Shirat e dhjetorit, dëmtojnë dy monumente kulture
Dy objekte Monument Kulture janë dëmtuar nga shirat e dhjetorit. Bëhet fjalë për Urën e Bratajt dhe Ujësjellësin e Vranishtit. Specialisti i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Vlorë, Novruz Bajrami, pohon se objektet datojnë përkatësisht në shekullin e 16 dhe fundshekullin e 18, ndërsa prej vitit 1977 ato janë shpallur “Monument Kulture”.Më tepër i dëmtuar është ujësjellësi i Vranishtit. Objekti është ndërtuar në periudhën e Ali Pashë Tepelenës dhe ka vlera ndërtimore, estetike dhe funksionale. Ai përbëhet nga 6 harqe, 8 m të lartë dhe 9 dritare. Është i gjatë 5 km, ndër më të gjatët në vendin tonë, sipas të dhënave që japin specialistët rajonalë të monumenteve.
Para dy vitesh objekti u përfshi në një fazë restaurimi, por shirat e fillimdhjetorit, e kanë dëmtuar tërësisht në një pjesë të tij. Rreth 16 metra është dëmtuar dhe ka rënë në ujërat e lumit.
Ky ujësjellës që vazhdon të jetë funksional, shërben për vaditjen e 5.5 ha tokë që nga fushat e Tërbaçit dhe ato të Kallaratit.E dëmtuar më pak, është Ura e Bratajt. Shirat kanë dëmtuar parapetet e saj në masën 90%. Kjo urë daton e shekullit XVI dhe ndodhet në afërsi të fshatit Brataj. Prej mëse 5 shekuj ajo është funksionale. Si urë kalimi lidh dy anët e lumit Shushicë, rrugën e vjetër të Karvaneve me atë të Rrëzës. Është e lartë mbi 9 m dhe e gjatë, afërsisht, 30 m. Të dy monumentet u dëmtuan nga shirat e dhjetëditëshit të parë të dhjetorit, ku në zonën që ndodhen objektet u përmbytën fusha me drithëra e u dëmtuan segmente rrugore.
Ura e Bratajt dhe ujësjellësi i Vranishtit janë dy nga 105 monumentet e kulturës që numëron rrethi i Vlorës. Pjesë e tyre janë dy qytete antike, 13 kala, dy mbishkrime në shkëmb, 5 vendbanime historike, 17 objekte kulti, 5 ura e ujësjellësa, 56 banesa ansamble urbane, 1 qytezë, 1 fshat rrënojë, 2 mozaik të periudhës paleokristiane, 1 monument historik.
Për 80 objektet është bërë inventarizimi shkencor e regjistrimi elektronik.
Fakti që këto janë monument kulture, ka bërë që të hyjnë në fondin emergjent për riparime, duke pritur edhe një grup nga Instituti i Monumenteve të Kulturës për të bërë vlerësime,ndërsa specialistët thonë se një restaurim i dytë premton ruajtjen e tyre, por jo kthimin në identitet në masën një qind për qind.