E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kemi qenë frankofonë në arkeologji!



Për herë të parë, arkeologia shqiptare pajiset me një monografi të përshtatur në anglisht. Deri tani shumë prej studimeve monografi, që zbardhin periudhat e ndryshme të historisë në Shqipëri janë përshtatur më së shumti në gjuhën franceze, por tanimë ky dimension zgjerohet edhe më. “The Fortifications of Butrint” (Butrinti dhe fortifikimet e tij) i autorit Gjerak Karaiskaj është libri i parë që ia prezanton arkeologjinë tonë botës anglosaksone.

Ky botim është promovuar dje në sallën qendrore të Akademisë së Shkencave në prani të shumë studiuesve, arkeologë e përfaqësues të tjerë të fushës. Nëpërmjet këtij botimi, shënohet edhe një hap më shumë në daljen e arkeologjisë shqiptare përtej kufijve. Arkeologu Neritan Ceka e ka vlerësuar librin si një mundësi që i ka dhënë një dimension të ri arkeologjisë shqiptare, duke u shprehur se “ne kemi qenë frankofonë në arkeologji, por në këtë rast dimensioni është anglosakson. Ky libër vjen nga një kohë e lumtur e arkeologjisë shqiptare, nga fillimi i viteve ‘70 kur janë bashkuar në Institutin e Monumenteve një grup i madh arkeologësh dhe studiues arkitekture, si Aleksandër Meksi, Apollon Baçe etj., për t’u krijuar një shkollë shqiptare e studimit të arkitekturës”. “The Fortifications of Butrint” është treguar nga studiuesit e arkeologjisë si rasti i parë i një monografie shqiptare në gjuhën angleze, një nismë që duhej ndërmarrë prej kohësh.

Ceka është ndalur në një çështje konkrete të asaj çfarë përfiton arkeologjia jonë në këtë hapësirë prezantimi, siç mund të jetë çështja e fortifikimeve.

“Ato janë të lidhura me proceset e urbanizmit dhe lëvizjeve shoqërore ekonomike dhe ka një gjithmonë një model të cilin ne e kemi preferuar për të ndarë një formë nga tjetra, si rezultat i zhvillimit ekonomik shoqëror, qoftë edhe mekanik, për të gjetur një lidhje mes epokës së bronzit dhe atyre të hekurit të hershëm, atyre qytetare dhe më pas për të vijuar të paktën deri tek fortifikimet e shekullit XXI-XIV ku mbyllet historia e lavdishme e fortifikimeve”, - tha arkeologu Neritan Ceka.

Në fakt për arkeologët ky është sensi që ka trajtuar Karaiskaj në librin e tij, duke e parë këtë si shkëputje totale nga ajo që u quajt evolucioni i tipit marksist, një botim që u qëndron epokave pavarësisht progresit dhe evoluimit të tyre. Ky libër ndalet në veçanti në pamjen e stilit të fortifikimeve, duke u dhënë më pak rëndësi çështjeve të evolucionit ekonomik, shoqëror që lidhet me fortifikimet. Fortifikimet vijnë të trajtuara që nga periudha prehistorike e deri tek fortifikimet veneciane. Një model është Butrinti, për të cilin arkeologu Neritan Ceka tha se “e vlerëson librin si mundësia ku Butrinti të shihet si një vend, ku të gjitha periudhat janë të bashkuara në një të vetëm”. “Mund të them se Gjeraku këtë e ka arritur, pra për herë të parë na ka dhënë një përpjekje për të vendosur një kronologji të plotë të të gjitha fortifikimeve, nga ato prehistorike, antike, të antikitetit të vonë dhe më pas tek periudha mesjetare deri në shek. XV, ku mbyllen periudhat e fortifikimeve në Butrint”. Në diskutimet e djeshme mbi librin u tha se mungesa e burimeve historike dhe dokumentacioneve të mjaftueshme kanë ndikuar në këtë studim, por nuk e kanë penguar në përpilimin e tij. “I gjithë ky studim është bërë kur dihet se ka mungesë të burimeve. Nëse i kthehemi zbulimeve historike, veç periudhës së krijimit të kolonisë romake, nuk kemi asnjë dokument tjetër për të gjithë antikitetin. Edhe në periudhën e mesjetës së hershme, Butrinti përmendet vetëm si një emër, por nuk lidhej me ngjarje historike. Rindërtimi i historisë së Butrintit vjen në bazë të monumenteve arkeologjike”, - tha Ceka, diskutimi i të cilit ishte mbështetës kryesor në vlerësimin e librit. Ndërkohë vetë autori Gjerak Karaiskaj thotë se këtë libër e lë tashmë në dorë të arkeologëve për ta gjykuar, e njohur më tej. Për këtë libër, “Butrinti dhe fortifikimet e tij” sipas autorit, plotëson një mungesë në arkeologjinë që studion monumentet në sipërfaqe. “Ky ribotim në anglisht është shumë i vlefshëm më tepër për studiuesit e huaj, që do të merren me studimin e Butrintit dhe fortifikime të tjera të Shqipërisë. Në këtë rast Butrinti ka një specifikë të veçantë, e ilustruar me shumë periudha ndërtimi, ku pothuajse çdo epokë përfaqësohet që nga prehistoria deri në periudhën e Ali Pashës”, - thotë Karaiskaj. Për studiuesin ky botim është thjesht një përpjekje pozitive, një rrugë prej nga duhet hyrë në çastin kur dija dhe informacioni lidhen dhe dalin në dritë edhe kur mungojë burimet.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›