E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kazinotë e Tiranës shpërngulen në periferi

Ard Kola

Plani i bashkisë, ngrihet grupi i punës. Financat: Duhet ligj më vete

ARD KOLA

Një plan, në pamje të parë i vështirë për tu realizuar, është ndërmarrë së fundmi nga Bashkia e Tiranës për të zhvendosur kazinotë te një zonë periferike. Projekti u bë publik dje, me anë të një njoftimi pa shumë detaje, por thuhet ndër të tjera, se kryetari i Bashkisë së Tiranës ka ngritur një grup i cili po shqyrton grupimin në një zonë të vetme të të gjitha lojërave të fatit që shtrihen në territorin e bashkisë. Zyrtarë të bashkisë nuk japin informacion se ku mund të jetë kjo zonë, por thonë se do të jetë në periferi të kryeqytetit.

Të kontaktuar nga Shqip, zyrtarë të Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, institucion që varet nga Ministria e Financave, deklarojnë se nuk janë në dijeni të këtij projekti, por shtojnë se, një sipërmarrje e tillë kërkon ndryshimin e ligjit dhe ndërmarrjen e disa akteve të tjera.

Gjithashtu, bashkia thotë se, grupi i punës do ti propozojë Këshillit Bashkiak, vendosjen e një tarife të veçantë për lojërat e fatit, ndërsa po parashikohen kushte shtrënguese, për punësimin e personelit dhe rikonstruktimin e infrastrukturës në zonën ku do të grupohen lojërat e fatit.

Këto masa të parashikuara nga Bashkia e Tiranës kanë për qëllim një monitorim më të mirë të këtij aktiviteti dhe frenimin e problemeve sociale, komunitare dhe të kriminalitetit të lidhur me këtë aktivitet, thotë njoftimi zyrtar i bashkisë.

Tirana konsiderohet kryeqendra e lojërave të fatit, si kazinotë, pikat e bastit, bingot, etj. Të dhënat zyrtare tregojnë se rreth 30 për qind e bixhozit është i përqendruar në Tiranë. Plani i bashkisë mund të sjellë përplasje me shumë kompani të njohura, të cilat i kanë të pozicionuara kazinotë në qendër të Tiranës, siç është Regency Casino te Tajvani, licenca e së cilës skadon në 2014-n.

Duke parë ecurinë e xhiros së lojërave të fatit mësojmë se pikërisht, në vitin më të vështirë të krizës, shqiptarët kanë shpenzuar jo pak, por mbi 18 miliardë lekë. Në vitin 2011, xhiro (në total 13 miliardë lekë) ra me 27 për qind, shenjë e mungesës së parave për të luajtur dhe jo e frikës për të provuar sërish. Ekspertë të fushës gjykojnë se aktiviteti i bixhozit lidhet me situatën ekonomike në vend, me papunësinë dhe nivelin e remitancave, ku natyrshëm frekuentuesit e ambienteve të kumarit janë njerëz të ngeshëm dhe të pashpresë për të ardhmen.

Lojtarët e mëdhenj gjenden në kazino, sektori ku shteti vjel më shumë, të paktën 250 milionë lekë në muaj, si taksë fikse.

Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit thotë se të ardhurat nga aktivitetit në vitin 2011 janë afërsisht 5.1 miliardë lekë.

Te kazinotë, kompania paguan një taksë fikse nga 100 mijë deri 400 mijë lekë për çdo sallë të hapur, si dhe një pagesë tjetër fikse mbi çdo makinë, në varësi të rrethit ku operon subjekti. Edhe aktiviteti i basteve sportive, i paguan taksat mbi zonën ku ushtrohet loja dhe mbi numrin e pikave të hapura. Kompanitë e basteve paguajnë 25 për qind të fitimit në formë tatimi, por shuma e caktuar në ligj nuk mund të jetë më e vogël se 10 milionë lekë për ato që kanë më pak se 99 pika.

Shifrat

Tirana numëron 70 kazino dhe 1200 automate

A është e mundur që Bashkia e Tiranës të zhvendosë në periferi rreth 70 pika kazinoje që ushtrojnë aktivitet, kryesisht në zonat e qendrës. Të dhënat zyrtare të vitit 2010 tregojnë se kazinotë ku luhet me anë të makinave elektronike (slot machine) dhe me tavolina apo me rulotë elektronik janë të përqendruara në Tiranë në masën 50 për qind. Edhe numri i makinave elektronike arrin në rreth 1200, gati 40 për qind, në raport me totalin, gjithnjë sipas të dhënave nga Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të fatit. Një aksion i tillë do të kërkojë kosto, e cila duhet të zgjidhet se në kurriz të kujt do të bjerë. Shoqëritë që menaxhojnë këto salla me makina elektronike janë 38, por vetëm 6 prej tyre drejtojnë tregun. Për tu veçuar është fakti se nga këto shoqëri, vetëm 22 janë aktive, ndërsa të tjerat janë pasive, pra kanë ulur qepenin.

Edhe pikat e bastit janë zgjeruar në çdo cep të Tiranës. Në total janë mbi 1800 pika, numër tepër i lartë, ku gati 33 për qind janë në Tiranë. Licencat e pikave të bastit, aty ku provohet shansi me skedinën, zotërohen nga 23 subjekte në të gjithë vendin, por vetëm 7 e ushtrojnë aktivitetin, ndërsa të tjerat qëndrojnë pezull. Megjithatë, numri i subjekteve aktive apo pikat e bastit mund të jetë edhe më i madh, duke pasur parasysh se vëzhgimet e njësisë së mbikëqyrjes konstatojnë një nivel informaliteti në masën 40 për qind.

Kazinotë e Tiranës shpërngulen në periferi burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›