E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kelmendi botohet në Egjipt

Është botuar në Kajro të Egjiptit libri me poezi i poetit kosovar Jeton Kelmendi. Libri “Fevasil-lil-hadhf” që do të thotë “Pikat eliptike” është botuar nga edicioni i botimeve “Dar Sharqyat” dhe është botim ekskluziv.

Në parathënien e librit Dr. Sherif El-Xhejar, kritik dhe studiues i letërsisë bashkëkohore, shkruan se Jeton Kelmendi në përmbledhjen e tij poetike “Fevasil-lil-hadhf” ka paraqitur përvojën njerëzore me një vizion të botës ekzistenciale të ndarë në tri boshte kryesore: koha, fjala dhe mendimi, - pastaj atdheu, dashuria dhe ëndrra, të cilat i ka përfshirë në adresimin e tij poetik përmes poezive të tij të njëpasnjëshme. Ai më tej shkruan se, ajo që të bie në sy dhe që konsiderohet interesante në poezitë e Kelmendit është edhe besimi i tij për lirinë e shprehjes, lirinë e mendimit dhe mos kushtëzimit të fjalës.

Dr. Dherif El-Xhejar vlerëson se Kelmendi është një poet human, i preokupuar me hallet e njeriut bashkëkohor kudo dhe në çdo vend, e në veçanti i preokupuar për lirinë e tij në kohën e konfuzionit dhe absurditetit.

Nga ana tjetër poetja Heba Essam nga Kajro, pasi shpreh kënaqësinë që lexuesi arab ta ketë një libër të tillë, ndërsa poetin Kelmendi ta bëjë të njohur edhe për lexuesit egjiptian, ajo shprehet se ky është një poet, i cili ndjek rrugën e tij të veçantë, qoftë në aspektin filozofik e qoftë në atë human, i cili me të vërtetë të lëndon me pikëllim të thellë dhe të pjekur, të argumentuar qoftë edhe me hollësi të imta, të ngulitura dhe të akumuluara në vet poezinë. Essam, më tej vlerëson se: “Kjo na çon në boshtin e shkrimeve të tij dhe tek lartësia e tij bazike fondamentale ‘Fjala’, e cila përsëritet në poezitë e tij dhe në formë të dukshme reflekton fillimin dhe përfundimet e saj.

Ndërkaq mediet arabe i kanë kushtuar një hapësirë të madhe librit të poetit kosovar Jeton Kelmendi, ndërkaq shkruhet dhe vlerësohet ky libër. Mostafa Babawy një poet maroken shkruan tek gazeta Lial-huls se edicioni i botimeve ‘Dar Sharqyat’, ketë verë u ka bërë dhuratë të mirë lexuesve arab me poezitë e Jeton Kelmendit. Babawy vlerëson poetin Kelmendi si njëri ndër poetët më të mirë të ditëve tona dhe e cilëson një poet me përvojë dhe stil shumë interesant.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›