E Diel, 1 Nëntor 2026

Katastrofa nuk përballohet me “kapriçio politike”

SITUATA VAZHDON TË JETË E RËNDË, AJO DUHET TRAJTUAR SI EMERGJENTE DHE JO TË “SHNDËRROHET NË NORMALE”

Situata e përmbytjeve në Shkodër dhe rrethinat e gjera të saj, vazhdon të jetë e rëndë. Ajo duhet trajtuar si emergjente dhe jo të shndërrohet “në normalitet” përmbytjeje, siç vërehen disa tendenca... Ndryshe pasojat dhe kostoja do të jetë më e rëndë. Në vështrimin e parë, referuar njoftimeve që vijnë nga zonat e përmbytura në Shkodër dhe në rajone të tjera, duket se po shfaqet optimizmi i rikthimit në qetësinë e mëparshme. Ka nisur ulja e nivelit të ujërave, për “çlirimin e 3-4 mijë hektarëve tokë nga uji” (ndërkohë që gati 11 mijë hektarë të tjerë vazhdojnë të jenë të përmbytura). Duket se u ndërpre evakuimi masiv i banorëve, sikundër vijon qarkullimi i automjeteve apo në ato pjesë ku ende uji ka mbetur, qarkullimi me “varka tashmë të pajisura me targa” po disiplinohet etj. Dukshëm ka njëfarë përmirësimi, ku padyshim roli i organeve të ngarkuara, veçanërisht atyre të ushtrisë dhe solidariteti qytetar nuk mund të mos përshëndeten. Mirëpo gjendja për shkak të pasojave, vazhdon të jetë tepër e vështirë. Situata është tërësisht nën një gjendje emergjente. E tillë do të vazhdojë të mbetet për një kohë. Kjo jo vetëm se parashikimet për një përkeqësim dhe ftohje të motit në ditët e ardhshme dihen (jemi ende pa filluar stina e dimrit) por edhe sepse tashmë pasojat e kësaj krize po bëhen evidente.

Faza emergjente e kësaj katastrofe përmbytjeje nuk mund të konsiderohet e kapërcyer. Përkundrazi, veprimi në emergjencë sapo ka filluar, sa kohë do të duhet që: Në shumë raste evakuimi do të duhet të vazhdojë; banorët kanë nevojë për furnizim të vazhdueshëm me mallra ushqimore, ujë të pijshëm, energji elektrike, medikamente etj. E gjithë zona ka nevojë për kthimin në normalitet të veprimtarisë së institucioneve të qeverisjes vendore dhe veçanërisht atyre të shërbimeve ndaj qytetarëve si shkollat, kopshtet e çerdhet, institucionet e shërbimit shëndetësor. Një ndihmë e menjëhershme duhet të jepet për rehabilitimin e banesave, fillimisht atyre të dëmtuara më pak. Infrastruktura rrugore e veçanërisht ajo e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha, pastrimi e meremetimet janë shumë të domosdoshme. Funksionimi normal i tregjeve (pa spekulime - dhe këtu duhet të fillojë të ushtrohet kontroll nga organet fiskale). Ndihma dhe shërbimi veteriner për zonat ku gjëja e gjallë (blegtoria) është goditur e dëmtuar rëndë, (rreziku i epidemive). Rivendosja e plotë e rregullit, rendit e sigurisë etj. Pra do të ishte një spekulim i panevojshëm, pse jo i dëmshëm dhe në shtim të pasojave çdo trajtim tjetër dhe ndryshe i kësaj situate, po të mbajmë parasysh, se ka tendenca për ta shndërruar në “normalitet”, për ta trajtuar si një situatë që “tani ndodhi”, “ja ne po i bëjmë të gjitha” etj. Situata ishte dhe është emergjente dhe si e tillë duhet vazhduar e trajtuar. Çdo mundësi mbështetëse në të gjitha drejtimet, përfshi dhe rialokimet e buxhetit të mbetur të këtij fundviti të vështirë e tejet të rënduar ekonomik, financiar e social, për të cilat mund të jetë i nevojshëm nxjerrja dhe miratimi i një Akti Normativ për buxhetin e vitit 2010, do t’i shërbente më shumë dhe më mirë kësaj situate. Padyshim që vazhdimi i solidaritetit qytetar dhe i kontributit të biznesit ishte dhe mbetet i vyer dhe i domosdoshëm.

NDRYSHIMET E BUXHETIT 2011 TË SJELLIN ZGJIDHJE TË PLOTË TË SITUATËS DHE TË “SHESHOJNË DISPROPOCIONET TERRITORIALE TË ZHVILLIMIT”

Situata që po krijon kjo katastrofë përmbytjesh, kërkon një vizion të ri e të gjerë trajtimi. Është fjala për një vizion kompleks, ekonomik e teknik, financiar dhe ekologjik, menaxhues e veprues që të ofrojë një zgjidhje të përgjithshme dhe të përhershme dhe jo një “mballomë” për t’ia “hedhur dhe këtë dimër dhe këtë radhë”... (Kujtojmë se vetëm dje, u miratua marrëveshja për klimën në Kankun, për krijimin e një “Fondi të gjelbër” prej 100 miliardë dollarësh për vendet në zhvillim, si dhe masa të tjera që kanë si qëllim përmirësimin e mekanizmave, të cilat do të lejojnë vendet në zhvillim të përshtaten më mirë me ndryshimet klimaterike).

