E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmime tavan për taksitë në Tiranë



Këshilli Bashkiak gjatë mbledhjes së djeshme ka miratuar çmimet dhe tarifat për shërbimin taksi të kryeqytetit. Propozimet e ardhura nga Bashkia e Tiranës për funksionimin e këtij shërbimi janë votuar pro nga 29 këshilltarët e pranishëm në Këshillin Bashkiak. Çmimet dhe tarifat e këtij shërbimi futen në fuqi 10 ditë pas marrjes së vendimit nga KB-ja.

Situata

Drejtori i kësaj drejtori në Bashkinë e Tiranës ka sqaruar dje se vendimi i marrë nga këshilli mbi çmimet dhe tarifat për shërbimin e taksive, janë çmime tavan. Sipas tij, kjo do të thotë se taksisti mund të operojë me çmime më të ulëta ose mund të bëjë kompromis me klientin.

Ndërkohë që situata aktuale tregon një realitet paksa ndryshe, pasi aktualisht mund të numërohen me gishta ato taksi të licencuara në kryeqytet që operojnë me taksimetër, pasi deri më tani kjo nismë është në ilegalitet. Ndërsa me marrjen e vendimit nga Këshilli Bashkiak situata do të ndryshojë, duke zbardhur mjaft qartë të gjitha tarifat për distancat e përshkruara nga taksitë.

Çmimet

Për 2 kilometrat e para të kryera pasagjeri do të duhet t’i paguajë taksisë 3 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që për pjesën tjetër të rrugës, 1 mijë e 200 lekë për kilometër. Ndërsa, në udhëtimet me furgonë brenda qytetit, nuk do të paguajnë fëmijët nën 12 vjeç, në rast se ata janë të shoqëruar.

Kështu, nga drafti i përgatitur nga Bashkia e Tiranës dhe i miratuar nga Këshilli Bashkiak janë bërë dy nënndarje për shërbimin taksi 4+1 vende si dhe për shërbimin taksi 8+1 vende. Për secilën kategori ka nënndarje të tjera ku janë vendosur çmimet. Kështu, do të ketë tarifa të ndryshme gjatë ditëve normale të vitit me ato të festave. Gjithashtu tarifat ndryshojnë për ata qytetarë që vendosin që të përdorin shërbim taksi gjatë natës apo festave.

Ndërkohë që nuk përshihen në pagesë bagazhet. Në këtë pikë bashkia ka propozuar që të lihet të operohet mes një kompromisi mes taksistëve dhe udhëtarëve. Gjithashtu, nuk do të ketë tarifë për udhëtarët shtesë.

Ndërsa tarifa për lajmërimin e taksisë kushton 50 lekë. Për rezervimin e radio taksisë tarifa shkon deri në 60 lekë. Një tjetër tarifë që do t’u kushtojë kryeqytetasve është edhe koha e pritjes, ku është vendosur që tarifa për kohën e pritjes (për orë) të jetë 1900 lekë për orën e parë, për pjesën tjetër të kohës tarifa vendoset duke negociuar me klientin dhe taksistin. Këto tarifa janë të njëjta si për taksi 4+1 vende, ashtu edhe për taksitë 8+1 vende.

