Kaubojt dhe Jashtëtokësorët në Berlin
Në “Cowboys and Aliens” kaubojt përballen me jashtëtokësorë. Vetëm në fundjavën e parë të shfaqjes në SHBA dhe Kanada filmi ka fituar 25 milionë dollarë. Vesterni fantastiko-shkencor, pjesë e të cilit janë yjet si Harrison Ford e Daniel Craig, ka kushtuar 160 milionë dollarë, pjesa më e madhe e të cilave janë shpenzuar për honorarët e këtyre dy yjeve filmike. Craig luan rolin e plaçkitësit që kërkohet, ndërsa Harrison Ford ndjekësin e tij, i cili në fund detyrohet të lidh marrëveshje me të për ta mbrojtur qytetin nga sulmi i jashtëtokësorëve.
Në vitin 1873, në shkretëtirën e Arizonës arrin një mashkull pa kujtesë (Daniel Craig), dhe hyn në qytetin banorët e të cilit vërejnë një byzylyk të çuditshme metalike në dorën e të sapoardhurit. Kështu, ai bëhet një bashkëqytetar i pazakontë i tyre, të cilit vendorët nuk i besojnë, sepse të huajt nuk janë të mirëseardhur aty. Vendorët kanë frikë se çdo lëvizje e gabuar mund të zemërojë oficerin Dolarhyde, të cilin e luan Harrison Ford, i cili shquhet me atë që komunitetin e drejton me dorë të hekurt.
Mirëpo, kur qyteti papritmas sulmohet nga jashtëtokësorët, karta duhet se përzihet sërish. I huaji, i cili ndërkohë zbulohet se quhet Jake Lorgan, shndërrohet në shpresën e tyre të vetme, sepse me vete bart fshehtësinë e mënyrës së përballjes me jashtëtokësorë. Me ndihmën e udhëtares Elle, që luhet nga Olivia Wilde, i huaji mbledh një grup kriminelësh të guximshëm, të gatshëm, për betejën më të pabesueshme me sulmuesit jashtëtokësorë.
Iu plotësua dëshira
Craig në Berlin pranoi se xhirimi i filmit ishte tejet interesant. Jo për shkak që aktroi bashkë me legjendën filmike, Harrison Ford, por edhe për arsye se ky ishte vesterni i parë për Craig. Ai e pranoi se më tepër e interesoi pjesa ‘kauboike’ e filmit sesa ajo fantastiko-shkencore e tij.
Këshilla e vetme që Craig pati për kolegët e tij të tjerë, të cilët një ditë do të donin të xhironin një vestern, ishte që të kenë kujdes për kapelat e tyre. Në fakt, mes kaubojve ekziston një rregull për kapela, të cilën Crig nuk e dinte. Kush e humb kapelën duhet të tjerëve t’ua paguaj nga një birrë. Meqë Craig mbeti pa kapelë, e pranoi se shpenzoi shumë para për të paguar birrat për tërë ekipin.
Kritika, e ndarë
Film ka ngjallur kritika të ndryshme. Përderisa revista ‘Variety’ konsideron se filmi nuk ofron ndonjë përmbajtje të madhe sociologjike, por është i mirë që të shihet, gazeta ‘The Chicago Sun-Times’, pretendon se ngjarja e filmit është e ngatërruar.
Ndërkaq, portali Reelview.net, vlerëson se filmi është i “rrjedhshëm”, por humori i tij nuk mund të vërehet shumë për shkak të pjesëve të tij serioze. Paralelisht, web-faqja Filmcritic.com, komenton se “titulli është i jashtëzakonshëm, por filmi është mesatar”, përderisa ‘Slant Magazine’ përfundon se filmi “Cowboys and Aliens” i përzien zhanret e ndryshme, por këtë gjë e bënë gabimisht, andaj “secili kuadër i tij del absolutisht i pakuptimtë”. (DW)