Kavafis, njeri dhe poet, në një dokumentar
Duke udhëtuar me Kavafis-in të shtunën në mbrëmje në Qendrën Kulturore të Forcave të Armatosura (ish-SHQUP) u organizua mbrëmja letraro-muzikore dedikuar poetit të shquar grek. Kjo veprimtari kulturore u organizua nga Fondacioni Grek i Kulturës, i cili ka çelur paralelisht edhe ekspozitën «Duke udhëtuar me Kavafis», e cila do të jetë e hapur deri në datë 11 prill 2009, në ambientet e Kolegjit Greko-Shqiptar. Në këtë aktivitet u shfaqën dy dokumentarë, "Kavavis njeri", prodhim FGK me skenar të Jorgos Jakumis dhe "Kavafi poet", prodhim i BBC. U interpretuan poezi të Kavafis-it aktorja Ema Andrea dhe studentë të Gjuhës Greke të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Kuarteti «Promos» ekzekutoi për herë të parë në Shqipëri veprën «Suitë Greke» të kompozitorit grek Panos Stelios. Në referimin e pedagogut të UT, dr. Aristotelis Spiro, u fol për probleme që vepra e Kavafis-it ka paraqitur gjatë përkthimit në gjuhën shqipe. Gjithashtu, dr. Dionisis Halkomatas bëri një analizë të ideve që e bënë Kavafis-in poet universal, të përkthyer në më shumë se tridhjetë gjuhë në të gjithë botën.
Regjimi i vjetër dhe revolucioni
Libri “Regjimi i vjetër dhe revolucioni”, 1856, radhitet me klasikët e fushës si Scienza Nuova e Vico-s apo fryma e ligjeve të Montesquieu-se, sepse veprës i jep vlerën e papërsëritshme "pleksja e historisë se mirëfilltë me filozofinë historike", ky është qëllimi dhe metoda e veprës e përcaktuar nga vetë autori.
Vepra tjetër e shquar e tij "Demokracia në Amerikë" mbetet një prej kritikave më të mira të demokracisë dhe evidenton problematikat e bashkëjetesës së saj me lirinë në shoqëritë moderne; Tocqueville-i paralajmëron se prej barazisë, mund të lindë një tirani masash dhe prej këtej ai thekson nevojën e ndërtimit të një sërë institucioneve demokratike, e rolin e virtytit qytetar në demokraci. Alexis de Tocqueville, historian e politolog francez është përfaqësues i rëndësishëm i traditës se liberalizmit klasik. Si politikan ai e vuri të gjithë karrierën e tij politike, në shërbim e mbrojtje të pakompromis të idesë së lirisë: shfuqizimit të skllavërisë, tregtisë së lirë, lirisë së arsimimit dhe të besimit. “Regjimi i vjetër dhe revolucioni” është botuar nga shtëpia botuese “Dita 2000”, në përkthim të Severina Pashës.