Përse fëmijët finlandezë janë të parët e klasës në Europë?
Nxënësit finlandezë kanë dalë edhe njëherë më të fortët në mësime në krahasim me pjesën tjetër europiane dhe madje më të mirët edhe krahasueshmërisht me një pjesë të madhe të vendeve të botës.
Finlanda renditet e dyta në një listë ndërkombëtare nga një sondazh i bërë në vitin 2009, i cili kryhet një herë në tre vjet në 39 vendet anëtare të OSBE-së. Ndërsa në një listë edhe më të zgjeruar, Finlanda renditet e treta në botë për nga cilësia e mësimdhënies, e mundur vetëm nga Shangai në Kinë dhe Koreja, të cilat kanë nxënës më të përgatitur në shkencat ekzakte.
Finlanda, në fakt, nuk është një histori e re suksesi. Një performancë të tillë ajo ka pasur gjatë gjithë dhjetëvjeçarit të fundit dhe madje shumë shtete po e studiojnë këtë fenomen dhe po përpiqen që të nxjerrin mësimet e duhura për t’i zbatuar në përmirësimin e sistemit arsimor të tyre. Po çfarë e bën këtë vend që të jetë në avangardë të një procesi që ka të bëjë shumë me ardhmërinë e vendit, duke qenë se bëhet fjala për arsimin e brezit të ri?
Sipas studimit, suksesi aktual i Finlandës ka të bëjë me përmirësimin e vazhdueshëm dhe të pandërprerë të sistemit shkollor, që është në një nga sistemet më “të pandashëm” në botë. Parimi i përfshirjes merret shumë seriozisht edhe para se fëmijët të jenë të gatshëm për të kryer sistemin e detyrueshëm shkollor që fillon në moshën 7-vjeçare. Të gjitha bashkitë dhe minibashkitë e vendit janë të detyruara që të krijojnë një kujdes të përditshëm për fëmijët dhe shumë fëmijë shkojnë në çerdhe dhe kopshte që ofrojnë edhe ushqimet, edhe edukimin thuajse falas duke u bërë prindërve kështu një shërbim shumë të madh dhe nga ana tjetër duke u dhënë një edukim shumë cilësor të miturve për t’i përgatitur për fazat e ardhshme të arsimit. Që nga viti 2001, të gjithë fëmijët 6-vjeçarë kanë të drejtën e një shkollimi parashkollor.
Shkollat shtetërore nuk janë selektive dhe secilit nxënës dhe student më pas i sigurohet një vend studimi në afërsi të banesës dhe shkollimi është thuajse falas, me ndonjë çmim simbolik që u paguhet shkollave. Kjo përfshin mësimdhënien, materialet dhe librat mësimorë, ushqimin e shkollës, kujdesin shëndetësor, nevoja të veçanta shkollimi që mund të kenë nxënësit, si dhe vetë transportin në rastet e zonave rurale.
Në Finlandë ka shumë pak shkolla që janë vetëm me një gjini dhe të gjithë fëmijët, përfshi ata me probleme të mëdha në aftësim dhe mësim, kalojnë në të njëjtin program mësimor bazë. Shkollat marrin gjithashtu masa për të parandaluar lënien apo braktisjen e shkollës nga nxënës të caktuar dhe janë të gjitha institucione që kanë punësuar një sërë psikologësh shumë të specializuar për problemet e fëmijëve të moshës së hershme. Të gjitha sondazhet që janë bërë këto vitet e fundit tregojnë se gjithë kjo punë që ka bërë Finlanda ia ka vlejtur shumë dhe ka pasur mjaft rezultat. Edhe pse në këtë vend ka ende pabarazi gjinore, vajzat ia kanë dalë mbanë dukshëm më mirë në lëndët shkencore. Në të gjitha shkollat e vendit, pavarësisht nëse janë në kryeqytet, qytete periferike apo fshatra, programet mësimore dhe personale janë të njëjta dhe kanë të njëjtin kualifikim. Ajo çka është thelbësore, është se bekgraundi social-ekonomik i fëmijëve nuk ka ndonjë rëndësi, apo ndikim shumë të madh në performancën e tyre dhe kjo është diçka e përbashkët që vihet re në të gjitha vendet skandinave dhe madje edhe ato baltike. Ajo ku sistemi ka pasur me të vërtetë shumë sukses, është që të çojë në një nivel shumë të përparuar fëmijët që vijnë nga familje të varfra, të cilat kanë të njëjtin trajtim me fëmijët e tjerë. “Forca e shkollimit finlandez është se nxënësit më pak të suksesshëm kanë një nivel më të lartë aftësish se ato të vendeve të tjera, ndaj të cilave janë kryer sondazhet”, thotë një drejtor i arsimit në Finlandë. Për sa u përket nxënësve më të mirë në Finlandë, ata ua kanë kaluar dukshëm moshatarëve të tyre në vende të tjera të Europës si në shkenca, ashtu edhe në lëndët shoqërore. Madje, ata janë renditur të dytët në kontinent, përveç nxënësve zviceranë që janë më të mirë në lëndën e matematikës.
