Damir Fazliç, akuza kërkon hetim në Qipro
Prokuroria e Përgjithshme, nëpërmjet një letër-porosie do të kërkojë të dhëna për firmën "Altaria Research Limited", së cilës Damir Fazliç dyshohet se i ka shitur me një vlerë marramendëse prej 1.7 milionë eurosh shoqërinë "Crown Acquisitions sh.p.k".
TIRANE- Hetimet për serbo- boshnjakun Damir Fazliç, që dyshohet për pastrim parash në Shqipëri, do të shtrihen dhe përtej kufijve. Nëpërmjet një letër-porosie, Prokuroria e Përgjithshme do t'u kërkojë autoriteteve qipriote informacion të detajuar për firmën "Altaria Research Limited", së cilës Damir Fazliç dyshohet se i ka shitur me një vlerë marramendëse prej 1.7 milionë eurosh shoqërinë "Crown Acquisitions sh.p.k". Lajmin e konfirmojnë burime zyrtare të organit qendror të akuzës, të cilat pohojnë se do të kërkohet informacion për statusin që ka kjo shoqëri, bashkaksionerët, veprimtarinë e saj, nëse është e rregullt në pagesën e taksave, etj. Biznesmeni Damir Fazliç ka deklaruar se kompaninë "Crown Acquisitions sh.p.k" ia ka shitur vetes së tij, e konkretisht "Altaria Research Limited". Por një fakt i tillë do të vërtetohet vetëm pasi autoritetet qipriote t'i përgjigjen letër-porosisë së Prokurorisë së Përgjithshme.
Hetimet
Dyshimet e forta se Damir Fazliç ka kryer pastrim parash, kanë detyruar prokurorinë shqiptare të kthejë sytë nga Qipro, shtet në të cilin ka qendrën "Altaria Research Limited", që është blerëse e kompanisë "Crown Acquisitions sh.p.k", të themeluar nga biznesmeni, këtu në Shqipëri. Prokuroria e Përgjithshme do t'u drejtohet autoriteteve qipriote me një letër-porosi, ku do t'u kërkohet informacion për kompaninë "Altaria Research Limited". Shitja e kompanisë "Crown Acquisitions sh.p.k", me një vlerë prej 1.7 milionë eurosh kompanisë "Altaria Research Limited", po në emër të Fazliç, përben sipas prokurorisë provën më të fortë që serbo-boshnjaku ka bërë pastrim parash në Shqipëri. Deri më tani, në kuadër të hetimeve ndaj biznesmenit serbo-boshnjak që përflitet për lidhje të shumta me politikanë shqiptarë, prokuroria ka kryer një sërë veprimesh hetimore. Dy ditë pas nisjes së hetimeve, prokuroria ka vënë sekuestron mbi të gjitha pronat e pasuritë e Fazliç, e konkretisht mbi tetë shoqëri tregtare, si dhe dy sipërfaqe të mëdha toke në Porto-Romano dhe në fshatin Rinia, në veri të Durrësit. Në dosjen e prokurorisë gjenden tashmë dhe përgjigjet e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave dhe Doganave.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)