E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këngët epike në kontekstin modern këndohen në Pallatin e Kongreseve

Koncerti është konceptuar nga akademiku VasoTole, me regji të mjeshtrit Pali Kuke dhe me ekzekutim skenik nga ana e grafistëve dhe projektuesve në teknologjinë 3D më me emër në Hollywood, si Bart Kresa, David Beaudry, Adam Kuczek, Ergin Kuke

Këngët epike në kontekstin modern këndohen në Pallatin e Kongreseve

Këngët epike do të shfaqen sonte në një kontekst skenik modern në sallën e Pallatit të Kongreseve, në një koncert të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes me rastin e 99-vjetorit të themelimit të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe mbajtjes së Ministerialit të A5-ës në Durrës me datë 8 dhe 9 dhjetor. Koncerti është konceptuar nga akademiku VasoTole, me regji të mjeshtrit Pali Kuke dhe me ekzekutim skenik nga ana e grafistëve dhe projektuesve në teknologjinë 3D më me emër në Hollywood, si Bart Kresa, David Beaudry, Adam Kuczek, Ergin Kuke etj. Koncerti realizohet nën kujdesin e veçantë të ministrit të Mbrojtjes, z.Arben Imami. Ky koncert me muzikë popullore tradicionale shqiptare është një risjellje në skenë e gjinive dhe tipologjive muzikore, të cilësuara si “perla” të trashëgimisë shpirtërore të shqiptarëve. Për realizimin e këtij koncerti janë grumbulluar mbi 160 artistë nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët do të ngjiten sot në skenë. Koncerti nuk do të jetë vetëm një rivitalizim i flokut shqiptar nëpërmjet një trajtese moderne. Këto vlera shpirtërore janë dëshmi e identitetit kulturor europian të shqiptarëve, të dhënë përmes një larmie kulturore të mahnitshme, llojesh dhe formash, një pjesë të të cilave do t’i ndiqni gjatë koncertit. Kështu, hap pas hapi, nga njëri numër në tjetrin do të bëni një udhëtim tingullor në hapësirën kulturore dhe historike të këtyre dymijë viteve të fundit, e ndoshta edhe më thellë. Programi është fokusuar tek këngët epike, legjendare, heroike. “Epet” me lahutë të shkëputura nga “Eposi i Kreshnikëve” (ky monument shpirtëror origjinal i homofonisë sonë veriore legjendare qindravjeçare), do të sjellin atmosferën legjendare të bjeshkëve dhe të bëmave të kreshnikëve përmes tingujve, veshjeve dhe zërave të lahutarëve, të cilët duket sikur udhëtojnë bashkë me kohën. Krahas tij, këngët maje-kraje, kërcimet pa muzikë dhe larmia e formave dhe varianteve të iso-polifonisë vajtimore të krahinave toske do të na çojnë në kohën e ritualeve vajtimore të kohës së Homerit. Vendin e tyre do ta zënë më pas vallet arkaike, veglat magjike të fyejve, fjalët e kënduara të ngrohura me mesazhe për jetën dhe vdekjen me nder për atdheun, për jetën dhe dashurinë, por edhe si dëshmi artistike të historisë së re të shqiptarëve nga veriu në jug.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›