Kënaqet me pak

Lorik Cana më në fund arriti të luajë nga minuta e parë me skuadrën e Lazios në Serie A, që prej transferimit nga klubi turk Galatasaray gjatë afatit kalimtar të kësaj vere.
Reprezentuesi shqiptar ndihet i kënaqur me paraqitjen e tij të parë si titullar në fanellën e klubit romak, edhe pse luajti vetëm 45 minuta dhe u zëvendësua nga Cristian Brocchi me të filluar pjesa e dytë.
“Objektiv imi ishte që ta filloja mirë sprovën e parë të kampionatit. Kam luajtur paksa në krah, edhe pse zakonisht luaj në qendër, por është trajneri ai i cili vendos. Të gjithë lojtarët kemi kualitete të mira. Unë ndihesha me të vërtetë mirë në fushë. Është një grup fantastik futbollistësh dhe kur luajmë, gjithmonë e japim maksimumin. Me një sistem paksa ndryshe, luajtëm mirë”, deklaroi Cana për ueb faqen italiane lalaziosiamonoi.it.
Ish futbollisti i PSG, i Marseille, i Sunderlandit e i Galatasarayt luajti në pozitën e mesfushorit të djathtë përkrah Matuzalemit e Ledesmas dhe thotë se u përshtat mjaft mirë me ta. Përfaqësuesi shqiptar beson se Biancocelestët e merituan fitoren në barazimin pa gola ndaj Palermos.
“Ishte një ndeshje ku e merituam të fitonim kundër një kundërshtari të mirë. Nuk ishte e lehtë. Ne do të vazhdojmë të punojmë të gjithë të bashkuar, duke shpresuar që rezultatet do të vijnë. Shpresoj që në të ardhmen të kemi më shumë fat dhe t’i mbyllim ndeshjet më herët. Nuk ishte e lehtë të fitonim ndaj Palermos”, vazhdoi Cana i cili u zverdh në minutën e 18-të ndaj Palermos.
Ai mendon se Lazion e pret një tjetër sfidë e vështirë të enjten kundër Sporting Lisbonës në Europa Ligue dhe një tjetër mjaft e vështirë kundër Fiorentinës në fundjavë. Ndërkohë, trajneri Edy Reja në një intervistë ka folur edhe për Canën, i cili nuk bindi edhe aq në ndeshje me Palermon.
“Cana është mesfushor i qendrës, por në atë pozitë kam tashmë Ledesman e Matuzalemin. Mund të luajë në krah, por është një lojtar i imponuar për të luajtur fizikisht, kështu që ka nevojë të luajë për ta përmirësuar gjendjen e tij fizike”, tha trajneri italian.
Cana ishte transferuar këtë verë nga Galatasaray në Lazio. Tifozët e kësaj të fundit kishin pritur shumë nga mesfushori kosovar, i cili ende nuk i ka treguar vlerat e tij në Serie A.