E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Maskimi” me armën, zbulohet autori i vërtetë vrasjes së Vrapit

SHKRUAN: Leonard Bakillari 24-08-2011 11:52

Tiranë Policisë së Tiranës i janë dashur 12 orë kohë për të identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes së ndodhur pasditen e djeshme në rrugën “Budi” në kryeqytet. Sipas hetimit të policisë, ekzekutori i 49-vjeçarit Abdulla Vrapi është identifikuar si shtetasi me inicialet E.D., 48 vjeç, i cili është shpallur në kërkim për akuzën e vrasjes me dashje në bashkëpunim. Ndërsa i arrestuari Indrit Tresa, sipas hetimeve të deritanishme, është evidentuar si bashkëpunëtor në vrasje, pasi menjëherë pas ngjarjes ka marrë armën e krimit nga kushëriri i tij dhe ka tentuar të fshihet në një hotel në Sauk. Zbulimi i autorit të vërtetë të vrasjes është bërë nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes, të cilët kanë treguar me detaje për policinë gjithë sherrin e zhvilluar pasditen e së hënës në një lokal pranë shtëpisë së viktimës. Burime të rezervuara pohuan se ka qenë 48-vjeçari E.D ai që ka qëlluar 6 herë në drejtim të Abdulla Vrapit dhe djalit të tij. Familjarët e viktimës dhe djali i tij kanë treguar për policinë se konflikti ka nisur katër muaj të shkuara mes tij dhe Indrit Tresës, pas përplasjes së automjeteve të tyre pranë Shkollës së Baletit në kryeqytet. Ky konflikt ka vazhduar për disa kohë, derisa ditën e djeshme Tresa i shoqëruar nga kushëriri i tij E.D, si dhe disa persona të tjerë kanë shkuar pranë banesës së familjes Vrapi për të sqaruar konfliktin mes tyre. Palët janë takuar në një prej lokaleve pranë shtëpisë, ku kanë nisur të debatojnë me tone të ashpra. Sherri ka degjeneruar në përleshje fizike, ndërsa policia thotë se palët janë qëlluar mes tyre me grushte e sende të forta. Në sherr e sipër, sipas dëshmitarëve, 48-vjeçari E.D, i afërm i Tresës, ka nxjerrë një armë zjarri tip pistoletë dhe ka qëlluar 6 herë në drejtim të Abdulla Vrapit dhe djalit të tij. Si pasojë e plumbave ka humbur jetën Abdulla Vrapi, i cili ka gjetur vdekjen edhe pas ndihmën së specializuar të ekipit të mjekëve në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Dy të dyshuarit si autorë të vrasjes janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes për t’iu shpëtuar forcave të policisë. Dëshmitarët okularë kanë treguar për policinë se menjëherë pas vrasjes, Tresa ka marrë armën e krimit nga i afërmi i tij dhe është larguar në tentativë për t’iu shpëtuar forcave të policisë. Por ai është arrestuar 20 minuta pas krimit, teksa tentonte të fshihej në një hotel në periferi të kryeqytetit. Të njëjtën gjë ka bërë edhe ekzekutori i 48-vjeçarit, i cili pasi i ka dhënë armën e krimit të afërmit të tij është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Por dëshmitarët kanë identifikuar atë si autor të vrasjes dhe policia e ka shpallur në kërkim si të dyshuar për vrasje me dashje kryer në bashkëpunim.

Policia, kontroll në shtëpinë e të kërkuarit

Oficerët e krimeve, të angazhuar në zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes, kanë kryer kontroll në banesën e të arrestuarit Indrit Tresa si dhe personit tjetër të shpallur në kërkim E.D. Zyrtarisht policia tha se të dyshuarit si autorë të ngjarjes janë konfliktuar me viktimën dhe djalin e tij pas përplasjes së automjeteve të tyre, ngjarje kjo e ndodhur disa ditë më parë. Dy ditë më parë ata janë konfliktuar dhe më pas janë goditur me sende të forta, derisa autori i dyshuar, shtetasi Indrit Tresa, ka qëlluar disa herë me armë zjarri pistoletë Abdulla Vrapin, i cili ka gjetur vdekjen pas disa orësh në Spitalin Ushtarak në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›