Kavaliers, rekordi më i mirë në Ligë
Në NBA po afrohet faza e "play-off", por sezoni i rregullt ende dhuron shumë emocione. Klivland vazhdon serinë e fitoreve, me LeBron Xhejms që mbetet protagonisti i padiskutueshëm. Kavaliers fitojnë 117-109 me Indianan, falë paraqitjes së jashtëzakonshme të Xhejms (37 pikë të realizuara) dhe regjistrojnë rekordin e Ligës. Klivland bëhen skuadra më e mirë e "regular season", duke marrë fitoren e pestë radhazi dhe të 66-ën sezonale. Vendi i parë avantazhon skuadrën e drejtuar nga Majk Braun. Gjatë gjithë fazës "play-off", që starton me sfidat kundër Detroit Pistons e deri në finale (nëse do të kualifikohen), ata do të kenë në krahun e tyre faktorin fushë. Edhe pse duhej të qëndronte pushim në këtë fazë finale të kampionatit, LeBron zbriti në fushë dhe dhuroi spektakël: 37 pikë, 5 topa nën kosh dhe 5 asist në vetëm 39 minuta lojë. Pejsërs dolën të humbur nga parketi, pavarësisht paraqitjes së mirë të Deni Granger, që realizoi 38 pikë. Mjaft mirë paraqiten edhe Çikago, Denver dhe Hjuston. Bulls fitojnë 91 me 88 duelin me Detroit, ku lojtari më i mirë ishte Derrik Rous, me 24 pikë. Në "play-off" Çikago do të luajë kundër Orlando Mexhik. Te Denver, në sfidën e fituar me Sakramenton shkëlqejnë J.R Smith (45 pikë) dhe Karmelo Antoni (21 pikë), ndërsa në fazën e mëtejshme ata do të luajnë me Dallas. Te Hjuston Rokets, Jao Ming realizon 22 pikë kundër Nju Orlins.