E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkohet ndryshimi i projektit të portit të peshkimit, në rrezik kredia



Bashkia e Durrësit po kërkon me ngulm nga qeveria ndryshimin e projektit për të tretën herë të portit të peshkimit, duke rrezikuar kështu djegien e kredisë nga Banka Islamike prej 15 milionë eurosh. Nuk dihet ende se përse projekti për ndërtimin e peshkimit pranë kapitenerisë nuk është pritur mirë nga Bashkia e Durrësit. Drejtuesit e saj janë të mendimit se zbatimi i këtij projekti në atë pjesë do të shkaktonte “ndotjen e mjedisit”.

Nisur nga pretendimet e saj, bashkia do të organizojë takime me përfaqësues të komunitetit dhe një tjetër me ekspertë të fushës për të parë mundësinë e ndërtimit të këtij porti në një tjetër vend.

Sipas zyrtarëve drejtues të saj, “ideja e ndërtimit të portit të peshkimit pranë godinës së kapitenerisë është hedhur që në vitin 2004 dhe po atë vit është dhënë edhe leja e sheshit”. Por, prej atij viti, nuk dihet pse Bashkia e Durrësit edhe në 3 vitet e fundit po këmbëngul të ndryshojë projektin. Atë vit është dhënë edhe leja e sheshit të ndërtimit, por për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar, dosja duhet bërë nga e para. Zyrtarët e bashkisë kanë gati disa ide për vendin e ndërtimit të këtij porti.

Pretendimet

Bashkiakët janë të mendimit se porti i peshkimit nuk duhet të ndërtohet pranë kapitenerisë, pasi shkakton ndotjen e mjedisit. Kreu i saj, Vangjush Dako, mendon se “aty pranë ndodhet një zonë e madhe banimi e për më tepër automjetet që do të merren me transportin e produkteve të detit, do të kalojnë mespërmes një zone sa urbane aq edhe turistike”. Para se bashkia të sugjerojë idetë e saj për vendet se ku do të ishte i përshtatshëm ndërtimi i portit të peshkimit, do të organizohen takime me ekspertë të fushës dhe një tjetër me përfaqësues të shoqatave të peshkimit. Qëllimi i takimeve do t’i shërbejë vjeljes së mendimeve për një projekt të ri për peshkimin e Durrësit. Në këtë qytet ndodhet flota më emadhe në shkallë vendi. Dako tha: “Porti i peshkimit mund të ndërtohet në Porto Romano ose në kalatën lindore dhe në rast se nuk do të mundësohet ndërtimi i tij në këto pozicione, është edhe një ide e tretë që bën fjalë për vendosjen e tij në zonën e Urës së Dajlanit, por që do të kishte kosto zvogëlimin e plazhit publik”. Po qe se porti i peshkimit nuk do të ndërtohet pranë kapitenerisë, atëherë automatikisht kredia e Bankës Islamike prej 15 milionë eurosh anulohet. Sipas specialistëve dhe teknicienëve, kjo shpjegohet me faktin se bordi i kësaj banke ka dhënë “OK” për kredinë në bazë të projektit të paraqitur. Aktualisht, sektori i peshkimit vazhdon të vuajë mungesën e një porti të tij, ndërsa Banka Islamike jep kredinë 15 milionë euro, bashkia kërkon ndryshim të projektit të miratuar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›