E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kauboji Florenc Hoxha kërcënon gazetarin: Të çoj në komisariat, pse më filmon (VIDEO)

Share

Policia Bashkiake e Tiranës ka nisur aksione speciale përgjatë gjithë natës për të sekuestruar dhe bllokuar ngarkesat metalike që mblidhen nga romët.

Në një video ekskluzive gazeta Shqiptarja.com dhe TV A1 Report kanë mundur të filmojnë mëngjesin e së mërkurës rreth orës 01:30 vetë kreun e Policisë Bashkiake Florenc Hoxha që drejtonte ekipin për bllokimin e romëve.

Pasi është hasur rastësisht aksioni i Policisë Bashkiake, ku këta qytetarë romë ishin bllokuar së bashku me dy biçikletat e tyre ndërsa mblidhnin kanaçe, Florenc Hoxha ka spikatur praninë e medias dhe ka ndalur makinën e gazetarit duke akuzuar se po i bëhej shantazh. Hoxha ka kërkuar në mënyrë të përsëritur të ndërpritej filmimi edhe pse aksioni zhvillohej në një rrugë publike.

Duket e çuditshme që drejtori Drejtori i Policisë Bashkiake të jetë vetë drejtues i një operacioni që ka për qëllim bllokimin e disa qytetarëve romë që nuk përbëjnë kërcënim për askënd.

Përse duhet që në një aksion kaq të thjeshtë të jetë i angazhuar drejtpërdrejtë vetë kreu i policisë? Zyrtarisht aksioni i Policisë Bashkiake për bllokimin e romëve bëhet me motivin për të ruajtur ambientin, por vetë romët shprehen se pas këtij aksioni është një kompani e interesuar për marrjen e monopolit të skrapit dhe mbledhjes së metaleve në kryeqytet.

Biseda me kreun e Policisë Bashkiake Florenc Hoxha

(Pasi vëren prezencën e makinës rreth zonës dhe filmimit me telefon Hoxha i zë rrugën makinës dhe i bën shenjë të ndalet)

Gazetari: Op mbaje makinën
Florenc Hoxha: Ej me atë telefonin mos më filmo mu. Se ke bërë nja tre xhiro duke filmu. Se tani të shoqëroj në komisariat dhe tu them që po më pengon në krye të detyrës.
Gazetari: Unë jam gazetar.
Florenc Hoxha: Shumë mirë gazetar i nderuar m’u identifiko. Kush je?
Gazetari: Habjon Hasani, gazeta Shqiptarja.com
Florenc Hoxha: Më trego një dokument
Gazetari: Po, kam kartë identiteti
Florenc Hoxha: Ë?
Gazetari: Kam kartë identiteti.
Florenc Hoxha: Ke kartë identiteti ti? Mbaje çik shënimin dhe direkt kallzim në komisariat do bëjmë tanii ne. Po më pengon në krye të detyrës.
Gazetari: Për çfarë po të pengoj zotëri?
Florenc Hoxha: Po më pengon!
Gazetari: Për çfarë?
Florenc Hoxha: Po më bën shantazh!
Gazetari: Unë po të bëj shantazh?!
Florenc Hoxha: Po sepse po më pengon në krye të detyrës sepse ti po më filmon mua.
Gazetari: Jo aspak, kjo është rrugë publike.
Florenc Hoxha: Çfarë është ajo?
Gazetari: Është rrugë publike.
Florenc Hoxha: Ti duhet të më filmosh mu? Mirë, nji sekond tani të të filmoj dhe unë ty tashi ty (nxjerr telefonin dhe filmon sëbashku me dy shoqërues të tij)
Gazetari: Po mo filmo.
Florenc Hoxha: Prit një sekondë, filmojeni çik dhe atë gocën se qënka simpatike.
Gazetari: Mos provoko se je zyrtar shtetëror
Florenc Hoxha: Po jo pra se ti më provokove mu.
Gazetari: Ore unë po të marr(filmoj) sepse ti e di shumë mirë që ka një problem me këta (mbledhësit e kanaçeve)
Florenc Hoxha: O zotri i nderum ik se s’më bën dot shantazh ti mu dhe as Shqiptarja.com. Po të them ik largohu dhe mos më pengo në krye të detyrës se do të bëj..tashi në sekondë do të bëj kallzim. Nuk të lej fare.
Gazetari: Po mor zotri më bëj kallzim.
Florenc Hoxha: Dhe unë po të them kaq. Merre 129 dhe thuj që është një makinë që po na.që është e dyshimtë. Nuk e dimë nëse janë persona të armatosur apo jo. Merre!
Gazetari: Po dakord.
Florenc Hoxha: Merru me ta tani dhe ik sqarohu
Gazetari: Jo mo ska gjë unë po hap krahun aty
Florenc Hoxha: Jo mo do vesh në komisariat nuk jam unë për atë punë, vjen komisariati nr.3 o vlla. Të vijnë ato të të marrin
Gazetari: Në rregull shumë mirë
Florenc Hoxha: Ku e di unë se kush je ti o vlla?
Gazetari: Shumë mirë unë do filmoj ndërkohë
Florenc Hoxha: Më bën shantazh , jeni persona të armatosur doni të më vrisni
Gazetari: Jo unë nuk bëj shantazh unë. Unë të të vras ty?!
Florenc Hoxha: Po ku e di unë o vlla
Gazetari: Unë të të vras ty? Përkundrazi po të mbroj.
Florenc Hoxha: Faleminderit. Largohu tashi dhe mos më pengo mua rrugën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›