Katet pa leje, Olldashi padi kreut e bashkisë Durrës. Reagon Dako
TIRANË- Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi ka deklaruar sot se Inspektoriati Kombëtar i Ndërtimit ka paditur kreun e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.
Sipas Olldashit, Dako akuzohet se nuk ka zbatuar vendimin e KRRT së Durrësit duke lejuar ndërtimin e një pallati 21-katësh, që kishte leje ndërtimi vetëm për 12 kate.
"Pallati ka 9 kate mbi lejen e ndërtimit. Pallati sot ka mbetur me 21 kate ndërkohë që leja fillestare e dhënë në vitin 2001 nga ish- kryetari i Bashkisë të Durrësit Miri Hoti ka qënë fillimisht për 12 kate, më pas me një shtesë mbi lejen në vitin 2203 janë akorduar dhe 2 kate të tjera ndërkohë ndërtuesi ka shtuar mbi 12 katet tashmë të shirita ku banojnë familje, ka shtuar 7 kate të tjera", tha Olldashi gjatë një konference për mediat.
Ai e ka akuzuar Dakon se nuk zbaton vendimin e KRRT-së për shembjen e kateve që janë ngritur në kundërshtim me lejen e dhënë, ndërkohë që ka vënë edhe alarmin për rrezikshmërinë e pallatit, brenda të cilit ka familje. Ai ka shtuar më tej se banorët duhet të evakuohen dhe të nisë puna për prishjen e kateve të tepërta.
Reagon Dako
Ka reaguar menjëherë kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, sipas të cilit firma përkatëse është paditur në prokurori për shkeljen e lejes.
Gjatë një konference, Dako ka sqaruar se firma përkatëse që ka ndërtuar pallatin në fjalë është paditur në Prokurori, e cila tashmë ka regjistruar procedimin penal ndaj firmës. Nga ana tjetër, sipas Dakos forma është gjobitur edhe me 10 milionë lekë për shkeljen e lejes.
Ai ka sqaruar se nuk është neglizhuar vendimi për shembjen e kateve shtesë, por për këtë më parë këshilli Bashkiak i Durrësit duhet të miratojë shumën që nevojitet për të ndërhyrë në këtë ndërtesë. Sipas tij, sapo të zyrtarizohet kjo, do të nisë edhe ndërhyrja.