Frika nga NATO-ja
Nga Nebil Çika
Sa më shumë po i afrohemi ditës së formalizimit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, aq më shumë po reflektohet pakënaqësia e lidershipit të së majtës ish-komuniste nga ky zhvillim historik. Qëndrimi pothuaj armiqësor i krerëve të opozitës me gjithë kujdesin për të mos u deklaruar hapur, është i kuptueshëm nga kushdo. Politikanë të njohur të së djathtës janë munduar që ta kritikojnë këtë qëndrim të ftohtë të së majtës ndaj anëtarësimit në NATO, duke u munduar të përfitojnë elektoralisht nga një sjellje antiperëndimore e kundërshtarëve të tyre politikë. Por, aq sa të djathtët janë të legjitimuar në përpjekjet dhe arritjet e tyre në integrimin euroatlantik të vendit, janë edhe të majtët në ftohtësinë apo frikën e tyre nga këto zhvillime. E majta shqiptare vjen sot në politikë si trashëgimtare politike dhe gjenetike e asaj force që ndryshoi për 50 vjet orientimin politik të vendit nga Perëndimi në Lindje. Ky ndryshim i sforcuar dhe i panatyrshëm i orientimit tonë kombëtar kishte pa dyshim një kosto te jashtëzakonshme, ku vend të vend të veçantë zë krijimi i një klase politike, intelektuale e shoqërore të edukuar, orientuar e të lidhur me të gjitha mjetet në dispozicion kundër gjithçkaje perëndimore, në veçanti, organizmit ushtarak të tij, NATO-s. Me pak fjalë, Shqipëria trashëgoi në vitet ‘90 një “elitë” në shumice të saj, të orientuar politikisht dhe kulturalisht nga Lindja ish-komuniste.
Fatkeqësisht, dalja jonë nga diktatura ishte sa e vonuar, aq edhe e sforcuar, gjë që u dha kohë ish-komunistëve për t’u përgatitur për dominimin politik-ekonomik e social-kulturor të sistemit të ri, një realitet që, pas 17 vjetësh, duket më i realizuar se kurrë. Duhet pranuar se zhvillimet politike, ekonomike e shoqërore në këtë tranzicion të vështirë kanë ruajtur në një masë të pabesueshme interesat e ish-elitës së diktaturës dhe projekteve të saj për kapitalizmin dhe demokracinë postkomuniste shqiptare. Kjo situatë solli edhe vonesën e anëtarësimit në NATO të vendit, edhe pse ishte i pari nga vendet ish-komuniste që e kishte kërkuar një gjë të tillë dhe i vetmi që ishte larguar formalisht nga Traktati i Varshavës, organizmit ushtarak anti-NATO të Lindjes komuniste dy dekada para shpërbërjes së tij. Në këto kushte, anëtarësimi në NATO ka pasuar dhe ka edhe kundërshtarët e vet në Shqipëri, që për shkak të orientimit perëndimor plebishitar të shqiptarëve nuk kanë mundësi ta shprehin hapur apo, më mirë të themi, publikisht një gjë të tillë. Por ndërsa nuk shprehin hapur kundërshtimin për një gjë të tillë, nuk arrijnë dot ta fshehin frikën nga një zhvillim i tillë. Siç thashë më lart, është një frikë legjitime. Ajo që Shqipëria dhe shqiptarët pritet të përfitojnë më së shumti nga anëtarësimi në NATO, janë rregullat e reja të lojës që pritet të detyrohen nga një angazhim i tillë. Rregullat pritet të prekin çdo fushe të funksionimit të shtetit, politikës, ekonomisë etj., gjë që nënkupton prishjen e statuskosë, njëherazi edhe të interesave, ekuilibrave dhe marrëveshjeve që kanë shoqëruar këtë periudhë, sa të vështirë, aq edhe të dyshimtë të tranzicionit. Më shkoqur, anëtarësimi në NATO shënon edhe fundin e periudhës transite të kalimit nga diktatura në demokraci apo nga Lindja ne Perëndim, një