E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së së Librazhdit bashkohet me PDK-në



Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike në Librazhd, Daut Bardhoshi, është bashkuar me strukturat e Partisë Demokristiane. Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, nga ana e tij, e ka cilësuar këtë lëvizje si një dështim të liderit demokrat Sali Berisha. “Një kryeministër që në tri zgjedhje bën tri deklarata të ndryshme, shpreh krizën jo vetëm si drejtues i PD-së, por edhe si politikan. Në vitin 2001, kohë në të cilën unë drejtoja Grupin Parlamentar të reformatorëve, Berisha, gjatë takimeve të zhvilluara në zonën time elektorale, deklaroi se vota për Nard Ndokën është votë për Fatos Nanon. Në vitin 2005, kur si koalicion u grupuam kundër së majtës në pushtet, Berisha deklaroi se vota për Ndokën është votë kundër së majtës, është votë për Sali Berishën. Ndërsa sot, në një miting të zhvilluar po në zonën time elektorale, deklaron se vota për Ndokën është votë për Edi Ramën. Berisha është kthyer në një Nastradin, që me trillimet e tij kërkon t’u imponojë shqiptarëve votën dhe lirinë e mendimit”,- theksoi Ndoka.
Më tej, gjatë fjalës së tij, kreu i demokristianëve theksoi se është pikërisht lideri demokrat Berisha që ka bërë marrëveshje me Ramiz Alinë dhe është futur prej tij për të marrë drejtimin e PD-së. Ka bërë marrëveshje me Fatos Nanon, duke krijuar një kosto shumë të madhe për vendin, ka bërë marrëveshje me kryetarin e PS-së, Edi Rama, për ndryshimin e Kushtetutës në Shqipëri, në dëm të qytetarëve. “Është koha për t’i dhënë mundësi vendit të ecë përpara, është koha për alternativa të reja”, - është shprehur Ndoka gjatë një takimi në Librazhd.
Ndërsa ish-sekretari i Përgjithshëm i PD-së, dega Librazhd, Daut Bardhoshi, i cili prej 18 vjetësh aderonte në strukturat demokratike dhe iu bashkëngjit strukturave demokristiane, deklaroi se në Partinë Demokratike nuk ka më demokraci dhe votim të lirë.

16 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›