E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano nuk është konsensual për Edi Ramën

SAMI NEZA

Kryetari i PS, Edi Rama, ka lënë të kuptohet qartë dje se është kundër kandidimit të Fatos Nanos për President. Pas një takimi prej dy orësh mes tij dhe ish-shefit të Partisë Socialiste për 15 vjet, ai nuk ka dalë në një deklaratë të përbashkët me të, e ka përcjellë me të njëjtat gjeste apo më ftohtë se pesë vjet më parë, kur Nano, për të njëjtat arsye, vizitoi partinë e tij, si dhe lëshoi një deklaratë, teksti i së cilës mund të ishte përgatitur edhe disa ditë para takimit. I pasigurt se gjithë këto gjeste nuk mjaftonin për të përmbysur edhe më thellë para publikut kërkesën e Nanos, ai doli vetëm pak minuta më pas në një konferencë për shtyp, gjatë së cilës nuk zuri me gojë për asnjë çast takimin me Fatos Nanon, duke renditur shumë më lart në axhendë dorëheqjen e një komisari, sesa mundësinë e Fatos Nanos për tu zgjedhur President.
Shumë njerëz, duke mos dashur një President të caktuar nga Berisha apo PD, ishin gati ta pranonin emrin e Fatos Nanos si një mundësi potenciale dhe brenda kësaj mundësie ata nuk kishin kurrfarë dyshimi se Nano në krye të shtetit do të ishte një lajm i mirë edhe për Edi Ramën. Pak ditë pas deklaratës së Nanos se ka ndër mend të kandidojë për President, një radhë miqsh të tij në kohën kur ishte Kryeministër, disa organizata joqeveritare, biznesmenë dhe zyrtarë të politikës, shpejtuan të shënonin procesin konsensual të zgjedhjes së Presidentit si të vetmen mundësi përmes së cilës do të mbështesnin favoritin e tyre për në Presidencë. Një histori që nisi me procesin konsensual për të shkuar te profili i Presidentit u përmbys për një ditë duke vendosur në fillim profilin, pra Fatos Nanon, për të vijuar më pas me identifikimin e procesit konsensual që do të siguronte zgjedhjen e Nanos President.
Pas takimit Rama-Nano kemi një pamje më të qartë të problemit. Kemi një pamje më të qartë, pasi pozicioni i Ramës që nuk njihej e bënte procesin më të pakuptueshëm dhe më të vështirë. Prej dje njohim edhe njëfarë përkufizimi që Edi Rama i jep konsensusit, një përkufizim që nuk e ndryshon shenjën e procesit; ai i mbetet procesit konsensual duke mos e kompromentuar atë me profil të parapërgatitur.
Për më tej, aq sa pamë dje pas takimit Nano-Rama dhe të gjitha gjestet e Ramës për të shkatërruar çdo pritshmëri prej atij takimi, më shumë se lexojmë armiqësinë e Ramës me Nanon, që ende nuk është shuar në asnjë skaj, konstatohet se Fatos Nano nuk është konsensual as për Edi Ramën. Dhe në këtë pikë ai është aq i drejtë sa edhe historia politike e shemrës së tij.
Fatos Nano është figurë konsensuale për President aq sa përmbushin këtë kriter edhe Sali Berisha, edhe Edi Rama.
Duke u nisur nga kushti për konsensus, i bie që një politikan që e promovon veten si të tillë, duhet të ketë pasur një histori të gjatë komportimi me të djathtën dhe të majtën, që ka anashkaluar zgjidhjet e njëanshme politike dhe gjithnjë ka ofruar apo lobuar për zgjedhje përfshirëse, që ka pasur deri diku në historinë e tij politike një dimension shumëplanësh, pa shumë ngjyrë të majtë apo të djathtë, një pozicion të baraslarguar nga e majta dhe e djathta në rastin më të mirë, dhe i vendosur majtas apo djathtas në rastin më të keq, por jo në ekstremet e qëndrimeve politike të këtyre dy palëve. Pra, sipas një rregulli që del nga sa më sipër, të mos jetë konsensual për të gjithë të majtën apo konsensual për të gjithë të djathtën, por konsensual për shumicën e dy anëve të politikës.
Në asnjë prej këtyre momenteve që janë renditur më sipër për të gjetur veten te pjesa konsensuale e politikës shqiptare, nuk mund ta gjesh Fatos Nanon. Ai ka qenë lider historik i së majtës për 15 vite rresht dhe katër herë Kryeministër i saj. Ka qenë në majën e piramidës së Partisë Socialiste duke prodhuar prej këtij pozicioni një luftë të ashpër politike në Shqipëri me të parën shenjë konsensusi vetëm në vitin 2002, pra pas njëmbëdhjetë vitesh në krye të PS-së dhe vetëm tre vjet para se të largohet nga drejtimi i saj. Ai u bë për së treti herë Kryeministër më 1997-n dhe përgjatë qeverimit të tij, pasojat e trazirave të vitit 1997 nuk u shëruan. Teoria e tij e çmontimit të institucioneve kur ai erdhi në pushtet po atë vit, hodhi në rrugë me mijëra zyrtarë, zëvendësoi në institucionet e pavarura profesionistë me militantë, zhbiu dallimin mes pushteteve, deputetë të PS-së u bënë drejtues gjykatash, ndërsa zyrtarë të së majtës shefa të shërbimeve sekrete dhe të Policisë. Vetëm në 2005-n u bë i mundur neutralizimi i bandave me mbështetje të qartë qeveritare në Durrës, Lushnjë e ndonjë qytet tjetër. Por, megjithatë, ai ka pasur në historinë e tij një gjest të pjesshëm konsensual, ai i zgjedhjes së Presidentit Moisiu në vitin 2002. Është i pjesshëm pasi ky gjest erdhi pas një presioni të madh të BE-së për të kompensuar vjedhjen që i bëri opozitës në zgjedhjet parlamentare të 2001-shit. Megjithatë, edhe në këtë rast konsensusi nuk kulmoi me një figurë të mesme politike, por me një figurë të majtë. Berisha propozoi për President një partizan të Luftës Nacionalçlirimtare.
Megjithatë, Fatos Nano, gjithnjë jashtë kornizës konsensuale ku kërkon ta vendosë veten, mbetet emblematik. Një politikan i zoti, por edhe qeveritar i zoti. Një lojtar i rreptë, por edhe modern. Liberalizimi që nxiti në partinë e tij pati efektet në të gjithë jetën e vendit. Liria e shoqërisë në përgjithësi ka njohur një kapërcim pas vitit 99 dhe po aq liria e medias, duke sjellë si rrjedhim dhe një çtensionim social të vendit pas krizës së piramidave. Ai ka shumë vlera, kostumi konsensual që ai ka veshur këto ditë nuk i nxë, bile aq shumë vlera sa e bëjnë overqualified për postin e Presidentit të vendit, një post gjysmëhonorifik, me peshë te Gjyqësori, por tërësisht i kontrolluar nga Parlamenti.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›