Një libër shënimesh për turistë
“Mënyra sesi shqiptarët ngasin veturën, mbeturinat e hedhura gjithandej dhe… Tirana është një qytet pa personalitet”.
Por, Twigg vëren edhe disa gjëra të këndshme: “njerëzit janë mikpritës, ushqimi është i shijshëm e i lirë dhe … vija bregdetare është magjepsëse”.
Në blogun e saj në një web-faqe të Zelandës së Re (stuff.co.nz), ajo shkruan se, e shtyrë nga fjalët e mira për Shqipërinë në Rough Guide to Europe vendosi që të kapërcejë Malin e Zi dhe të niset drejt Shqipërisë. Pas pak kilometrash në këtë vend, ajo arrin të formulojë disa fakte jetësore:
1- Rregullat e qarkullimit janë më shumë si punë udhëzimesh. Shoferët në Shqipëri janë absolutisht të luajtur mendsh: nëse rruga zë tri vetura, atëherë harroji ndarjet e korsive; është koha për ta mbushur atë pak vend të mbetur. Në fakt, shqiptarët janë kaq shoferë të këqij sa rrugët e tyre janë të mbushura me kryqe, e kjo shpjegon diçka.
2- Nëse je shqiptar, një nga të afërmit e tu, me gjasë, është pronar i një pompe karburanti. Gjatë rrugës luajtëm një lojë të quajtur “kape karburantin”. Nuk e zmadhoj kur them se sapo kalon një të tillë mund të dallosh një tjetër. Për ironi në Shqipëri je gjithmonë afër një pompe karburanti.
3- Kazanët e plehrave vetëm sa zënë vend kot. Pse të hedhësh mbeturinat në to, kur mund t’i hedhësh në anë të një rruge dhe t’ua vësh flakën?
4- Ndërtesat mund të ndërtohen e të lihen pa banuar. Kompanitë shqiptare të ndërtimit duket se kanë vendosur të ndërtojnë përgjysmë nja njëmijë shtëpi se, nuk i dihet. Në fakt edhe ato që duket sikur kanë përfunduar kanë shufra hekuri që u dalin në majë të gatshme për katin tjetër. Oh, tullat janë kaq në modë në Shqipëri këto kohë!
Tirana e godet për keq udhëtaren nga Zelanda e Re. Ajo pikat gjurulldinë e madhe, të përzierë me neglizhencën po aq të madhe. Në fund autorja thotë se nuk do t’ia rekomandonte qytetin askujt. Por falë Zotit kemi vijën bregdetare …. “Natyrisht, nëse je i gatshëm që të mbyllësh njërin sy për të mos parë mbeturinat që shihen gjithandej”. Për fund, Jamie Twigg thotë se mezi pret të kalojë në Greqi.
(Respublica.al)