Miratohet në KRRT master plani për Parkun Energjetik
KRRT e qarkut të Durrësit miratoi dje master-planin e Parkut Energjetik. Brenda një afati kohor 3-mujor, master-plani do t'i paraqitet KRRTRSH-së, e cila do t'i vërë vulën e fundit miratimit të tij.
DURRES Pas miratimit që i dha komuna e Katundit të Ri për ngritjen e Parkut Energjetik, dje ishte KRRT-ja e Qarkut të Durrësit që i dha "OK" master-planit të këtij parku. Brenda një afati kohor 3-mujor, master-plani do t'i paraqitet KRRTRSH-së, e cila do t'i vërë vulën e fundit miratimit të tij. Po dje, KRRT-ja e Qarkut të Durrësit miratoi edhe lejen për realizimin e punimeve civile nga ana OST-së për ndërtimin e linjës 400 kw Tiranë-Podgoricë, një pjesë e së cilës kalon nëpër territorin e Durrësit.
PARKU
Dje, pranë KRRT-së së Qarkut u paraqit master-plani i Parkut Energjetik, i cili është përgatitur nga Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës, Ministria e Financave si dhe Universiteti Politeknik. Ky material përmban sipërfaqen ku do të ndërtohet parku, impaktet ekonomike si dhe studimin mjedisor të territorit. Parku do të ndërtohet në territorin e Komunës së Katundit të Ri. Në mbledhje u tha se grupi i punës kishte marrë në studim një sipërfaqe toke prej 1367 ha. Ajo përbëhej nga 1166 ha tokë bujqësore, 45 ha janë pyll me bimësi të ulët, 144 ha tokë ligatinë. Prej tyre u përzgjodhën 810 ha për ndërtimin e Parkut Energjetik. Në këtë sipërfaqe është parashikuar që ndërtimet e objekteve energjetike të zënë një sipërfaqe prej 715 hektarësh. Dy javë më pare, ky studim kishte marrë edhe miratimin e banorëve të komunës. Sipërfaqja është klasifikuar si tokë bujqësore dhe është ndarë me ligjin 7501. Nesër do të jetë shteti ai që do të negociojë mes pronarëve të tokës dhe kompanive, duke mundësuar në këtë mënyrë realizimin e transaksioneve mes tyre. Master-plani, u tha në mbledhjen e djeshme, nuk merr përsipër të japë sqarime për ndërtimin e veprave pasi ato do të kalojnë në procedurë një më një dhe kjo i përket një faze tjetër të projektit. Por fillimisht, sipërfaqja në fjalë do të transformohet ligjërisht në tokë truall, ashtu sikurse e përmban edhe ligji.
LINJA 400 KW
Po dje, KRRT-ja e Qarkut të Durrësit miratoi kërkesën për leje ndërtimi të depozituar nga OST-ja për projektin e linjës 400 kw Tiranë-Podgoricë për pjesën që përshkon territorin e Durrësit. Ky është një projekt me vlerë 48 milionë euro, të cilat janë siguruar nga Banka Gjermane KFW. Projekti parashikon që të garantojë furnizim me energji elektrike në mënyrë të ndërsjellë ndërmjet vendit tonë dhe Malit të Zi. Vlera e punimeve në pjesën e Durrësit arrin në 2,1 milionë euro.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)