“Po t’i kushtosh vëmendje të veçantë përmirësimit të nxënësve të dobët, e rrit shumë cilësinë e mësimdhënies dhe performancën mesatare të klasës dhe kjo ka një ndikim shumë të mirë edhe te nxënësit mesatarë dhe ata me arritje të shkëlqyera në mësime. Mbi të gjitha është shumë e rëndësishme që nxënësve t’u jepet kultura e të ndihmuarit të njëri-tjetrit dhe jo ajo e të qenët egoist e të menduarit vetëm për arritjen personale”, thotë një mësues i kualifikuar finlandez. Vende që kanë një sistem arsimor si Finlanda kombinojnë një cilësi shumë të lartë të mësimdhënies me barazinë e saj, pra me idenë që të gjithëve, pavarësisht performancës, t’u jepet e njëjta cilësi mësimdhënieje dhe mbështetjeje. Kjo është një demonstrim i të shkuarit bashkë të barazisë me performancën e lartë. Finlanda është kaq e suksesshme sa ka arritur që të frymëzojë shumë edhe institucione të tjera ndërkombëtare dhe sisteme arsimi në të gjithë botën. Qindra mësues nga e gjithë bota kanë vizituar Helsinkin si “turistë shkollorë”, për të parë se cilat nga idetë e shkëlqyera të këtij vendi mund të “eksportojnë” në sistemin e tyre arsimor për të parë të njëjtat arritje edhe në vende që janë problematike për sa i përket kryesisht arsimimit të brezit të ri. Kjo ka të bëjë më shumë me “eksportimin” e kurrikulave për fëmijët e klasës së parë, apo të fillores. Në këtë pjesë të arsimimit të fëmijëve, përveç Finlandës, një cilësi dhe arritje shumë të mirë ka edhe sistemi gjerman i shkollës.
Por ka disa aspekte të sistemit arsimor të Finlandës, të cilat është e vështirë që t’i çosh jashtë vendit. Fakti për shembull që të rinjtë janë në kontakt me çështjet më të rëndësishme aktuale të vendit mund të jetë një nga arsyet që fëmijët finlandezë kanë pikë shumë të larta në lexim, apo në shkencat utilitare. Kështu, sipas sondazheve, 85% e nxënësve lexojnë gazetat disa herë në muaj. Rezulatet e sondazhit të OSBE-së reagojnë qartë se të rinjtë, të cilët lexojnë për kënaqësi, dalin shumë më mirë në testet e shkrimit.
Është thelbësor dhe një nder i madh që të jesh mësues në Finlandë. Për të mësuar në shkollat fillore duhet që të kesh një kualifikim jashtëzakonisht të madh dhe mbi të gjitha një përvojë të gjatë pune me fëmijët parashkollorë. Nuk ka mësues të fillores që të lejohet të japë mësim pa marrë një master, pra pa studiuar për lëndën që jep dhe mësimdhënien bashkë për 5 vjet. Profesioni më popullor për të rinjtë në Finlandë është mësuesi i fillores, por vetëm një pjesë shumë e vogël e kërkesave pranohen. Dhe më pas çdo vit ka trajnime, kurse për përmirësimin e njohurive të mësuesve dhe të metodave të tyre të mësimdhënies. Ajo çka është e veçantë, është se sistemi finlandez i mësimdhënies bazohet në besim. Kështu, popullsia i beson mësuesit, sepse janë ata që u japin formë jetës së fëmijëve të tyre dhe si pasojë mësuesit besojnë fëmijët dhe fëmijët besojnë, nga ana tjetër, mësuesit. Pavarësia e mësuesit është shumë e madhe dhe një gjë e shenjtë, ndërkohë edhe kontrolli ndaj tyre është i madh. Në shoqërinë finlandeze statusi i mësuesit është një nga më të lartët dhe ky është përveçse një profesion shumë i paguar edhe i nderuar dhe me status.
ParatëMësuesit duhet që të fitojnë një pagë më të mirë në të gjitha vendet e botës dhe kjo të reflektojë edhe në nivelin e shkollimit dhe aftësisë së mësimdhënies së tyre. Çështjet financiare në shumë vende bëhet pengesë që elementët me të vërtetë të aftë në këtë drejtim të largohen nga kjo detyrë për shkak të fitimit shumë të pakët financiar. Dhe si pasojë, në mësimdhënie futen elementë jo cilësorë, në më të mirën e rasteve dhe në më të keqen elementë abuzues që e shohin këtë post vetëm për përfitime personale të çfarëdolloj. Në këtë mënyrë shtrembërohen shumë ata që nesër do të jenë e ardhmja e vendit. Një nga sukseset e Finlandës është se pavarësisht se për shkollat janë përgjegjëse bashkitë, edhe pushteti qendror, pra qeveria dhe Ministria e Arsimit, në mënyrë të vazhdueshme jep një ndihmesë të madhe financiare për mësuesit personalisht dhe për stimulimin e tyre financiar.
Megjithatë, nga një tjetër këndvështrim mund të themi se Finlanda është një vend me një ekonomi shumë të zhvilluar, një vend relativisht i pasur dhe me një standard të lartë jetese dhe pjesë e këtij standardi është edhe niveli i lartë i shkollimit dhe financimi i mirë i mësuesve dhe shkollave.
Një tjetër lehtësi është edhe fakti që Finlanda ka 600 mijë nxënës që ndjekin 4000 shkolla dhe këto shifra janë plotësisht të menaxhueshme se sa në një vend që ka një numër popullsie shumë më të madh dhe si pasojë vështirësi menaxhimi. Por, ndërsa në vende të tjera reformat janë bërë me hapa të shpejtë dhe jo gjithmonë në mënyrë të vazhdueshme, në Finlandë gjithçka është bërë gradualisht përgjatë shumë e shumë vitesh në mënyrë shumë këmbëngulëse dhe me një plan e vizion të qartë. Ata kanë gëzuar një mbështetje të plotë financiare nga ana e qeverive dhe janë të ndërthurura edhe me mendësinë që ka populli për vetë arsimin dhe kulturën në ardhmërinë e fëmijëve.