Sherri mes krushqve, viktima kishte plagosur dy vëllezërit
Dy të akuzuarit për vrasjen e 60-vjeçarit Gjon Kodra janë dërguar për mjekim në spitalin e Shkodrës dhe më pas janë dërguar në dhomat e paraburgimit
SHKODËR Vrasja e 60-vjeçarit Gjon Kodra ka ndodhur pas një konflikti mes tij dhe familjes së dhëndrit, konflikt që ka shënuar dhe plagosjen e lehtë të Prek Markut dhe djalit të tij Gjovalinit.
Konflikti
Sipas policisë, konflikti familjar ka qenë mes dy krushqive, viktimës Gjon Kodra dhe familjes së Prekë Markut, vjehrri i vajzës së tij. Në konflikt janë përfshirë dhe dy djemtë e Prekës, Deda dhe Gjovalini. Mësohet se mbrëmjen e së hënës, Gjon Kodra ka shkuar te shtëpia ku ishte e martuar vajza e tij dhe në ambientet e brendshme të saj është konfliktuar me meshkujt e familjes Marku.
Ndërsa dje është përcjellë për në banesën e fundit viktima, policia e Shkodrës ka mbajtur në vëzhgim të dyja familjet, për të mënjanuar ndonjë hakmarrje të mundshme nga ana e familjes së 60-vjeçarit. Gjatë marrjes në pyetje, dy vëllezërit nuk kanë mundur të japin një dëshmi të qartë, duke mos preferuar të flasin. Ndërkohë që asnjëri prej tyre nuk ka shpjeguar se cili ka goditur me thikë 60-vjeçarin.
Arrestimi
Gjatë konfliktit janë përdorur dhe mjete rrethanore, dhe sipas policisë Gjon Kodra ka goditur me thikë brenda në banesën e tyre në lagjen Ajasëm (“10 Korriku”) Prekë Markun dhe djalin e tij Gjovalinin 28 vjeç, duke u shkaktuar plagë të lehta. Ndërsa dhëndri i Gjonit, Dedë Marku dhe vëllai i tij Gjovalini dyshohet se janë personat që po me thikë kanë goditur disa herë Gjon Kodrën, i cili ka gjetur vdekjen në spitalin e Shkodrës, ku është transportuar nga të tjerë pjesëtarë të familjes Marku.
Policia ka arrestuar në flagrancë 2 vëllezërit Marku , për «Vrasje me dashje, e kryer në bashkepunim» dhe «Prodhim e mbajtje pa leje të armëve të ftohta». Sipas policisë, mendohet se mes Gjon Kodrës dhe meshkujve të rritur të familjes Marku ka patur përleshje me thika, brenda në banesë. Shtetasit Gjovalin e Prekë Marku janë të plagosur lehtë, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa është gjetur dhe sekuestruar dhe arma e ftohtë, thikë, me të cilën është goditur viktima Gjon Kodra.
D.KOLAJ