Këlliçi takim me qytetarët: Dilni votoni masivisht, ndryshimi në duart tuaja

Kandidati i “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, gjatë një takimi me banorët e njësisë nr.9, u ka kërkuar të dalin të votojnë masivisht, pasi ndryshimi, sipas tij, është në duart e tyre.
Këlliçi tha se Tirana lëngon nga problemet ekonomike, sociale dhe infrastrukturore, ndërsa përmendi faktin se sot kryeqyteti përballet me problemin e mungesës së ujit të pijshëm, për të cilin kreu aktual i bashkisë Erion Veliaj propogandon se ka 24 orë në ditë.
“Domethënë, të jesh në zemër të Tiranës, të jesh te Njësia.nr.9, të jesh këtu të flasësh për mungesë uji të pijshëm, për mungesë të rrugëve, për mungesë të hapësirave të gjelbërta, për mungesë të çerdheve, kopshteve dhe shkollave, që e keni një problem në njësinë nr.9, kjo është e patolerueshme. Tirana lëngon nga ana ekonomike, fshati i Tiranës është i lënë në harresë. Qytetarët e Tiranës kanë nevojë bazike për çështjet më elementare që ka një qytetar, për ujin e pijshëm. Në lagjen tuaj, ju paguani tre herë për ujin e pijshëm: paguani UKT-n për ujin që sjell në rubinet, që nuk e pini; e paguani ujin për të pirë dhe për të gatuar gjithë familjet; dhe e paguani herën e tretë pompën për të prurë ujin te depozitat në mënyrë që të keni ujë. E ndërkohë çdo ditë në televizor ne shohim një propagandë goditëse ku thotë: “Tirana ka 24 orë në ditë ujë të pijshëm”. Këtu është me luajt mendsh”, tha Këlliçi.
Ky i fundit u shpreh se objektiv i punës së tij, do të jetë të punojë për të sjellë të paktën 14 orë në ditë ujë për qytetarët e Tiranës.
Më tej, Belind Këlliçi foli për prioritetet e programit të tij, duke theksuar premtimin për autobus falas. Sipas tij, ky premtim ka pasur ndikim të gjerë te qytetarët e Tiranës, duke i siguruar ata se pas 14 majit autobusi falas do të jetë realitet.
Në këtë takim, Belind Këlliçi prezantoi edhe prioritetet e tjera të programit të tij.
“Është nënkalimi te “Sheshi Skënderbej”, që është pothuajse i gatshëm për t`u bërë nëntoka, pa e prishur sheshin. Është një masë që lehtëson trafikun në Tiranë dhe çfarë bën? Përveçse heq 60% të trafikut në qendër, duhet ta dini që të gjithë ata që përdorin makinat në mënyrë të përditshme në Tiranë, harxhojnë mestarisht 28 minuta në ditë në trafik do të thotë 1.5 deri në 1.7 litra karburant më shumë në ditë. Do të thotë 100 mijë lekë në muaj, se duhet bërë llogaria në fund të ditës. Edhe këtyre ne do t`ua kursejmë këto para, do t`ua lëmë në xhep të gjithë qytetarëve. E treta prioritet që kam është ndërtimi i çerdheve, kopshteve dhe shkollave, lumi Lana do rikualifikohet, vetëm dy kolektorë i duhen Lanës për të hequr atë erë që kuturbon gjithë qyteti. Paketa që kam për biznesin e vogël dhe të mesëm, sot kam nënshkruar dhe kontratën, për të ulur taksat dhe tarifat për 45 mijë subjekte, çfarë do të thotë? Minimalisht 45 mijë familje”, tha Këlliçi.
Teksa denoncimet për blerje vote dhe intimidim janë shtuar ditët e fundit, Belind Këlliçi u bëri thirrje qytetarëve të dalin të votojnë masivisht në 14 maj. Sipas tij, vota e tyre do të mbrohet nga opozita.