Logu i Bjeshkëve aty ku bukuria e natyrës përzgjedh njeriun
Nga Sokol Paja
I krijuar dikur si konkurs shekullor mes nuseve të fshatrave, tashmë është një ngjarje përtej një treve. Vajza nga i gjithë Kelmendi, zonat përreth e kudo ku ka kelmendas në të gjithë botën, çdo vit konkurrojnë për të përzgjedhur bukuroshen e bjeshkëve. Fjala është për Logun e Bjeshkëve një konkurs i veçantë i trevës së Kelmendit ku çdo vit në Qafë te Predelecit përzgjidhet e bukura e bjeshkëve të Kelmendit, një kurorë që trashëgohet vit pas viti. Logu i Bjeshkëve tashmë është kthyer në një prej festave më origjinale dhe tradicionale ne Shqipëri. Vajza të stolisura me veshje popullore, xhubleta si veshja shekullore, ornamente karakteristike të zonës, stoli, rruaza, qëndisje etj konkurrojnë njëra-tjetrën për të rrëmbyer fronin e bukurisë. Me ftesë të kryetarit të Komunës Kelmend z.Gjeto Dukaj, isha i lumtur të bëhesha pjesë e një paneli profesorësh që do të referonin për Shekujt e Kelmendit më 10 gusht, një ditë përpara zhvillimit të Logut të Bjeshkëve për këtë vit. Pas nisjes nga Tirana, taksia më ndalon tek Kafja e Madhe ku kishim lënë të takoheshim të gjithë referuesit e simpoziumit shkencor dhe më pas të niseshim për Kelmend. Të parët që takova ishin Etleva dhe Musaja, vinin nga qendra Albanologjike e Budapestit. Miku i të gjithëve, kryetari i Komunës Gjeto Dukaj, na prêt dhe të gjithë bashkë pas kafes së zakonshme tek Rozafa nisemi drejt Rusit. Aty, dy Shumacher-at tanë Pjerini dhe Nardi na presin shumë miqësisht. Pasi ndihmuam me sistemimin, prita që të rrija në vend të parë si ciceron për të shpjeguar për mysafirët zonën, të cilët shumë e vizitonin për herë të parë. Futu Brenda më thotë Musaja, çfarë pret? Po pres një femër që do udhëtojë me ne në Kelmend, pasi Nardi, shoferi i udhëtimit, më tha se edhe ajo donte një vend përpara. Jo neve dikush duhet të na tregojë zonën se nuk e njohim tha Musaja, po i thashë po negocioj me femrën dhe uroj të merremi vesh. Po more po, ta lëshon ajo ty, -tha Musaja, nuk i dihet i thashë, negociatat bëhen gjithmonë edhe më të vështira kur përballë ke një femër.
Historia e Logut të Bjeshkëve
Ndër vite në zonën e Kelmendit ka ekzistuar një log që në ato kohëra quhej ‘Logu i Nuseve’ ,ky log filloi në kishat kryesore të fshatrave të Komunës Kelmend: Selcë, Vukel, Vermosh. Nuset merrnin pjesë në këto fshatrave në mungesë të kishave të tjera dhe udhëtonin disa orë për të arritur në meshë. Pas meshës të gjithë banorët e fshatrave organizonin një spektakël që në këtë zonë quhet: log (një fushë ku mblidheshin të gjithë banorët e fshatrave për të parë nuset e atij viti që ishin martuar në këto fshatra dhe për të përzgjedhur më të bukurën). Në vitin 1998 nga logu i nuseve ky spektakël u quajt Logu I Bjeshkëve ku tashmë nuk janë nuset por vajzat e fshatrave që marrin pjesë në këtë konkurs jo vetëm bukurie dhe përzgjidhet më e bukura. Logu ka mbi të gjitha një vlerë të jashtëzakonshme artistike dhe kulturore pasi shfaqet përveç bukurisë edhe trashëgimia kulturore e trevës, veshjet karakteristike, vallet, këngët, instrumentet, lojërat popullore etj. Në këtë konkurs bukurie tradicionale marrin pjesë nga e gjithë Shqipëria dhe nga diaspora, emigrantë po konkurrojnë edhe bukuroshe nga Vuthajt dhe Rugova kryesisht. Secila trevë përfaqësohet me veshjen e vet popullore karakteristike. Mosha e vajzave pjesëmarrëse është nga 15-25 vjeçe. Organizohet nga Komuna Kelmend në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore ‘Jehona e Kelmendit’. Çdo vit marrin pjesë ansambli artistik i Kelmendit dhe këngëtarë e humoristë të ftuar.
