Këngëtarja e njohur korçare feston sot 68 vjetorin e lindjes

Në 3 shkurt të vitit 1953 ka lindur këngëtarja e njohur korçare Fatbardha Hoxha. Që në moshë të re ajo spikati me zërin e saj melodioz. Kur ishte vetëm 15 vjeçe, Fatbardha filloi punë si soliste në estradën e Korçës, duke iu bashkuar grupit të këngëtarëve të talentuar, si Spanja Pipa, Donika Zëre, Mihallaq Zallëmi, Apostol Simoni, e shumë të tjerë, të cilët kanë dhënë një kontribut të madh në fushën e muzikës, në ruajtjen e traditës së këngës popullore, e qytetare. “Ishte muzika ajo që na lidhi bashkë” – shprehet këngëtari i njohur korçar, Dhimitër Disho, bashkëshorti i Fatbardha Hoxhës, i cili njëkohësisht ka qënë edhe koleg i saj.
Një prej kolegëve të Fatbardhës, që në fillimet e jetës së saj artistike është At Spiro Katundi, i cili ka një urim për të, në ditën e saj të lindjes.
Fatbardha Hoxha ka qënë këngëtarja e parë që ka përfaqësuar qytetin e Korçës, në festivalet e Radios fillimisht, në festivalin e 9-të dhe të 10-të, në vitet 1969 dhe 1970, e më edhe në Festivalet e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, duke korrur sukses me pjesmarrjet e saj. Një nga këngët më të njohura për publikun, ka qënë kënga “Gëzuar” e Avni Mulës, pjesmarrëse në festivalin e 10-të, si dhe dueti me Gjergji Suliotin “Përherë me këngë”, në festivalin e 15-të, ku Fatbardha ka qënë dublante e këngëtares së madhe Vaçe Zela, këngë e cila fitoi çmimin e tretë në këtë festival.
Fatbardha Hoxha ka marrë pjesë në shumë kompeticione kombëtare e ndërkombëtare me Ansamblin Skënderbeu si dhe ka dhënë një kontribut të madh në ruajtjen dhe përcjelljen në breza të serenatës korçare. Stafi i RTSH Korça, përmes kësaj kronike i shpreh urimet më të mira. Gëzuar ditëlindjen Fatbardha Hoxha.