E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Të dielën zgjedhjet vendore, Ambasada Amerikane dhe BE me 24 vëzhgues në terren për të monitoruar votimin

Ambasada amerikane do të ketë 14 vëzhgues dhe 15 përkthyes ndërsa BE do të ketë 10 vëzhgues dhe 4 përkthyes që do të monitorojnë zgjedhjet vendore të së dielës 14 maj.

KQZ akreditoi sot dhjetra vëzhgues ndërkombëtarë dhe përfaqësues të ambasadave që ndodhen në Tiranë.

Instituti Demokratik Amerikan do të ketë 5 vëzhgues. Ambasada italiane 4 vëzhgues dhe 2 përkthyes, ndërkohë ambasada sllovene do të ketë 2 vëzhgues dhe 2 përkthyes.

Po sot u akredituan 98 përkthyes të OSBE/ODIHR.

Misioni që drejtohet nga Ambasadorja Audrey Glover dhe përbëhet nga një ekip bazë prej 13 ekspertësh me qendër në Tiranë dhe 24 vëzhgues afatgjatë, të cilët ndodhen në Shqipëri nga 13 prilli. Përveç kësaj, janë 300 vëzhgues afatshkurtër.

Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore zhvillohen për të zgjedhur 61 kryetarë bashkish dhe 1,603 anëtarë të këshillave bashkiake në të gjithë vendin. Kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë zgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë për një periudhë 4-vjeçare.

Për zgjedhjet vendore, zona zgjedhore i korrespondon ndarjes administrative-territoriale të bashkisë. Kryetarët e bashkive zgjidhen përmes një sistemi mazhoritar, kurse anëtarët e këshillave zgjidhen sipas një sistemi proporcional me lista të mbyllura. Numri i anëtarëve të këshillave bashkiakë që zgjidhen në çdo bashki përcaktohet në bazë të popullsisë dhe varion nga 15 në 61 mandate. Mandatet e këshillave vendorë ndahen mes partive dhe koalicioneve sipas metodës d’Hondt, kurse shpërndarja e mandateve mes partive brenda një koalicioni bëhet duke përdorur metodën Sainte- Laguë. 

Në një intervistë për emisionin “Pa Censurë” në RTSH të pak ditëve më parë, Celibashi deklaroi se kishte pritshmëri që pjesëmarrja të jetë më e lartë se 1.6 milionë votues

/Rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›