Katet e para kthehen në dyqane, banorët të frikësuar
Tragjedia e ndodhur në Gjirokastër ka shkaktuar panik tek qytetarët e Tiranës. Ata i kërkojnë bashkisë të verifikojë punimet në ndërtesat ku janë bërë shtesa pa leje, si dhe ku katet e para janë kthyer në dyqane.
TIRANE-Ndërhyrja në strukturat e pallateve duke bërë shtesa pa leje por edhe duke i kthyer katet e para në dyqane e lokale, pas tragjedisë që ka ndodhur në Gjirokastër, ka shkaktuar panik edhe tek qytetarët e Tiranës. Çdo kat i parë në pallatet e kryeqytetit apo edhe bodrumet e tyre, janë kthyer në dyqane të llojeve të ndryshme. Por shpeshherë, për të krijuar më shumë hapësira, ndërhyjnë në muret mbajtëse duke vënë në rrezik strukturën e gjithë pallatit. Sipas specialistëve, muret mbajtëse në themel shërbejnë për të shpërndarë peshën e gjithë godinës dhe një ndërhyrje në to do të sillte shembje të pallateve. Për çdo ndërhyrje është e nevojshme që të jenë të pranishëm edhe specialistë të fushës së ndërtimit.
Banorët
Frika e kryeqytetasve në lidhje me këtë çështje është e dukshme. Sipas tyre, sa herë që janë bërë punime në katet e para ku dhe prisheshin muret, në shtëpitë e tyre ka pasur lëkundje. “Normalisht që është frikë. Kur hyrja poshtë apartamentit tim po kthehej në një lokal, sa herë që punohej, na lëkundej shtëpia. Madje kemi pasur dhe disa çarje të vogla në mure”, - tregon Nebiu, i cili banon në pallatet anës Unazës në rrugën “Jordan Misja”. Ndaj, banorët e Tiranës kërkojnë nga Bashkia që të verifikojë ndërhyrjet e deritanishme në çdo pallat.
Tjetërsimi
I apartamenteve të kateve të para por shpeshherë edhe i bodrumeve të pallateve, ka shkaktuar ankth te banorët e kryeqytetit. Këta të fundit kanë frikë për ndonjë shembje të mundshme të pallateve ku jetojnë. Normalisht që ndërhyrjet në mënyrë të jashtëligjshme por edhe në mungesë të specialistëve të fushës, mund të shkaktojnë katastrofa të pashmangshme. Në rast se shemben muret mbajtëse, pasojat nuk vijnë menjëherë, por në mënyrë të ngadaltë fillon çarja e mureve deri në shembje të godinës. Sipas specialistëve, kjo gjë varet nga themelet se sa të zhytura janë në tokë, normalisht edhe nga lloji i dheut. Në Tiranë, çdo bodrum, kat i parë, por ka raste dhe katet e dyta, janë tjetërsuar duke u kthyer në subjekte tregtare. Ndërkohë që veç ndryshimit të funksioneve të tyre, në shumë pallate janë bërë dhe shtesa pa leje, të cilat rrezikojnë fatet e shumë ndërtesave. Sipas rregullores, ndërhyrjet në muret mbajtëse mund të bëhen, por gjithmonë sipas një kriteri të caktuar. Muri prishet pjesë-pjesë me segmente dhe menjëherë sapo prishet një segment, aplikohet menjëherë rindërtimi, dhe prishja e segmentit tjetër bëhet atëherë kur segmenti i rindërtuar është forcuar dhe ka fituar vetitë mbajtëse. Pothuajse në 90% të rasteve, pallatet e vjetra themelet i kanë me mure masive mbajtëse dhe gërmimi nga brenda bën që të ulet lartësia e zhytjes së themelit dhe ul aftësinë mbajtëse. Ndarjet midis dhomave në katet e para janë mure mbajtëse jo ndarëse, që variojnë nga 38 cm deri në 45 cm. Heqja e këtyre mureve pa kriter për efekt shtimin e sipërfaqes, bën të ulet ndjeshëm aftësia mbajtëse e objektit. Në ndërtimet e reja gërmimi i sheshit të ndërtimit në 100% të sipërfaqes së miratuar, duke mos respektuar koeficientin e shfrytëzimit, bën që të rrezikojnë objektet që ndodhen rreth këtij sheshi.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)