E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flet i vëllai: Familja e Agimit, në vështirësi serioze ekonomike

Asllan Mekollari është vëllai i Agimit, oficerit të vrarë në krye të detyrës, ndërsa ishte duke demontuar predha në Pigaz të Skraparit. Ai tregon se i vëllai, Agimi, një oficer karriere kishte më shumë se tre vite që punonte posaçërisht me demontimet, ndërsa familja e Agimit, bashkëshortja dhe dy fëmijët janë sot pa asnjë të ardhur, pasi i vetmi person në familje i cili ishte i punësuar ishte Agimi.

Zoti Mekollari, prej sa kohësh punonte vëllai juaj Agimi me demontimin?

Agimi ishte një ushtarak karriere, me dhjetëra vite eksperiencë në ushtri. Ka pasur vetëm një periudhë shkëputjeje. Prej tre vitesh ishte i angazhuar në proceset e demontimit dhe kolegë të tij që kanë ardhur për ngushëllime, na thanë se ishte një ndër ekspertët më të mirë që kishin për një proces të rrezikshëm, siç është demontimi. Ai është një proces i rrezikshëm dhe aksidente të tilla ndodhin. Ne jemi shumë të prekur dhe të shokuar.

Fliste ndonjëherë me ju, në lidhje me vështirësitë e punës?

Nuk para preferonte të fliste. Vetëm kohët e fundit më ka thënë dy herë, lidhur me vonesat e dietave për orët shtesë. Ai në përgjithësi nuk ankohej edhe kur kishte vështirësi apo probleme. Por në rolin e kryefamiljarit dhe në kushtet kur në familje ishte i vetmi i punësuar, sigurisht që vonesat në pagesa i kanë shkaktuar pakënaqësi.

Në ç’situatë ekonomike ndodhet familja e vëllait tuaj?

Bashkëshortja e tij është e papunë, vajza vazhdon studimet e larta, ndërsa djali pret të shkojë në shkollë të lartë. Praktikisht, të vetmet të ardhura të shtëpisë siguroheshin prej Agimit dhe sidomos dietave dhe orëve shtesë, pasi ai preferonte të punonte sa më shumë edhe pse ishte larg familjes, për të sjellë të ardhurat e nevojshme për bashkëshorten dhe fëmijët. Bashkëshortja e tij merr një ndihmë modeste “kempi” dhe asgjë tjetër. Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria na mundësuan të gjitha shpenzimet e varrimit të vëllait, gjithçka ata e mbuluan dhe ju jemi mirënjohës. Megjithatë, ne do të kërkojmë edhe një zgjidhje për bashkëshorten dhe sidomos fëmijët e Agimit, pasi aktualisht ata janë mes katër rrugëve dhe pa asnjë opsion për të mbijetuar dhe punuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›