Bashkia e Tiranës përgatit terrenin për bojkotim të punës
Rreth 2633 nëpunës dhe punonjës të Bashkisë së Tiranës kanë përgatitur terrenin për të bojkotuar punën, duke mos ofruar asnjë lloj shërbimi ndaj qytetarëve të Tiranës. Duke nënshkruar një peticion ku i kërkojnë qeverisë “Berisha” ndaljen e agresionit verbal ndaj këtij institucioni, punonjësit e drejtuar nga kreu i bashkisë dhe kryeopozitari Edi Rama, kanë dhënë shenjën e parë të paralajmërimit të bojkotimit të punës, çka ishte deklaruar më parë nga burime brenda bashkisë për gazetën “standard”. Punonjësit e administratës, por edhe të drejtorive vartëse, deklarojnë në peticion se Kryeministri Sali Berisha po përbalt punën e tyre dhe po godet dinjitetin e familjeve. Deklarata vazhdon më tej duke theksuar se në rast të mosndaljes së këtij agresioni, peticioni do t’i dërgohet trupit diplomatik në Shqipëri dhe instancave ndërkombëtare.
Peticioni mban emrin e drejtoreshës së Përgjithshme të Shërbimeve Mbështetëse, Viola Haxhiademi. Në emër të rreth 3 mijë punonjësve drejtoresha shkruan në peticion këta nëpunës dhe punonjës të Bashkisë së Tiranës kërkojnë respektimin e dinjitetit njerëzor dhe profesional. Në peticion shkruhet: “Ne, nëpunësit dhe punëtorët e Bashkisë së Tiranës kërkojmë vëmendjen e opinionit publik shqiptar dhe partnerëve ndërkombëtarë, mbi kulminacionin e një fushate akuzash e shpifjesh që prej vitesh të tëra lëshohen drejt Bashkisë së Tiranës, ndërmarrjeve të saj të varësisë, punonjësve dhe drejtuesve të saj, duke marrë përmasa poshtëruese për të gjithë ne, ditët e fundit”.
Më tej, peticioni vazhdon duke bërë pasqyrë të punëve që janë të ngarkuar të kryejnë çdo ditë. Ata deklarojnë se përmes punës shpeshherë pa orar dhe përkushtimit ndaj detyrës, ndërtojnë çdo ditë Tiranën që duan të gjithë, por që fatkeqësisht janë gjithashtu ata që kur kthehen në shtëpi, duhet të dëgjojnë nga ekranet e televizorëve akuza monstruoze që i prekin të gjithëve, të cilat prej vitesh u kanë trazuar shpirtërisht e madje familjarisht.
Punonjësit e bashkisë deklarojnë se duke punuar çdo ditë nën trysninë e përbaltjes së politikës, që për interesat e saj lëshohet ndaj Bashkisë së Tiranës, dhe me ndjenjën e lartë të detyrimit ligjor, moral e profesional, për të garantuar shërbime gjithnjë e më të mira për qytetarët e Tiranës shprehen: “Kërkojmë publikisht në emrin tonë, të familjeve tona e të rrethit tonë shoqëror ndaljen e agresionit të patolerueshëm verbal, të akuzave ekstreme e të shpifjeve vulgare ndaj pushtetit vendor që ne përfaqësojmë, nga ana e qeverisë qendrore. Sensibilizimin e opinionit publik mbi karakterin antikushtetues, antiligjor, antiqytetar, madje antinjerëzor të kësaj përbaltjeje që në fakt godet çdonjërin nga ne, 2633 të padukshmit që cënohemi në punën, në dinjitetin e në familjen tonë. Informimin e të gjithë trupit diplomatik në Shqipëri dhe organizmave të tjera ndërkombëtare, mbi shkeljet flagrante të përditshme të lirive e të të drejtave tona si njerëz që shohim e bëjmë punën tonë, e cila është sot e kushtëzuar edhe nga shkelje të pajustifikueshme të Kushtetutës e të Kartës së Autonomisë Vendore”.
Fluks rastesh me A/H1N1
Çdo ditë paraqiten 60 raste në QSUT
Shtohet fluksi i rasteve me virusin A/H1N1 që paraqiten në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje për vaksinim masiv të qytetarëve. Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, ka bërë me dije dje se në spitalin infektiv paraqiten çdo ditë 50-60 raste që shfaqin shenjat e gripit të derrave. Sipas Dashit, spitalet universitare i kanë trajtuar të gjitha rastet ndërsa është e gatshme të përballojë fluksin edhe në rast epidemie. “Mesatarisht nga 18 raste në ditët e para në 50 deri 60 raste në ditët e mëvonshme dhe deri në 110 raste në ditët në vazhdim. Drejtoria e QSUT-së është e gatshme të përballojë sipas evolucionit të dinamikës së gripit A/H1N1, raste të tjera të sëmundjes konform planit të emergjencës që parashikon edhe faza C e saj. Kjo fazë përfshin vënien në dispozicion të mjaft shtretërve në të gjitha pavijonet e ndërtesës së shërbimit infektiv. Deri tani situata është përballuar mirë në të gjitha drejtimet”, - shpjegon drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi. Për shefin e shërbimit infektiv në QSUT, doktor Dhimitër Krajën, situata nuk është alarmante. Javën e fundit, sipas dr. Krajës, janë paraqitur 5 raste të rënda ku katër prej tyre tashmë janë jashtë rreziku për jetën. “10-15 për qind e rasteve që paraqiten çdo ditë shtrohen. Prej tyre raste të rënda ose shumë të rënda janë një përqindje shumë e vogël 0.2-0.5%. Javën e fundit kemi pasur rreth 5 raste të rënda. Tashmë 4 prej tyre janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa njëri prej tyre është ende në kurim”, - shprehet doktor Dhimitër Kraja. Në shërbimin infektiv prej ditësh ka nisur të funksionojë njësia e emergjencës ku trajtohen rastet me gripin A/H1N1, njësi e cila ka lehtësuar trajtimin në kohë të shumë rasteve me forma të theksuara të virozës.