabaku 23 vjeç, banues në lagjen “28 Nëntori” Elbasan, pasi, ky shtetas akuzohet për veprën penale “vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë”. Shtetasi Florenc Tabaku, në bashkëpunim edhe me tre shtetas të tjerë, të cilët janë kapur më parë nga policia, kanë tentuar të vrasin me arme zjarri tip pistoletë shtetasin K.S. Është bërë i mundur edhe ndalimi i shtetasit Taulant Beti, 27 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “armëmbajtje pa leje”. Është bërë e mundur edhe kapja e personit të shpallur në kërkim, Orient Mehmeti 21 vjeç, banues në Cërrik, pasi ky shtetas para një jave ka kanosur për motive të dobëta me armë zjarri tip pistoletë fqinjin e tij. F.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›