E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kateri i Radës duhet të kthehet në Vlorë

Fati i anijes “Kateri i Radës”, anije e cila u mbyt në kanalin e Otrantos, është bërë sot objekt i një konference për shtyp nga familjarë të viktimave të kësaj tragjedie. Familjarët e tragjedisë së Otrantos thanë se një vrasje e shumëfishtë po ndodh me anijen Kateri i Radës.

“Ajo anije duhet të vijë në brigjet tona. Jo të bëhet biznes dhe të vendoset në qytetin e Otrantos. Nuk e dimë kush fshihet pas kësaj që kjo të bëhet biznes me këtë anije ku humbën njerëzit tanë. Kjo ndodh në një kohë, kur ne jemi në një proces gjyqësor, pas marrjes së premtimeve pafund, pas dëmshpërblimeve tallëse dhe kjo është edhe më e padurueshme. Nuk do të lejojmë që kjo anije të bëhet monument kulture në shtetin italian, në Otrantos. Edhe pse është anije e vdekjes, ajo mbart një histori, atë të 97-ës, si iknin njerëzit atëherë, si vriteshin. I kërkojmë shtetit të na mbrojë nga këta biznesmenë vrasës”, thuhet në deklaratën në emër të familjarëve të viktimave.

Familjarët janë shprehur të irrituar në lidhje me çështjen e anijes, për të cilën thanë se duhet sjellë në Vlorë, pjesë e historisë së cilës ishte dhe jo t’i lihet shtetit që i vrau.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›