Kathering në Teatër
Kur po kërcisnin pjatat, shfaqja ishte në kulmin e saj (edhe pse nuk kishte një të tillë), si orar. Për një orë dalja nga salla ishte më shumë si tërheqje prej hunde, nuhatje ere, parfum gjellërash, të një shijeje që priste mu te holli. Në të dyja anët e tij, - godinës ku ndodhet salla e vogël, ku jepen shfaqjet e të rinjve, atyre që kanë fituar projektet nga Festivali i të Rinjve për Teatrin - tavolina të gjata kishin një pamje spektakolare. Kush nuk di si shërbehet një “kathering” duhet të ketë durimin të lexojë: në fillim vihen për t’u ngrënë brumërat, pastaj vjen radha e qofteve, më pas sipas rëndesës së kalorive janë gatimet e mishit. Të gjitha këto shoqërohen me nga një gotë verë, ose pije joalkoolike. Në fund janë ëmbëlsirat. Bëhet fjalë për të shtunën në mbrëmje, për koktejin e shtruar pas shfaqjes “Parfumeri” me tekst të Haqif Mulliqit, me regji të Mir Sinës, që ishte edhe aktor, dyshe në skenë me regjisorin Spiro Duni (në rol).
Nuk dihet si kanë ndarë mes tyre lekët, si i kanë nënshkruar kontratat dhe çfarë arsye kaq madhore ishte të shtrohej një koktej aq madhështor pas shfaqjes. Pse gjithë ai organizim me “kathering”? Dikush na tha se e ka organizuar për qejf regjisori, pra që qëllonte të ishte Mir Sina (siç ishte shkruar emri fjalë për fjalë në tabelën reklamuese).
Asgjë të keqe nuk ka deri këtu, pasi në raste premiere edhe mblidhen njerëzia për të festuar. Aq i sigurt mund të kishte qenë për “suksesin” e tij Sina, sa koktej pas shfaqjes ishte tamam “ëmbëlsira”?! Por nuk ndodhi kështu. Teksti i Mulliqit; mbi dy pleq që jetonin në azil, që i përfshinte herë pas here harresa, që ngatërronin ngjarjet e njëri–tjetrit, që përpiqeshin të jetonin me kujtimet e së shkuarës - nuk i lëshonin vendin ndonjë mendimi estetik. Dhënia e një mase absurdi për kohën dhe tentativa për të mos lëvizur asnjë presje nga dominanca e tekstit të shkruar nga Mulliqi, nuk linin vend për ndonjë rrekje regjisoriale. Sina mund ta ketë pasur më lehtë këtë eksperiencë nëse nuk do ta merrte me vete si aktor regjisorin Spiro Duni. Ai po si i tillë u duk gati një dështim. Vetë Sina si aktor dhe pse duket i preferuar nga regjisori Spiro Duni, nuk ka lënë ndonjë mbresë autoriale në shfaqjet e realizuar më parë në Teatrin Kombëtar. Në shfaqjen e “tij”, “Parfumeria”, ai ishte thuajse një aktor i nënshtruar krejtësisht “padronit” të tij të mëparshëm, jo sikur ishte regjisori i shfaqjes.
Realizimi i një portreti pleqsh në azil nuk merrte ndonjë afri psikologjike, ku as si të marrë nuk dukeshin - ky mund të ishte ose ndonjë problem i dramaturgut, ose mungesë perceptimi regjisorial. Në të dyja rastet bëhej një shfaqje për t’u shtyrë, me vokacion tepër të dobët. Mirë që në teatër shpesh regjisori vendos ca karrige, a ndonjë divan, se ndryshe aktorët nuk do t’i rezistonin deri në fund shfaqjes në këmbë. Kjo vlen pothuaj për të gjitha shfaqjet, ku aktorët tanë as nuk kërcejnë dot një hap mbi skenë, por i gjen gjithnjë në kulm të ngjarjes ulur o mbi divan, o mbi karrige.
Kështu kthehemi te rasti “Sina” si një aktor drejt tentativës për të hyrë në Teatër. Tek “Parfumeria” si regjisor, Sina ishte një dështim, që do të thotë se nuk u pa asnjë element artistik, estetik, origjinal prej tij. Ai thjesht lexonte tekstin që i ishte dhënë, pa arritur që të përftonte atë transformimin e nevojshëm që i duhet një aktori. Kur nuk e bën për veten e tij këtë gjë, si aktor - si mund t’i besojmë regjisorit. Aq më tepër kur në krah të Dunit, pritshmëria ka qenë më e madhe si regjisor. Ajo çfarë e bën më dramatike situatën në Teatër për këta të rinj është përballja e tyre me skenën. Prej tre vitesh që organizohet Festivali i të Rinjve, gjëja më absurde ka qenë “përshtatshmëria” e tyre me traditën e teatrit. Ka munguar teatri alternativ. Veç në ndonjë rast. Asnjë eksperiment teatror, ide personale mbi teatrin, apo argument profesional pse të rinjtë e duan teatrin nuk është dhënë deri tani. Dhe shfaqjet e tyre në këtë kontekst më të shumtë kanë qenë “gllabëruar” nga tradita, teatri realist - ose ndryshe lexo tekstin duke ulëritur (burrave të teatrit tonë këto kohët e fundit iu del i ngjirur tejet mase zëri, sa nuk kuptohet asnjë fjalë). Nuk besojmë se këta të rinj, që kanë rrjetin e informacionit më të madh, që jetojnë në një epokë krejt tjetër nga “baballarët” e Teatrit Kombëtar – të jenë kaq shterues në ide. Ose në të kundërtën duhet të besojmë se dhe këta i ndjekin paraardhësit - për të hapur një vend pune, për t’u rehatuar në ndonjë qoshe, me lloj-lloj servilizmash.
Megjithatë, aq para sa u ofrohen këtyre të rinjve për një shfaqje sigurisht që do ta bënte qesharake gjithë problematikën e mësipërme. Por këtu po flitet për anën morale të të bërit teatër - në kushte profesionalizmi krejt të pastër, që shpeshherë nuk ka nevojë vetëm për të lypur para në Teatrin Kombëtar, por për të shembur së pari ca mure. Edhe pse të ulur në Teatër, për të parë shfaqjen, “ushqimi” nuk ishte i shijshëm sa kokteji që u shërbye në këmbë pas saj. “Parfumeria” me tekst të Mulliqit dhe regji të të riut Sina, tërhiqte më shumë drejt gatimit, që degustimin e tyre mund ta quaje eksperiment, sesa drejt degustimit të “fjalës” dhe të “aktrimit” në skenë.