Këngëtarët regjisorë, pushtojnë tregun me klipe të sajuara
Krijimtaria muzikore shqiptare është në mes të kaosit dhe udhëkryqit. Tregu muzikor është i mbushur nga muzika jo me vlera të vërteta dhe i është nënshtruar tërësisht shitjes dhe fitimit nëpërmjet muzikës së rëndomtë, ndërkaq që ai ka lënë pas dore muzikën me vlerë dhe nuk e promovon atë aq sa duhet. Kjo është ajo që shihte sot në tregun muzikor shqiptar,
i cili për publikun vjen me ritme dhe ngjyra nga më të ndryshmet. E ndërkohë që tingujt janë në pjesën më të madhe të tyre të kopjuar dhe nuk janë origjinalë shqiptarë, po ashtu para publikut vijnë dhe klipe të ndryshme të sajuar bukur dhe me ngjyra, një miksim i vërtetë që nuk përshtatet aspak me fabulën e këngës. Artistët profesionistë dhe të njohur të muzikës shprehen se sot në ekranet televizive shqiptare për publikun vijnë lloje të ndryshme klipesh, që këndohen nga këngëtarë, të cilët në pjesën më të madhe janë pseudokëngëtarë dhe shumë pak kanë mbetur ata që janë këngëtarë të mirëfilltë. Vlerat muzikore kanë humbur para komercialitetit, pasi shumë këngëtarë kanë harruar tashmë dhe traditën e tyre. Klipe të ndryshme që vijnë dhe shtohen çdo ditë, por që në pjesën më të madhe janë pa vlera artistike. Nëse do të shikonin një ditë një prej televizioneve që shfaq muzikë në 24 orë, për publikun serviren klipe muzikore, të cilat në shumë raste lënë për të dëshiruar, e ndërkohë që kjo gjë pohohet dhe nga specialistët e njohur të muzikës. Për regjisorin Nikolin Gurakuqi, sot tregu muzikor ka shumë probleme. Sipas tij një këngëtar duhet patjetër që të shkojë tek regjisor dhe të mos bëjë vetë regjisorin për të realizuar klipin e tij. Ka klipe të mira, por ka dhe nga ata që janë pa nivel artistik. Kjo ndodh në rast se këngëtari bëhet dhe vetë regjisor, duke harruar që ai është këngëtar dhe realizmin e klipit duhet tia lërë profesionistit. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të kemi klipe të mira dhe me nivel artistik. Me atë që ne shikojmë sot, në pjesën më të madhe ato nuk përshtaten me fabulën e këngës. Klipi për mua është si një film me metrazh të shkurtër dhe që ai të jetë sa më profesional duhet patjetër që të realizohet nga një profesionist. Kemi klipe si të Juliana Pashës, apo të Ingrid Gjonit, të cilat janë të realizuara shumë mirë dhe me një nivel artistik të lartë. Nga ana tjetër kemi dhe klipe të cilat lënë për të dëshiruar. Më duket sikur këto klipet që realizohen me këngën popullore janë si përralla me mbret, nuk shihen dot. I takon dhe shtëpive diskografike që të marrin profesionistët, pohon ndër të tjera regjisori i njohur Nikolin Gurakuqi. E ndërkohë që realizmi i një klipi kushton rreth 3 mijë euro, por kur nga këngëtari pretendohet që të sillet një klip profesional, ai që vjen në shumë raste është pa nivel artistik. Ndryshe nga klipet e krijimtarisë popullore, të rinjtë që merren me rryma si ajo rep, kanë sjellë klipe të realizuara në pjesën më të madhe me nivel profesional. Ndërkaq duke parë sot tregun muzikor shqiptar mund të themi se më e lehtë është të imitosh se sa të rikrijosh? Krijohet muzikë mbi muzikë, e reja mbi të vjetrën, modernia mbi folklorin shqiptar. Të krijosh nota mbi muzikën popullore nuk është edhe aq e vështirë, por të ruash vlerat e saj të pacenuara pas rikrijimit është diçka që rrallë ndodh. Me gjithë tregun e madh që ka gjetur kjo rrymë e re e muzikës në vendin tonë, këngët e njëpasnjëshme që dalin dita-ditës ngjasojnë si pika uji dhe asnjëra prej tyre nuk të mbetet në vesh për shumë kohë. Është mbase muzika më jetëshkurtër, e cila aq lehtë sa lind edhe vdes. Në qindra albume që mbushin vitrinat e dyqaneve të muzikës, ku nuk duhet mohuar se secila prej tyre ka kategorinë e blerësve të vet, vështirë se gjen një album që vërtetë të ketë vlera të rezistueshme ndaj kohës, pasi shumë këngë janë të kopjuara nga muzika sllave, bullgare etj.
Nga Julia Vrapi