E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kronikë e një dite të shënuar



Nëntor 1991. Po afrohej dita e shenjtë e flamurit, por ajo ditë e këtij viti nuk ishte si ditët e tjera. Ishte festa e parë e flamurit në liri pa thundrën komuniste. Në zemrat e vlonjatëve sundonte një shqetësim i madh. Kudo ndiheshin diskutime se cili flamur duhej të ngrihej, ai me yllin e komunizmit që sundoi vendin për gjysmë shekulli, apo flamuri pa yll i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit? Parlamenti ende nuk kishte vendosur se çfarë flamuri do të mbante kombi shqiptar.

Kudo bëheshin diskutime të zjarrta. Një pjesë e vogël fanatikësh, që u kishte mbetur ora në vitin 1945, mbronin tezën e flamurit me yll, ndërsa pjesa tjetër të kundërtën. Miti i komunizmit kishte filluar të shembej, por komunistët ishin ende në fuqi. Ata ishin të gatshëm të përdornin çdo lloj forme për të mbajtur pushtetin e tyre. Këtë e kishin treguar më 2 prill në Shkodër.

A do ta pranonte Vlora e 1912-s turpin që në shtizë të ngrihej flamuri i urryer i tradhtisë së madhe? Këtë shqetësim e ndiente pothuajse i gjithë populli i qytetit, por më shumë e ndienin ata që i provuan mbi trupat e tyre gjembat vdekjeprurës të këtij ylli, të përndjekurit politikë.

Shoqata e të Dënuarve Politikë të Vlorës iu drejtua partive dhe shoqatave opozitare për veprim të përbashkët. Përfaqësuesit e saj, së bashku me ata të Partive Demokratike, Republikane, shoqatës “Çamëria” dhe Sindikatave të Pavarura, i drejtuan një peticion Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Rrethit. Në atë peticion me një ton ultimativ, kërkohej ngritja e flamurit pa yll. Duke pasur shumicën në këtë komitet, të vetëquajturit socialistë refuzuan. Të njëjtin mendim shprehu edhe Partia Socialiste.

27 nëntor. Prologu i ndeshjes së madhe. Në shtizën e flamurit, me urdhër të kryetarit, vendoset flamuri me yll, por llogaritë ishin bërë gabim. Vlora kishte djem gjallë. I riu Xhemal Mustafaraj nga Vlora, së bashku me Fadil Ndreun nga Dibra, të dy të përndjekur politikë, hipën në shtizën e flamurit, grisën yllin nga flamuri kombëtar, e dogjën atë në mënyrë demonstrative dhe ngritën lart flamurin pa njollën e turpit. Një turmë e madhe i shoqëronte me brohoritje. Në mbrëmje vonë Komiteti Ekzekutiv dhe kryetari i tij detyrohen të pranojnë ngritjen e flamurit pa yll.

Po atë mbrëmje në mbledhjen e Komitetit Organizator u diskutua se kush do ta ngrinte flamurin. Mendimet ishin të ndryshme. Dikush thoshte se duhej ta ngrinte njëri prej të rinjve që grisën yllin e flamurit. Një tjetër propozoi që të ngrihej nga një prej përfaqësuesve të vjetër nacionalistë të shoqatës. Së fundi, njëri propozoi që të ngrihej prej një djaloshi të ri nga një familje njohur me tradita kombëtare. Njëzëri u vendos që ky të ishte Altin Kokoshi, nipi i Qazim Kokoshit, firmëtarit të aktit të pavarësisë më 1912, udhëheqësit të luftës së Vlorës më 1920, armikut të komunizmit që dha jetën në burgun e Vlorës.

Atëherë u ngrit një i moshuar dhe shprehu mendimin e rrezikut që paraqiste një vendim i tillë. Sigurimi i Shtetit ishte akoma në veprim. Ngjarjet e muajve të fundit e kishin treguar këtë. Nuk mund të rrezikohej jeta e një djali, aq më tepër që ishte i vetmi i familjes së tij. Në këtë çast ngrihet i ati i djalit, i paharuari Burim Kokoshi i cili tha:

- Në rast se djali im duhet të vdesë, kjo është vdekja më e bukur!

Askush nuk pati kurajo të kundërshtonte.

28 Nëntor. Qyteti u gdhi i mbushur me flamurë pa yje të vendosur gjatë natës nëpër pikat dominuese të tij. Në sheshin historik filluan të grumbulloheshin njerëzit, duke mbajtur në duar flamurë të vegjël pa yll, të përgatitur që më parë.

Ora 10:00. Kryetari i Komitetit Ekzekutiv dhe personat që e shoqëronin drejtohen për në shtizën e flamurit. Por, papritmas, një grup i madh u ndërpret rrugën. Janë ish-të dënuar politikë. Një pjese prej tyre diktatura u rrëmbeu njerëzit më të dashur. Të tjerët i bëri të vuajnë duke i syrgjynosur në burgjet dhe kampet e tmerrshme. Bashkë me ta edhe demokratë të tjerë që u ngritën kundër kësaj diktature. Aty, në këmbët e shtizës së flamurit, zhvillohet dialogu i mëposhtëm:

- Zoti Kryetar! Në emër të të përndjekurve politikë dhe këtij populli që është mbledhur këtu, ju nuk do ta ngrini flamurin.

- Kush do ta ngrejë atëherë?

- Atë do ta ngrenë duart e atyre që nuk janë njollosur me gjakun e këtij populli.

Kryetari shtriu përpara duart e tij dhe pyeti:

- Po duart e mia a janë të përgjakura? Unë nuk kam vrarë njeri.

- Edhe në qoftë se nuk keni vrarë, i keni shërbyer asaj partie që vrau një komb të tërë. Ndaj, duart e atyre që kanë ngritur flamurin e komunizmit, nuk do të ngrenë flamurin e Ismail Qemalit! Ky flamur është yni.

Kryetari u detyrua të tërhiqej.

Ndërkaq, ndërsa qendra e zërit transmetonte himnin e flamurit, duart e njoma dhe të pastra të Altin Kokoshit ngritën lart flamurin kombëtar.

Sheshi filloi të buçiste nga duartrokitjet dhe brohoritjet. Kudo ndiheshin përqafime, urime dhe këngë patriotike. Kurora me lule të bukura mbulojnë varrin e Plakut të Vlorës. Pastaj jashtë çdo zyrtarizmi, në podiumin para monumentit të pavarësisë hipin ata që për 50 vjet e kishin të ndaluar edhe të flisnin apo mendonin ndryshe. Ata nuk i caktoi njeri për të dalë aty. Dolën me dëshirën e tyre për të shprehur atë që mendonin prej vitesh. Së fundi, një vizitë e përbashkët në Muzeun e Pavarësisë.

Kështu u mbyll kjo ditë historike dhe mua, një pjesëmarrës i saj, do të më mbetet si kujtimi më i bukur i jetës sime.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›