E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për festën e 100-vjetorit të Pavarësisë

27-04-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Ky shkrim, për bashkëlidhje idesh, mund të jetë më i kuptueshëm nëse tërhiqemi në kohë  6 vite më parë, në një seancë parlamentare, për dënimin e krimeve të komunizmit, për të jetësuar rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Rezoluta kërkonte dënimin e krimeve të komunizmit nga vendet e ish-Lindjes komuniste, që aspironin të  hynin në Komunitetin Europian.
-“A u realizua dekomunistizimi i vendit në këto 15 vjet?- pyeti presidenti Berisha. –Jo dhe jo,- u përgjigj vetë. Por shtoi edhe diçka që krijoi ilaritet në nostalgjikët: -“Partia juaj më 12 qershor të vitit 1991, shpalli trashëgiminë juridike të Partisë së Punës të Shqipërisë, të pronave të saj, dhe është e vetmja parti në Europën Lindore e cila nuk u shkri për t’u rithemeluar. Ajo ndërroi vetëm emrin, por ruajti selinë, pronat dhe gjithçka tjetër”. Berisha përmendi kalimin e ligjit në vitin 1992 që i largoi nga detyra xhelatët e atyre burrave dhe grave, që qëndrojnë atje, në lozhën sipër, përkundrejt kësaj tribune parlamentare. Dhe, duke iu drejtuar anës së deputetëve të R. Alisë,- tha:- “Ata nuk janë xhelatë, janë demonë. Dhe ju i rikthyet të gjithë në funksione, në shërbimin informativ, në gjykatat, se jeni trashëgimtarët e tyre (Bënte aluzion, veçanërisht, për 1997-n). Filluat të rivendosnit portretet e Hitlerit të Europës, filluat të riktheni datat më të zeza të historisë. Keni kthyer  në protokollin e Shtetit datën 24 maj, atë datë që  shfrytëzoi diktatori për të themeluar diktaturën më çnjerëzore në historinë e Europës”.
Në këtë rend dite të fundit të majit të vitit 2006, doktori përmendi bijtë e bllokmenëve. Pas një tetëvjeçari të mallkuar, për të cilin E. Rama kishte thënë se “e kishim me hak që e humbëm pushtetin” (2005), pas katër vitesh u zgjerua edhe më tepër selia parlamentare me pasardhës të bllokmenëve, me rioshë që thoshin krenarisht se e “kam për nder që jam i biri sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së Rrethit”. Ishin këto funksione që përpilonin listat e burgimeve, internimeve, madjé që sugjeronin edhe dënimet kapitale. Jo sekretarët e organizatave të institucioneve ekonomike, mjekësore etj. të cilët neokomunistët i futin në një thes, për të ngushtuar elektoratin demokratik që iu kundërvu komunizmit që në orët e para të ndryshimit të sistemeve.
24 maji, me ovacionet në Përmet për shokun Tito (dhe Stalinin, pa dyshim) e me materiale të përgatitura taze në kancelaritë e jugosllavëve, është  i palëvizur gjer në ditët e sotme nëpër  emra rrugësh, shkollash, sheshesh... ndërsa patrioti Haki Taha, që vrau Miladin Popoviçin në zyrën e tij, duke flijuar vetveten, nuk përmendet përveçse në faqet e shtypit demokratik. 24 maji nuk duhet të kishte asnjë tagër për ndalimin, në atë kongres partiak, të  ardhjes në atdheun e vet të Ahmet Zogut I, sepse ai kishte ikur jashtë shtetit, si të gjitha familjet mbretërore, duke lënë forcat e tij ushtarake në drejtimin e Abaz Kupit që të luftonte okupatorin. Por erdhi një kohë dhe qëndrimi i Bazit të Canës në kryesinë e Shtabit të Përgjithshëm n.çlirimtar u bë i pamundur, kur u bë e qartë se nuk luftohej për çlirim kombëtar dhe për pluralizmin demokratik, por për  të prurë në fuqi diktaturën komuniste. Kështu A.Kupi luftoi vijoi të luftojë okupatorët duke u bashkuar me forcat nacionaliste. Ata që kanë lexuar librin e Gunnar Riebs-it “Një princ në bregun e kaltër”,  mund ta kuptojnë shumë mirë sesi mund të luftohet okupatori, pa e prekur monarkinë dhe pa rënë në nën kthetrat e komunizmit.