Pasojat dhe kostot e kësaj katastrofe janë me efekte prapavepruese. Ato në ditët dhe muajt në vazhdim do të jenë më evidente dhe do të vlerësohen. Ftohja e kohës, mjegulla apo reshjet e shiut dhe të dëborës që priten në këtë dimër, nuk mund të shndërrohen në perde për koston dhe faturën financiare të kësaj katastrofe. Kjo ngjarje është një shembull dhe përvojë për të qenë syçelët, por edhe “prognozues”, “evidentues” por dhe “veprues”, “refraktarë” dhe “jo kapriçiozë”. Përmbytjet nga katastrofa e këtyre përmasave, kur ato pleksen dhe me politika menaxhuese të munguara, nuk mund të përballohen me “kapriçio politike”. Kësisoj konsiderimi i mendimit dhe ekspertizës profesionale dhe shkencore (thuajse i papërfillur), reflektimi për ndryshime të skenarit të buxhetit 2011 të porsamiratuar, konsiderimi i propozimeve të bëra nga opozita për ndryshime dhe riorientim të fondeve në ndihmë të zonave të përmbytura, do të ndihmonte më shumë për një zgjidhje tërësore dhe jo të çastit të kësaj situate. Njëherësh, ndryshimet e këtij buxheti do të “rrafshonin” më tej disa disproporcione territorialo-elektorale, që ai mund të krijojë në vitin 2011. Që buxheti i vitit 2011 do të ndryshojë, kjo tashmë duket e sigurt, problemi është që ato të bëhen në kohë dhe efekti të jetë maksimal dhe financat publike të mbeten në kontroll.

NA PRET NJË VIT MË I VESHTIRË EKONOMIK, FINANCIAR DHE SOCIAL

Janë shumë faktorë që na bëjnë të mendojmë dhe të japim një opinion jo të këndshëm, përkundrazi me shtim të vështirësive dhe rëndim të mëtejshëm të gjendjes së pritshme ekonomike, financiare dhe sociale në vend, në vitin që pritet të futemi. Vendi vazhdon të jetë i mbërthyer nga kriza politike, gati dyvjeçare, e cila është me pasoja jo vetëm në mosfunksionimin normal të institucioneve qeverisëse dhe atyre të zgjedhura (Kuvendi, këshillat e zgjedhur të organeve vendore) etj., por edhe me ndikim të dukshëm negativ në ekonomi (në ciklin e biznesit). Ky do të jetë një vit elektoral, me ngarkesë të shtuar politike dhe të krizës politike, nga e cila ekonomia dhe financat, çështjet sociale dhe jeta e qytetarit nuk duket se do të kenë përmirësim, përkundrazi. Nga ky vit, për vitin e ri që po troket, po trashëgojmë një gjendje të rënduar të ekonomisë, një tronditje të thellë të financave publike edhe për shkak të mungesës së politikave efikase të menaxhimit të borxhit publik dhe të deficitit buxhetor në dy vitet e fundit. Për më tepër, vendosja e kontrollit mbi këtë situatë jo vetëm që do të vështirësojë gjenerimin e rritjes ekonomike, por mund të shoqërohet me zhvlerësim të monedhës kombëtare, Lekut, në masën 20-30%, në dy-tre vitet e ardhshme. (Studim i Ministrisë së Financave). Kjo jo vetëm që mund të shkaktojë tronditje të qëndrueshmërisë ekonomike, por njëherësh do të godasë dhe rëndojë buxhetet familjare dhe do të përkeqësojë gjendjen sociale të qytetarëve.

Efektet e krizës ekonomike globale dhe veçanërisht ato të Eurozonës, duket se do të vazhdojnë të bëjnë presion dhe të ndikojnë ende, negativisht edhe në vitin 2011, mbi ekonominë tonë. Pasojat, humane, ekonomike dhe kostoja financiare e katastrofës së përmbytjeve të këtij fundviti janë një kosto e shtuar për situatën e vitit të ardhshëm. Për më tepër, pleksja dhe ndërthurja e këtyre faktorëve po e vështirëson dhe do ta thellojë më tej gjendjen e pritshme në vitin 2011. Kësisoj, druaj se jemi përballë zhvillimeve të shpejta dhe vendi kërkon zgjidhje politike (për zgjidhjen e krizës politike), elektorale (për zgjedhjet lokale të 2011-s, të cilat duket se po marrin më shumë prirje drejt zgjedhjeve me karakter politik), dhe ekonomike, financiare dhe sociale, që kërkojnë një vizion-model të ri zhvillimi, për t’i dhënë shtysën e fortë “trenit të tranzicionit, i cili ka stopuar në stacionin e tij të fundit”, drejt përballjes me sfidat e reja të zhvillimit dhe të integrimit të vendit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›