E Diel, 1 Nëntor 2026

Subvencionim për nxënësit që nuk mësojnë pranë vendbanimit

Projektligji

“Projektligji për arsimin parauniversitar shqiptar” që pritet të zbatohet gjatë vitit të ardhshëm shkollor, ndër të tjera synon të hartojë programe të posaçme për fëmijët shqiptarë jashtë vendit, për ata me nevoja të veçanta si dhe të zbatojë me rigorozitet mënyrën e shpërndarjes së fondeve për këto institucione, qofshin private apo publike.

Në bashkëpunim me përfaqësitë e Republikës së Shqipërisë jashtë vendit dhe struktura të tjera shtetërore, ministria, në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare dhe legjislacionin shqiptar, do të organizojë dhe mbështesë zbatimin e programeve të posaçme për mësimin e gjuhës shqipe dhe njohjen e trashëgimisë kulturore për personat me kombësi shqiptare, por që jetojnë jashtë territorit të saj. Në projektligj sqarohet se, programet për fëmijët shqiptarë jashtë vendit rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në të parashikohet një tjetër pikë e rëndësishme, që ka të bëjë drejtpërdrejt me gjuhën e arsimimit për pakicat kombëtare.

“Personave që u përkasin pakicave kombëtare u krijohen mundësi të mësojnë në gjuhën amtare, të mësojnë historinë dhe kulturën e tyre brenda kuadrit të planeve dhe programeve mësimore. Për të mundësuar një pjesëmarrje aktive dhe të barabartë në jetën ekonomike, shoqërore, politike e kulturore të Republikës së Shqipërisë, shteti krijon kushte që personat e pakicave kombëtare të moshës shkollore të mësojnë gjuhën shqipe, historinë dhe kulturën shqiptare”, - thuhet në projektligj.

Burime nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës pohojnë se projektligji thekson edhe një tjetër aspekt thelbësor të arsimimit, që është ai i zhvilluar në kushtet e shtëpisë dhe në institucione joshkollore. Sipas tij, prindërit kanë të drejtë që fëmija i tyre të arsimohet në kushtet e shtëpisë, nëpërmjet kushteve të veçanta dhe procedurave specifike që përcakton ministri i Arsimit për të gjitha klasat e arsimit të detyruar ose vetëm për disa prej tyre.

Ndonëse për disa kjo praktikë pune mund të duket joefiçente, përfaqësuesit e MASH-it thonë se kjo praktikë pune do të ndiqet në mënyrë rigoroze dhe me shumë seriozitet. Madje, ata pohojnë se edhe për këta fëmijë do të ketë vlerësim, njësoj si bashkëmoshatarët e tyre që mësojnë në institucionet zyrtare të arsimit parauniversitar. Vlerësimi i arritjeve të tyre do të kryhet në fund të çdo viti shkollor nga institucioni arsimor ku nxënësi është regjistruar, ndonëse ai është joshkollor.

Sipas kritereve të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave, në rrethana të veçanta, nxënësve dhe punonjësve të shkollave publike u sigurohet dhe u subvencionohet transporti për në shkollë dhe nga shkolla për në vendbanim. “Shteti siguron konvikte për nxënësit e arsimit të mesëm me kohë të plotë, të cilëve nuk u është mundësuar ta ndjekin atë pranë vendbanimit të tyre. Shpenzimet për qëndrimin në konvikt përballohen nga shteti ose nga vetë individi, sipas kritereve të përcaktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›