E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këngët shqiptare imitojnë pop-in Evropian

Enrico Ruggeri, i ftuar në Festivalin e RTSH-së. Kantautori italian në një intervistë për “Shekullin” rrëfen bashkëpunimin me regjisorin Xhuvani për kolonën zanore të filmit “Lindje- Perëndim-Lindje”. Për Ruggerin këngët duhet të japin më shumë nga kultura shqiptare

Këngëtari italian Enrico Ruggeri nuk u gjend rastësisht dje në skenën e Festivalit të 47-të të Këngës në RTSH. Ishte bashkëpunimi me regjisorin Gjergj Xhuvani që lidhi këtë emër të njohur të muzikës italiane me kulturën shqiptare. Këngën “Fluturimi i fundit” që ai interpretoi dje jo live, në duet me Elsa Lilën, e ka shkruar për të qenë kolonë zanore e filmit “Lindje-Perëndim-Lindje”, tashmë në postproduksion, të regjisorit shqiptar Gjergj Xhuvani. Së bashku me hitin “Balalaika” ishin dy pjesët me të cilat Ruggeri përshëndeti mbrëmë publikun shqiptar. Kënga “Volata finale” (titulli origjinal) është interpretuar në dy gjuhë, italisht dhe shqip dhe është pjesë e albumit të fundit “All in” që Ruggeri do ta hedhë në qarkullim në janar.

Takimi me këngëtarin italian fillimisht ishte i pamundur për arsye që organizatorët e festivalit i quajnë objektive. Sipas tyre, Ruggeri kishte firmosur me TVSH-në një kontratë e cila “parashikonte” që këngëtari italian vetëm do të këndonte. Megjithatë një gjë e tillë doli që ishte sajesë.

Gjatë provave për natën finale të festivalit, këngëtari i ulur diku në radhët e mesit të Pallatit të Kongreseve pranoni me kënaqësi ftesën për të biseduar mbi vizitën e parë në Shqipëri dhe përshtypjet që i la festivali shqiptar.

Zoti Ruggeri, sapo mësuam se vizita juaj e parë në Shqipëri ka lidhje me bashkëpunimin me Gjergj Xhuvanin. Keni shkruar një pjesë të kolonës zanore të filmit të tij të fundit. Si u takuat ju të dy?

Regjisorit Gjergj Xhuvani i pëlqente muzika ime. Ai erdhi më kërkoi së bashku me producentin italian dhe kështu u njohëm. Kjo është e para muzikë filmi që bëj. Më parë kam bërë shumë gjëra, kam bërë rreth 27 albume, por kurrë një gjë të tillë. Kështu që ishte një mundësi e mirë, ishte një debutim i bukur. Ishte një mundësi për të bërë një gjë të re në jetë. Kënga titullohet “Volata finale” dhe është kolona zanore e filmit, “Lindje- Perëndim-Lindje”. Më pas menduam që kjo këngë të realizohet në duet me Elsa Lilën. Sot është hera e parë që kënga këndohet në publik.

Përpara se të takoheshit me Xhuvanin çfarë dinit për Shqipërinë, për muzikën e saj?

Njihja vetëm Elsa Lilën sepse ajo është e njohur edhe në Itali, ndërsa muzikën shqiptare e njihja shumë pak. Njihja njëfarësoj muzikën ballkanike në përgjithësi, por nuk e dalloja çfarë ishte shqiptare, bosnjake apo greke.

Ju e ndoqët festivalin. Jemi kuriozë të dimë ç’mendoni?

Festivali më pëlqeu shumë, skenografia, dritat, audioja edhe salla ishte e bukur. Disa këngë më pëlqyen më shumë, disa më pak. Më pëlqyen më shumë ato që ishin më personale, ku ndjehet kultura shqiptare. Ndërsa këngët që përpiqen që të imitojnë popin gjerman, italian evropian, m’u dukën të dobëta. Për sa i përket muzikës ajo duhet t’i tregojë botës se çfarë është ShqipëriaMë pëlqeu kënga e Ëest Side Family, kishte shumë Shqipëri brenda saj.

E dini që kënga fituese e festivalit të RTSH, shkon në Eurosong dhe ka një lloj “lufte” për këtë?

Po, dhe kjo është një gjë e bukur. Është mëkat që Italia nuk shkon në këtë konkurs. Unë kam marrë pjesë në Eurosong në vitin 1993, me “Mistero”. Është një eksperiencë e bukur. Kush fiton këtu do të shkojë në një vend ku do të dëfrehet dhe do të mësojë shumë.

Përse Italiaprej vitesh nuk merr pjesë në konkursin e këngës evropiane?

Nuk e di. Ndoshta sepse publiku italian nuk e ndjek Eurofestivalin, dhe kështu që RAI nuk ka dërguar më asnjë. Për mua është një festival dëfryes. Muzika nuk është e ndonjë cilësie të lartë, mirëpo bën xhiron e Europës.

Mendoni se festivali është një vend që nxjerr në pah vlerat e vërteta të këngëtarëve apo është tregu muzikor ai që bën një gjë të tillë?

Festivali mund të jetë një trampolinë e mirë, por janë njerëzit dhe koha ata që vendosin. Kur një këngë dëgjohet edhe pas dhjetë apo njëzet vjetësh atëherë do të thotë që është një këngë e bukur. Mendoj se është tregu muzikor ai që vendos, megjithatë mund të niset edhe nga festivali.

Ju keni shumë bashkëpunime me emra të njohur të muzikës italiane. Na tregoni diçka për fjala vjen nga përvoja me emra si Loredana Berte, Anna Oxa...

Po, kam bashkëpunuar me shumë prej tyre si Mina, Loredana Berte, Fiorella Manoia,Anna Oxa, Gianni Morandi etj. Unë kompozoj shumë muzikë dhe jo gjithmonë arrij ta vendos të gjithë në disqet e mia kështu që shpesh ia besoj edhe të tjerëve.

Do të merrni pjesë këtë vit në Sanremo?

Jo, jo. Në festival shkohet ndonjëherë. Unë kam qenë pesë vjet më parë.

Do të kthehem një ditë. Nuk është se më të mirët shkojnë në Sanremo, shkojnë ndonjëherë.

Cili është projekti juaj i fundit?

Është disku “All in”, që del në janar, në të cilin gjendet edhe kolona zanore e filmit Lindje-Perëndim-Lindje. Këngë që normalisht bën fjalë për filmin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›