Te né, disa nga intelektualët e indoktrinuar, bënë një zhurmnajë të shëmtuar  kur segmenti i bulevardit nga Teatri i Operës dhe i Baletit te Stacioni i Trenit, mori emrin e Zogut I.  A mos duhej të mbetej emërtimi i vjetër me emrin e Stalinit, edhe kur ky u shfronësua, si një tiran e terrorist, në të gjithë botën demokratike (1956)? Këto janë hallet tona qyshkur nuk u bë destalinizimi vetëm e vetëm në vendin tonë, si përjashtim në Europën Lindore,  në atë vit të zi që sapo e cituam. Dhe kjo mendësi e përdhosur po na mbahet gjallë ende édhe nga disa ta ashtuquajtur historianë, që kanë përjashtuar nxënësit nga shkollat kur ishin të rinj dhe kanë qenë denonciatorë për “idealet” komuniste,  duke qenë tanimë édhe denigrues të mbretit Zog I, me monobibliografí nga antishqiptarë si Galeaco Çiano dhe jo nga diplomatë të besueshëm si Aleksandër Lesona.
Tani këta nihilistë të të gjitha përparimeve të qeverisë së sotme demokratike dhe të bashkisë së fituar me vullnetin e zgjedhësve dhe jo me instrumentin e kauçukut,  edhe festën e ndritshme të 100-vjetorit të Pavarësisë kërkojnë ta zvetënojnë si në ditët parlamentare të marsit të ’92-shit, kur  bënë çmos, me ulërima e përvajtime,  që të mos hiqej nga flamuri kombëtar, ylli i kuq i internacionalizmit proletar!
***
Në fjalën e fundit të z. Berisha, ai foli për sjelljen e eshtrave të Mbretit Zog, në varrezat mbretërore. “Kjo do të bëhet në një kohë sa më të shkurtër”, - u shpreh kryeministri. Ai foli se kjo veprimtari do të shoqërohet me ndërtimin e varrezës mbretërore. “Familja mbretërore, - th ai, - ka patur varreza dhe është kryer një profaní e tmerrshme, është minuar varri i nënës së Ahmet Zogut, për fajin e vetëm se i dha Shqipërisë burrin që bëri gjithçka për të ndërtuar një shtet, në një vend që kishte shekuj pa shtet. Dhe e vërteta është që ka pasur dhe një përmendore të 25-vjetorit të Pavarësisë, e cila edhe ajo ka pësuar fatin e Shqipërisë; nga 20 e ca metra e lartë kur u pushtua vendi; ajo u copëtua dhe, gjatë periudhës së diktaturës, u shkatërrua, duke u lënë në harresë". Kryeministri e cilësoi të rëndësishëm edhe kthimin në atdhe të eshtrave të personaliteteve të tjera të shquara kombëtare: " Parlamenti ka një ligj për statusin e familjes mbretërore dhe të gjitha forcat politike e kanë votuar. Ne i qëndrojmë këtij ligji. Kështu që ky proces do të ecë paralel. Këtu mund të shihet edhe mundësia e riatdhesimit të eshtrave të personaliteteve të tjera të shquara kombëtare të cilat, më mirë se kudo, mund të prehen në dheun e tyre. Ka personalitete që ia kanë përkushtuar jetën e tyre vendit, por që janë ndaluar nga diktatura për motive tërësisht politike", - u shpreh më tej Kryeministri.
Ministri i Kulturës, z. Aldo Bumçi tha se, përveç Monumentit kushtuar pavarësisë, janë shpallur konkurse për shtatoret kushtuar disa personaliteteve të shquara shqiptare si Ismail Qemali, Mbreti Zog, Hasan Prishtina, si edhé Monumentit kushtuar Kongresit të Lushnjës. Gjithashtu janë përfunduar, por nuk janë vendosur ende, shtatorja kushtuar Azem Hajdarit, ajo kushtuar Pjetër Arbnorit, shtatorja kushtuar Presidentit Uillson dhe busti kushtuar Petro Markos, i cili do të vendoset në qytetin e tij të lindjes.
Për këtë temë, Kryeministri kërkoi nga Ministria e Kulturës një diskutim paraprak me Bashkinë e Tiranës për të bashkërenduar hapat e mëtejshëm. Komiteti mori në diskutim dhe miratoi posterat e 100-vjetorit të Pavarësisë. Në konkursin ku morën pjesë 23 artistë, u përzgjodhën 5 punime, nga të cilat Komiteti miratoi 3 të parat. Gjithashtu u propozua që vepra në pikturë e artistit të shquar Ibrahim Kodra, "Shqipëria fantastike", të përdoret gjerësisht, si dhuratë simbolike në kuadrin e 100- vjetorit të Pavarësisë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›