E Shtunë, 31 Tetor 2026

Keqinterpretimi i një diplomati…

Autori i Lajmit: red.
Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, tha dje se në Kosovë është bërë një progres i madh gjatë vitit të kaluar, ndërsa ka fajësuar mediat për “interpretimin” e deklaratës së tij në Parlamentin Evropian se Kuvendi i Kosovës është shndërruar në ministri të Qeverisë. “Ky është interpretim i mediave, unë nuk do ta diskutoj këtë. Nuk dua të diskutoj raportin tim në Parlamentin Evropian. Nëse doni ta dini se çfarë mendojnë anëtarët e Parlamentit Evropian, mund ta shihni. Ka pasur reagim pozitiv. Raporti im nuk ka të bëjë asgjë me partitë politike në Kosovë. Ka të bëjë me institucionet dhe me funksionimin e shtetit, që unë mendoj se është shumë pozitiv”, - tha Feith, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve rreth deklaratës së tij të dhënë një ditë më parë.
Një raport i sinqertë...
Shefi i ICO-së tha para gazetarëve se raporti që i ka dorëzuar Parlamentit Evropian ka qenë një raport i sinqertë. “Duhet ta kuptoni se ka nisur një fazë e re, është në partneritet me BE-në, është pjesë e perspektivës rajonale të Kosovës. Nuk është si në të kaluarën, jemi më të sinqertë me njëri-tjetrin. Ne si shtete të BE-së i themi njëri-tjetrit se ku mund të përmirësohemi. Dhe këtë e bëjmë edhe me të gjitha shtetet që kanë perspektivë evropiane. Duhet të mësoheni me këtë. Këtë dua ta them, ajo që kam thënë në raport është pozitive në masë të madhe, kam prekur edhe disa tema për disa institucione ku ndoshta mund të bëhen përmirësime”, - ka shtuar Feith. Edhe kryeministri Thaçi u shpreh se i mirëpret vërejtjet dhe këshillat nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, por tha se Kosova ka bërë përparime në shumë fusha. “Ky vit ishte edhe konkludim i përbashkët, ishte vit i suksesit për Kosovën. Jemi duke bashkëpunuar që të vazhdojmë reformat në të gjitha aspektet edhe politike edhe në legjislacion edhe ekonomi, në mënyrë që të ecim edhe më shpejt dhe suksesshëm. Roli dhe këshillat ndërkombëtare kanë qenë gjithmonë të mirëpritura edhe për institucionet e Kosovës", - tha kryeministri Thaçi. Shefi i Ekzekutivit shtoi se deklarimet e shefit të ICO-s nuk duhet të interpretohen në favor të pozitës e as të opozitës. “Feith është përfaqësues i komunitetit evropian apo ndërkombëtar dhe deklarimet e tij kurrë nuk duhet të interpretohen mbështetje Qeverisë apo mbështetje të opozitës. Peter Feith është mik i Kosovës dhe ne po punojmë bashkërisht”, - tha Thaçi.
Legjitimoi akuzat
Asnjë zyrtar i lartë ndërkombëtar, deri më tani, nuk e ka goditur më shumë Qeverinë e Kosovës sesa Pieter Feith, të mërkurën gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian në Bruksel. Aty, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë hodhi akuza pikërisht në sektorët, ku qeveria Thaçi mburret më së shumti - transparencën dhe luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. “Ç është e vërteta, Qeveria duhet të ndërmarrë hapa të vërtetë në fushat e llogaridhënies dhe transparencës, si dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, - ka thënë Feith, mes të tjerash. Partia e Kryeministrit aktual, PDK, arriti të ngadhënjejë në zgjedhjet e 17 nëntorit 2007 falë premtimeve të mëdha për zhvillim ekonomik dhe luftë pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit. Megjithatë, që në javët e para të mandatit të kësaj Qeverie, opozita ka tentuar ta dëshmojë të kundërtën e premtimeve të dhëna. Dhe dëshmia më e mirë e opozitës është pikërisht fjalimi i Pieter Feith, të mërkurën në Parlamentin Evropian.
Koment mbi deklaratat e Feith

Hashim Thaçi:
Deklaratat e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, potencialisht, kanë mundur të shënojnë një fillim të acarimit të raporteve të tij me autoritetet e Prishtinës. Por,
kryeministri Hashim Thaçi është kujdesur që kjo të mos ndodhë.
Në një prononcim për media, edhe Kryeministri, mbështeti deklaratat e z. Feith. “E ka ngritur shqetësimin që e kemi ngritur edhe ne si institucione të Republikës së Kosovës, për të luftuar më tepër kontrabandën dhe korrupsionin, kështu që më vjen mirë që do ta kemi partner të mirë Pieter Feith”, - tha ai.

Naser Osmani:
Deputeti i LDD-së, Naser Osmani, thotë se kjo deklaratë e Kryeministrit është thjesht një farsë. “Në të njëjtën mënyrë ai (Kryeministri) ka reaguar edhe ndaj Raportit të Progresit të Këshillit të Evropës, por megjithatë, nuk ka ndërmarrë asnjë hap në drejtim të përmirësimit të vërejtjeve që janë bërë në atë raport”, tha ai. Deputeti i LDD-së tha se Qeveria aktuale ka dështuar në luftimin e korrupsionit dhe dukurive negative.

Ahmet Isufi:
Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ndërkaq, ka dhënë disa shembuj në këtë drejtim. “Ka shumë probleme me këtë qeverisje, sikurse është mostransparenca, mungesa e luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, censura e Parlamentit... Kjo tregon se kjo Qeveri gjatë gjithë kësaj kohe ka bërë veprime që tani po i revanshohen Kosovës”, tha Isufi.

Driton Tali:
Deputeti i pavarur, Driton Tali, mendon se korrupsioni po luftohet vetëm në deklarimet për media, por jo edhe me veprime konkrete. “Korrupsioni nuk po luftohet, përveç në deklarimet në media. Realisht veprimet e qeverisë në këtë drejtim nuk janë konform deklaratave që jepen vazhdimisht në media”, tha ai. Tali ka folur edhe rreth punës së Parlamentit, i cili, sipas tij, kontrollohet nga qeveria Thaçi.

Ky lajm është publikuar: 14/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›