Rrugëtim nëpër Kelmend
Pas tre çerek ore udhëtimi në superstradën Shkodër-Hnai Hotit, degëzimi i rrugës për në Mal të Zi dhe Kelmend, na tregon s e udhëtimi ynë sapo ka filluar. Gjendemi në fshatin Hot. Nardi dhe unë mundohemi që ti japim përgjigje çdo pyetjeve që vjen nga profesorët bashkudhëtues. Në dalje të fshatit Hot ku fillojnë Brigjet e Hotit, paralelisht fillojnë edhe punimet në rrugën HotTamare. Më pas në udhëtimin tonë kalojmë në fshatrat Stare, Rapshë, e më pas fshatrat oaz të bjeshkëve të Kelmendit. Një pamje madhështore, e cila nuk mund të shijohet ndryshe, përveçse duke e soditur me zig-zaket e kthesave gjarpërushe të Leqeve të Hotit që zbresin poshtë në breg të Cemit. Për shkak të festës rruga është shumë e gjallë. Pas zbritjes me shumë kujdes së kthesave të Leqeve, ndalemi për tu freskuar në kroin ku ndalen të gjithë udhëtarët për tu freskuar. Pas disa minutash mbërrijmë në qendrën e Komunës Kelmend, Tamarë. Bujaria e kelmendasve, natyra e qetë dhe majat krenare të alpeve të ftonin hareshëm në gjirin e tyre. Qendra për shkak të festës duket e braktisur. Pak lokale e dyqane të hapur e disa punëtorë që po rregullojnë duke shtuar me gugë dekorativë e pllaka sheshin përpara Komunës. Ndalimi ynë ishte te lokali i Nikollës, si nënkryetar i komunës na mirëpret në lokalin e tij dhe aty përveç bisedave miqësore shkëmbejmë edhe raki shpije e troftë cemi. Për shkak se nata po afronte smund të rrinim gjatë dhe menjëherë u nisëm drejtë Qafës së Predelecit ku të nesërmen zhvillohej simpoziumi shkencor Kelmendi në shekuj dhe një më pas Logu i Bjeshkëve. Pasi kalojmë Tamaren, mbërrijmë në Selcë, një ndër fshatrat më të mëdhenj të Komunës. Të mbjellat e banorëve, natyra e mahnitshme, historia, kultura, tradita, bujaria e njerëzve e shtëpitë karakteristike në këto fshatra na bëjnë një udhëtim të paharrueshëm. Gjatë gjithë kësaj rruge Noja një kumtues pasionant, Nardi si Schumacher, Musaja, Marku e shumë të tjerë diskutonin pa reshtur në lidhje me figurat e Kelmendit dhe personazhet historik të tij. Pas disa ecejakeve të vogla dhe lodhjes së rrugës së gjatë, mbërrijmë në Qafën e Predelecit, ku do të zhvilloheshin Simpoziumi dhe Logu i Bjeshkëve. Akomodimi ynë ishte te hotel Kelmendi. Një ish ndërtesë e pyjores që ishte përshtatur më së miri nga Dodë Dragu si hotel për turistët vendas dhe të huaj. Doda bashkë me familjen e tij punonte në çdo stinë duke nxjerrë fitime modeste. Pas sistemimit në dhoma dolëm një shëtitje në Qafë që është edhe si qendër ku çdo vit zhvillohet Logu i Bjeshkëve. Atmosfera është tejet festive. Emigrantë, turistë të huaj, banorë të zonës shijojnë mishin e ferlikut dhe muzikën nga grupi Treva, këngëtarët vendas dhe hitet më të reja me DJ. Të nesërmen e Simpoziumit u zhvillua konkursi i Bukurisë. Vajza nga e gjithë treva e Kelmendit kishin marrë pjesë me veshje dhe stoli popullore për të konkurruar dhe rrëmbyer kurorën e bukurisë së Bjeshkës së Kelmendit. Për të gjithë intelektualët që referuan për Kelmendin një ditë më parë ishte ruajtur një vend i veçantë.
Spektakli fillon me marrjen e nuses nga Gjeveri, parakalimin e bukurosheve me veshje tradicionale, këngë e vallë. Konkursi pas dy orë shfaqje arrin në fazën kur Juria e kryesuar nga deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Gjok Uldedaj shpall fituese Misin e Bjeshkës 2012 Marsela Bujaj 17-vjeçaren nga Bjeshkët e Tamares
Fjala e mirëseardhjes nga kryetari i Komunës z. Gjeto Dukaj:
Fort të dashtun motra e vllazen! Ndihem shumë i lumtun se kjo traditë e shkelqyeshme e Kelmendit po çohet çdo vjet e ma përpara, e për këtë due me falenderu pikë së pari të gjithë ju banorët e Kelmendit e trevave përreth, diasporën që mban frymën dhe shpirtin këtu për trashëgiminë e shkëlqyer që na keni sjellë brez pas brezi, për ruajtjen e pastër të traditës e vlerave tona për të cilat çdo kelmendas është krenar. Ndihem shumë i lumtun teksa sot jemi mbledhun të gjithë bashkë si kelmendas dhe miqtë tanë për të festuar. Familjet tona që mbajnë gjallë trashëgiminë, traditën, historinë dhe kulturën tonë meritojnë sot mirënjohjen më të thellë për këtë nderë dh