E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Tjetri si unë” risjell në shqip Saramangon

Libri: Tjetri si unë

Autor: Jose Saramango

Gjinia: Roman

Shtëpia botuese: Dudaj

Shkrimtari portugez Jose Saramango rikthehet në shqip me romanin “Tjetri si unë”. Tertuliano Maksimo Afonsoja, mësues historie në lice, 38 vjeç, i tmerruar, zbulon kopjen e tij të përkryer në një film të marrë me qira rastësisht në një video-klub. Me ndihmën e së dashurës, niset në kërkim të kopjes së tij - një njeri i zakonshëm, i martuar, aktor kinemaje. Takimi ndodh në një vend të veçuar. Të dy kuptojnë se dy qenie të ngjashme nuk mund të bashkëjetojnë. Cili prej të dyve është unë dhe cili është tjetri? - kjo është dilema. “Tjetri si unë”, një libër i cili nëpërmjet penës së Saramangos çmitizon në mënyrë të shkëlqyer mitin e njeriut. “Tjetri si unë” është një roman i cili nxjerr në pah realitetin e kohës dhe krizën e shoqërisë. Shkrimtari portugez, fituesi i çmimit ‘Nobel’ për Letërsinë në vitin 1998, është autori i romaneve të shumtë në kufirin e fantastikes që ftojnë për revoltë kundër gjendjes së botës. Pas botimit të romanit të parë në vitin 1947, “Tokë mëkatesh”, ai do të presë 19 vjet për të publikuar librin e tij të dytë, përmbledhjen “Poema të mundshme”. Romani i tij i dytë, “Manual pikture dhe kaligrafie”, botohet në vitin 1977. Por, vetëm në vitin 1982, kur ishte 60 vjeç, ai bëhet i njohur me “Zoti dorac”, roman dashurie me ngjarje të vendosura në shekullin e 18-të. Në vitin 1992, ai bën skandal në Portugali me librin “Ungjilli sipas Jezu-Krishtit”, ku tregon sesi Jezusi humb virgjërinë me Marie-Magdalenën dhe se Zoti e përdor atë për të shtrirë dominimin e tij në tokë. Atëherë Saramango largohet nga vendi i tij për t'u vendosur në arkipelagun spanjoll të Kanarieve. Në gusht të vitit 2008, kur sapo e kishte marrë veten nga një pneumoni e rëndë, ai botoi “Udhëtimi i një elefanti”, që u pasua një vit më vonë nga libri “Kaini”, ku flitet në mënyrë ironike për vrasjen e Abelit nga vëllai i tij Kaini.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›