E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përvjetori i 50-të i Estradës së Shkodrës

Është festuar në Shkodër 50-vjetori i krijimit të Estradës Profesioniste të qytetit, një ndër më të njohurat në vend. Me një koncert variete, ku merrnin pjesë artistët më të mirë të humorit shkodran dhe këngëtarët më të njohur të këtij qyteti, bashkia Shkodër dhe Teatri “Migjeni” kanë kujtuar 50-vjetorin e njërës prej bërthamave kryesore të sistemit të estradave, traditë e strukturave kulturore të realizmit socialist.

Repertori i interpretuar në vite, çmime për të gjallët dhe homazhe nga Këshilli Bashkiak për ata që nuk jetojnë më aktorë, regjisorë, skenografë, libretistë etj, që kanë punuar dhe dhënë kontribut për këtë estradë. Emocione e nostalgji kanë shoqëruar spektaklin “50 vjet këngë e humor”.

Estrada profesioniste e Shkodrës u krijua si trupë e veçantë më 6 qershor 1958. Më 14 nëntor 1958 u dha premiera e parë e saj me titull “Në pavijonin e operacionit të zemrës”, me regji të Paulin Sekajt, drejtues muzike Mark Kaftalli, skenograf Lec Fishta. Që nga ky vit, kjo trupë ka dhënë 224 premiera në të gjithë qytetet e vendit, si dhe në shumë fshatra. Aktorët aktualë të kësaj trupe si Zef Deda, Zyliha Miloti, Besnik Çinari, Drande Xhaj, formacioni orkestral i drejtuar nga Ilirjan Zoga, këngëtarët shkodranë të disa brezave sollën kujtimet në këtë ditëlindje të 50-të të një prej trupave humoristike më të njohura në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›