Kavajë, vret fqinjin me çifte, në pranga pas 20 minutash
Një sherr i vjetër për motive pronësie ka shkaktuar vrasjen e një 26-vjeçari në Kavajë. Policia arreston autorin Haxhi Zebeli
Ka zgjatur vetëm 20 minuta rrugëtimi në këmbë i 34 -vjeçarit Haxhi Zebeli, i cili nisi t’i largohej policisë pasi ekzekutoi me çifte fqinjin e tij, 26-vjeçarin Artur Kura, pas një sherri për motive pronësie. Konflikti i nisur vite më parë ka përfunduar me një të vrarë dhe një të arrestuar për akuzën e vrasjes. Sipas policisë, në pranga ka përfunduar 34-vjeçari Haxhi Zela, pasi dyshohet se ka vrarë me armë gjahu fqinjin e tij Artur Kura, pas një konflikti për motive pronësie. Zyrtarisht policia tha se mbrëmjen e së hënës komisariati i policisë Kavajë ka kryer lokalizimi dhe më pas arrestimin e shtetasit Haxhi Zebeli, 34 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Gërmej të Komunës Lekaj, Kavajë. “Ky shtetas, dyshohet se mbrëmjen e së hënës rreth orës 20.30, në fshatin Gërmej të Komunës Lekaj, pas një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me armën e tij të gjuetisë të cilën e posedonte me leje, shtetasin Artur Kura, 26 vjeç, i cili më pas ka vdekur në Spitalin Rajonal Durrës, si pasojë e plagëve të marra”, njoftoi dje policia e kryeqytetit. Për hetimin e kësaj ngjarjeje, policia ngriti menjëherë një grup të posaçëm hetimor, të cilët u morën me procedurat e shoqërimit të dëshmitarëve në vendngjarje, marrjen në pyetje dhe veprimet e tjera hetimore. “ Nga ky grup hetimor u konkludua se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një grindjeje midis komshinjve në fshatin Gërmej të Komunës Lekaj Kavajë. U sekuestrua arma e gjuetisë, ndërkohë që materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për hetime të mëtejshme”, njofton policia. Sipas burimeve, mësohet se konflikti mes dy fqinjëve ka nisur vite më parë për shkak të një çështjeje pronësie ende të pazgjidhur.