Tab

Të dhëna

Tarifat e reja për taksitë 4+1

Tarifa fillestare, 250 lek për 2 km e parë

Zona A: 5 km pas 2 km të parë 100 lek/km, 25 lek/min

Zona B: 10 km të tjera pas 2 km+ 5 km, 85 lek/km, 21 lekë/min

Zona C: Mbi 17 kilometra është 80 lekë/km, 18 lekë/min

Rezervimi i taksive kushton 50 lekë

Tarifa për bagazhet bëhet me negocim

Pritja për orën e parë është 1900 lek

Tarifa për ditët pushim, festat zyrtare

Tarifa fillestare 300 lekë 2 km e para

Zona A: 5 km pas 2 km e para 120 lekë/km, 30 lekë/min

Zona B: 10 km të tjera për 2 km e para+5km 95 lekë/km,25lekë/min

Zona C: Mbi 17 km 80 lekë/km 20 lekë/min

Tarifat për udhëtimin natën

Tarifa fillestare për 2 km e para është 300 lekë/km

Zona A: 5 km e tjera pas 2km e para 120 lekë/km, 30 lekë/min

Zona B: 10 km të tjera pas 2km e para+5km 95 lekë/km, 25 lekë/min

Zona C: Mbi 17 km 80 lekë/km 20 lekë/min

Tarifat e reja për furgonët 8+1

Tarifa fillestare 400 lekë për 2 km e parë

Zona A: 5 km pas 2 km 80 lek/km, 20 lek/min

Zona B: 10 km të tjera pas 2 km+ 5 km 70 lek/km, 17 lekë/min

Zona C: Mbi 17 kilometra është 60 lekë/km, 15 lekë/min

LSI-ja i dhuron Ramës buxhetin

Lëvizja Socialiste për Integrim ka ndryshuar 180 gradë qëndrimin e saj për Buxhetin e Tiranës, duke e cilësuar atë të miratuar. Ndonëse ende buxheti ka fondin e komunitetit, që u cilësua si skandal nga LSI-ja pak ditë më parë, anëtarët e LSI-së e cilësuan dje buxhetin transparent. Në mbledhjen e djeshme, e vetmja e zhvilluar pas datës 3 shkurt, Këshilli Bashkiak nuk pati përfshirë në listën e projektvendimeve, buxhetin e Tiranës. Kjo, pasi këshilltarët e PS-së dhe LSI-së e quajnë atë të miratuar me 3 shkurt. Kalimi i kësaj pike ka qenë edhe debati kryesor midis këshilltarëve demokratë dhe atyre socialistë. Kryetari i grupit të këshilltarëve të PD-së, Ferdinand Poni, ka deklaruar se Tirana është i vetmi kryeqytet në Evropë që po qeveriset pa një buxhet. Sipas tij, është absurde kryerja e kësaj mbledhjeje dhe miratimi i vendimeve “kur ende nuk është miratuar buxheti, pasi këto vendime janë rrjedhime të buxhetit të pamiratuar”. Në kundërpërgjigje të tyre ka marrë fjalën Erisa Xhixho, këshilltarë e LSI-së. Xhixho në fjalën e saj tha: “Konstatojmë se janë bërë ndryshimet e kërkuara nga grupi ynë, siç ishin detajimi dhe rritja e transparencës së buxhetit. Për grupin tonë nëse këto ndryshime do të ishin bërë me kohë atëherë ne nuk do ta kishim vonuar votimin e buxhetit asnjë minutë. Duke parë që janë bërë ndryshime për ne buxheti quhet i miratuar”. Pas kësaj kryetari i Këshillit Bashkiak ka kërkuar votimin e rendit të ditës. Nga votimi koalicioni i djathtë në Këshill Bashkiak votoi kundra me 20 vota, ndërsa koalicioni i majtë dhe LSI-ja votuan pro me 25 vota. Kryetari i Këshillit vendosi që të vazhdohej mbledhja, por anëtarët e PD-së braktisën sallën, në shenjë proteste.

Durrës

Mungojnë taksimetrat, policia nis gjobitjen

Nga muaji janar 2009, deri sot gati të gjitha taksitë e Durrësit dhe Krujës, nuk kryejnë procesin normal të detyrueshëm ligjor të kolaudimit dhe kjo, për faktin sepse ato sërish sipas ligjit nuk janë pajisur me taksimetër. Lidhur me këtë fakt problematik, i mbartur qysh nga viti 2008, është zhvilluar në prefekturën e Durrësit dhe Krujës një takim për problemet e shfaqura në sektorin e shërbimit taksi. Shkak për këtë takim të kërkuar nga prefekti Klodian Pajuni, u bënë shqetësimet e ngritura nga ana e sindikatës së Transportit Rrugor. Në takim morën pjesë përfaqësues të Bashkisë së Durrësit, të Drejtorisë Policisë të Qarkut, të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Automjeteve si dhe sindikalistë. Përfaqësuesit e Sindikatës së Taksive ngritën shqetësimet e tyre e konstatuara prej disa kohësh, prej të cilave më të ndjeshmet ishin ato që kishin të bënin me konkurrencën e pandershme nga ana e taksive pirate si dhe bllokimin ndaj mjeteve të tyre nga ana e Drejtorisë së Shërbimeve, e cila ka 4 muaj që nuk kolaudon automjetet taksi me pretendimin se “ende nuk janë pajisur me taksimetra”. Në këto kushte, kur disa qindra automjete taksi janë të pakolauduara a ende, jeta e pasagjerëve të tyre është e rrezikuar pasi afatet e kontrollit teknik të taksive kanë kohë që janë tejkaluar”, - deklaroi prefekti Pajuni, i cili vendosi që t’u japë zgjidhje këtyre problemeve. Për t’i dhënë fund konkurrencës së pandershme, duke nisur nga fillimi i javës së ardhshme do të funksionojnë tre grupe “Task Forcë” në përbërjen e të cilave do të ketë përfaqësues nga Policia e Rendit, nga Policia Bashkiake, nga Tatim-Taksat si dhe nga Drejtoria e Shërbimeve të Automjeteve. Detyra e këtyre grupeve do të jetë kontrolli i automjeteve të cilat shërbejnë si taksi, por pa licencë dhe sanksionimi deri në bllokimin e tyre në pikat përkatëse në qytetin e Durrësit. Në takim u ra dakord që Drejtoria Rajonale e Shërbimit Teknik në Durrës të nisë menjëherë kolaudimin e taksive, pasi pajisja e tyre me taksimetra do të nisë ndoshta pas datës 1 prill 2009 dhe do të realizohet nga Agjencia e Kalibrimit e cila është e ngarkuar me ligj për ta realizuar këtë proces. Në Durrës janë të licencuar 155 taksi 4+1 dhe 8+1 të cilat shlyejnë të gjitha detyrimet fiskale ndaj shtetit.

Artur Ajazi

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›