E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbi, Tadiç emëron në krye të Ushtrisë gjeneralin që luftoi në Kosovë

 Nënkolonel gjeneral Lubisha Dikoviç, ish-komandant i Brigadës 37 të motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, e cila gjatë vitit 1999 kishte vepruar në Drenicë, është emëruar të hënën shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe. Lajmin e bën të ditur e përditshmja kosovare Koha Ditore, e cila i referohet agjencisë së lajmeve FoNet. Sipas saj, Dikoviç është emëruar në këtë post nga vetë presidenti serb, Boris Tadiç.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, e ka emëruar sot Lubisha Dikoviçin shef të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, bën të ditur agjencia.
Për luftën e zhvilluar në Kosovë, ku u vranë mbi 10 mijë shqiptarë dhe u zhdukën shumë të tjerë, Dikoviç ishte shpërblyer edhe nga ish-presidenti Slobodan Milosheviç. Ai së bashku me katër komandantë të tjerë që luftuan në Kosovë ishin dekoruar me  Urdhrin e lirisë, Urdhrin e heroit kombëtar, Urdhrin e flamurit jugosllav dhe Urdhrin e flamurit të luftës të shkallës së parë.
Emërimi i tij në këtë post, sipas kryetarit të KMDLNJ-së, Behxhet Shala, është një dëshmi se shteti serb vazhdon ti shpërblejë kriminelët, të cilët vranë e masakruan në Kosovë, shkruan më tej Koha Ditore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›