periudhë problematike, në mënyre të veçantë për politikën shqiptare. Shqipëria apo, më mirë të themi, klasa politike shqiptare, mbërriti në këtë fund tranzicioni pa u dhënë zgjidhje dy problemeve më të mëdha post-diktatoriale. Raporteve me të kaluarën kriminale të politikës e shtetit shqiptar dhe problemit të pronave, dy çështje që vendet e tjera ish-komuniste, anëtare të NATO-s, i kanë mbyllur apo kanë nisur t’i mbyllin përpara anëtarësimit. Ne do të jemi pas katër ditësh zyrtarisht në NATO me një kasë politike, ushtarake, shërbime sekrete dhe krejt administratën shtetërore të paverifikuar, gjë që krijon mundësinë e përfaqësimit politik e ushtarak në Aleancë me njerëz e struktura, në rastin më të mirë të dyshimta. Përveç aktivitetit antiperëndimor të vetë diktaturës shqiptare edhe miqësitë, aleancat apo vartësitë nga vende edhe aktualisht, në mos armike, kundërshtare të Aleancës si ish-Bashkimi Sovjetik (Rusia) apo Kina të politikës e shtetit shqiptar deri në vitin 1990, janë të mjaftueshme për të bërë të detyrueshëm verifikimin e politikanëve, ushtarakëve, pjesëtarëve të shërbimeve sekrete, shërbimit diplomatik, policisë, institucioneve të drejtësisë, ish-organizatave të masave e të tjerëve individë aktivë në organizmat politike e shtetërore të diktaturës. Nuk duket se politika shqiptare ka vullnetin ta bëjë një verifikim të tillë, përpjekja e dështuar për hapjen e dosjeve të diktaturës pak kohë më parë është prova më e mirë për të ilustruar këtë fakt. Por, nuk besoj që drejtuesit dhe strukturat e Aleancës ta tolerojnë një situatë të tillë. Anëtarësimi është natyrisht një privilegj i madh, por po kaq i madh është edhe detyrimi në zhvillimet e brendshme që përcjell automatikisht ky anëtarësim. Pastrimi i politikës dhe administratës shtetërore është pa dyshim një kusht i pakapërcyeshëm për perspektivën politike të Shqipërisë. Por jo vetëm kaq. “Mrekullia e lirisë”, siç kryeparlamentarja shqiptare e ka cilësuar anëtarësimin në NATO, synon mbi të gjitha një liri, demokraci e shtet ligjor sipas standardeve perëndimore. Aplikimi i këtij standardi që mbështetet kryesisht mbi liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, pronën etje, në kushtet aktuale politiko-juridike, e ka të vështirë të zbatohet në Shqipëri. Pikërisht, krijimi i mundësive politike e juridike të zbatimit të këtij standardi përbën edhe thelbin e frikës kryesore të të majtëve ish-komunistë, por edhe të tjerëve të prekur nga ai, nga anëtarësimi në NATO. Ketë e ka kuptuar mirë edhe një pjesë e politikës. “NATO detyron ndryshime kushtetuese “ ka deklaruar ministri i mbrojtjes , Oketa, ndërkohë që deklarimi i djeshëm i Presidentit Topi për “shkëputje nga e kaluara” nënkupton ndryshim. Unë, besoj, edhe shumica e shqiptarëve, presim nga anëtarësimi në NATO një realitet të ri, veçanërisht në zhvillimet e brendshme, realitet që do ta shkëpusë përfundimisht vendin nga e kaluara ish-komuniste. Këtë duket se e kanë ndier edhe tentakulat e saj, që, pavarësisht nga pozitat e forta politike e shtetërore, kanë filluar ta ndiejnë efektin e ndryshimit të pritshëm, dridhërimat prej të cilit shprehen në çdo fytyrë të ngrysur, në çdo qëndrim të akullt të lidershipit të së majtës, por edhe të kërcënuarve të tjerë në krejt politikën dhe institucionet e shtetit shqiptar.