Kenia, mbi 34 të vdekur nga përmbytjet në vend
Trupat e 12 viktimave të orëve të fundit janë rrëmbyer nga ujërat dhe janë gjetur në zonat veriore të vendit, kanë deklaruar për mediat ndërkombëtare burime policore. "Trupat e disa personave të tjerë janë gjetur të pajetë në zona të ndryshme të vendit pasi ishin rrëmbyer me furi nga ujërat e forta të përmbytjeve. Pjesa më e madhe e lumenjve kanë dalë nga shtrati i tyre", deklaruan këto burime. Reshjet e dendura të shirave kanë dëmtuar shumë provinca të vendit që nga dita e Krishtlindjeve, duke shkatërruar banesa dhe të mbjella, ndërkohë që kanë mbetur të pastrehë mbi 20 mijë persona. "Jemi përpjekur t'i ndihmojmë banorët të largohen nga zonat më të prekura, por është shumë e vështirë të arrish në këto zona. Pjesa më e madhe e urave lidhëse apo e rrugëve janë shkatërruar", ka deklaruar një zyrtar i policisë.